Olli: Rama mashtroi paturpësisht për rrogat e efektivëve të Policisë

Jan 31, 2013 | 11:49
SHPËRNDAJE
Leonard Olli

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, reagoi dje përmes një konference për shtyp ndaj deklaratave të Edi Ramës për Policinë e Shtetit. “Në vazhdën e përpjekjeve të dëshpëruara për të intimiduar dhe demotivuar Policinë e Shtetit kryesocialisti Rama kutirisi sot rreth të ashtuquajturës platformë të tij për Policinë e Shtetit. Z. Rama, duke patur në krah Gramoz Ruçin dhe Luiza Xhuvanin, shpalosi modelin e fëmijëve të tyre, si shembull të motivimit të policisë në luftën kundër krimit dhe si fytyrën e re të Rilindjes së Policisë. Z. Rama mashtroi paturpësisht për nivelin e rrogave të efektivave të policisë, duke fshehur realitetin. Kur Partia Socialiste qeveriste, rroga e punonjësit të policisë në nivel zbatues ishte 31.500 lekë. Ai premtoi se nuk do ketë rroga nën 50.000 mijë lekë, ndërkohë që nuk e ka idenë se, sot kjo qeveri ka vendosur me kohë minimum të pagës, në nivel zbatues, 52.400 lekë. Ky është realiteti”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. sipas tij, me deklaratat e tij, kreu i opozitës cenoi dhe dinjitetin e policisë së shtetit. “Z. Rama, sërish cënoi rëndë dinjitetin profesional dhe njerëzor punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe hodhi baltë mbi kontributin e çmuar, asistencën e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për forcimin dhe konsolidimin e organizatës, që e kanë vlerësuar si një partnere dinjitoze të homologeve të tyre”, tha Olli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura