“Numri zero”, Umberto Eco, një pamflet të maskuar si roman

Sep 28, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

“Manastiri i Parmës”, romani i Stendalit, është “plot me dhunë, intriga të zymta, abuzim me pushtetin, trashëgimi të fituara pandershmërisht”, siç shkruante Moravia.

Konti Moska triumfon, në fund të historisë, dhe bëhet “një njeri tmerrësisht i pasur dhe pa dyshim i pushtetshëm”. Pak a shumë si Komendatori i romanit të ri të Umberto Eco-s. Ndër të tjera të kujton Stendalin: kur protagonisti i “Numrit zero” zbulon, në Milano, zonën e anijeve dhe përfytyron qytetin lombard të së shkuarës “që përshkohet nga rrathë kanalesh deri në qendër”, si Amsterdami.

Kopertina e librit 'Numero Zero' te Umberto Eco
Kopertina e librit ‘Numero Zero’ te Umberto Eco

“Duhet të ketë qenë shumë i bukur”, shton, “ndaj i pëlqente aq shumë Stendalit”. A ka mundë- si që Italia kriminale e përshkruar nga Stendali të ketë mbetur e njëjta pas më shumë se një shekulli e gjysmë? E kështu të gjithë të kenë vazhduar kaq gjatë të recitojnë pjesën e tyre “kriminelët në skandale, xhentëlmenët në faqet e gazetave”?

Po të lexosh romanin e Eco-s, mund të thuhet se po: rrëfimi sillet rrotull viteve ’90, një mëngjes qershori të vitit 1992; zëri i rrëfimtarit i takon një intelektuali të dështuar, përkthyesi e shkrimtari fantazmë, i cili përfshihet në krijimin e një gazete të re.

Janë muajt e Tangentopolit, arrestimi i “hajnit” Mario Kieza i ka hapur rrugë stinës së Antonio di Pietros dhe klikës së “Duarve të Pastra”, e gjykatësi Falkone sapo është vrarë në Kapaçi. Republika e parë është duke dalë palavdishëm nga skena dhe po përgatitet më e keqja nga të gjitha. Gazeta do të quhet “Nesër”, do të bjerë në sy me anë të dosjeve, hamendësimeve dhe, nëse është e nevojshme, shantazhit. Ndërkohë përgatitet numri zero, numrat zero më saktë, për t’i shpërndarë mes parisë. Ndoshta vetëm për t’i frikësuar?

Sepse, dalja e së njëjtës gazetë mund të jetë një gënjeshtër? Një gënjeshtër e ndërtuar për të treguar rrena. Eco-ja e ndërton “Numrin zero” si një roman vorbull që ka ngërthyer një mashtrim: nëse është gjithmonë, siç thotë një personazh, “dikush pas krahëve tanë, që na mashtron”, atëherë brenda çdo mashtrimi ka një tjetër mashtrim, e kështu deri në pafundësi. “Gazetat rrejnë, historianët po ashtu, sot televizioni gënjen”.

Mbetet dikush a diçka tek e cila mund të kesh besim? Nëse edhe hetimi më i guximshëm bëhet për t’i bërë qejfin aksionerit të së përditshmes? E me gjithë këtë nuk do përfundoni si komplotues paranojak bash si redaktori Bragadaço, i bindur se pas çdo komploti të errët të Italisë, që nga 1945-a deri në vitet ’90, fshihet Musolini? Bragadaçoja heton, kërkon prova, i propozon kolegëve kundër-historinë e tij: Musolini nuk vdiq i goditur me thikë, as i varur në sheshin Loreto; ishte sozia e tij. Ishte prania, hija e tij pas ndodhive që përfshijnë “CIA-n, NATO-n, Gladion, P2-shin, mafien, shërbimet, udhëheqësit e lartë ushtarakë, ministra si Andreoti e presidentë si Kosiga”, terroristët e kuq e të zinj. Bragadaçoja është thjesht një i çmenduar, një mitoman, ose njëri më i kthjellët se të tjerët. Njëri që vetëm bën bashkë pjesëzat e një mozaiku e megjithatë mbetet i pështjelluar?

Kur “Unë di”-ja e Bragadaços ngjan si ajo e një të marri, jermi i një vizionari, atëherë pse duhet ta hiqnin qafe? Kështu, romani i Eco-s mbi gjysmën e dytë të 900-ës nuk kishte si të mos shndërrohej në një roman të verdhë. Pa fajtorë: si të gjitha krimet në historinë tonë të kohëve të fundit. Eco-ja rikthen shpejtësinë, në këtë roman të vrullshëm e shpeshherë argëtues, me pjesë nga “Ditari i vogël” (Diario minimo)(zoti Përgënjeshtronjës që përgënjeshtron faktin se ka qenë i pranishëm në vrasjen e Cezarit, edhe pse kremton 15 marsin e 1944-s), me përgjithësime për akademikët (“etër që urrejnë bijtë”), për gazetarët (ka një stereotip të pafundmë frazash të gatshme e vendesh të zakonshme të përdorura nëpër gazeta). Ka edhe për recensuesit që nuk i lexojnë librat që recensojnë (“vallë a e ka lexuar librin edhe vetë autori, e duke parë do lloj librash mund të thuhet që jo).

Eco-ja do të shkatërrojë me sarkazëm mekanizmat e informacionit, duke përfshirë horoskopin, nekrologjitë dhe parashikimin e motit (jo vetëm atmosferik: “çështja e celularëve nuk mund të zgjasë”, shkruan një gazetar i viteve ’90). Por, libri i tij shkon më në thellësi, mbrapa qëndron ana satirike dhe groteske; pas subjektit rreth “subjekteve”, pas një historie dashurie në miniaturë, pas shtesave (e vazhdueshme dhe poetike ajo mbi Milanon e zhdukur), ka diç tjetër. Një vështrim i shqetësuar dhe i vranët lidhur me aftësinë tonë për indiferentizëm (“Asgjë s’mund të na turbullojë, në këtë vend”). Për vetëmashtrimin tonë të shtruar e të përvitshëm, që “gazetarja dritë e të gjitha gazetave”, siç e quante me ironi Leopardi, shpesh nuk bën asgjë të dobishme për të provokuar.

Përpiqet rilindësi i mirinformuar Eco, me këtë pamflet të maskuar si roman, në mënyrë ironike të mençur dhe shumë befasues, sa për fillim, me narrativë italiane të freskët, ku shumësia e niveleve të leximit thuajse fshihet nga një subjekt që rreh si lavjerrës.

NGA PAOLO DI PAOLO

“La Stampa”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura