Nuk u shty hapja e negociatave, është izolimi që i bëhet Ramës

Dec 2, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim zekthi

Vendimi për të mos mbaj tur konferencën  e parë ndërqeveritare me Shqipërinë për negociatat për anëtarësim në BE, është dëshmia fundore se vaji i kandilit të Kryeministrit Rama ka përfunduar. Rama nuk është më një partner i besueshëm BE-së, i Kancelares Merkel dhe i të gjithë figurave kryesore të Këshillit Europian. Ai nuk është më fare një partner.

Tri vite më parë, kur Këshilli Europian votoi që Shqipërisë t’i hapen negociatat me kushte, Kryeministri Rama shpërtheu në lëvdata për qeverinë e drejtuar nga ai dhe në akuza të rënda për opozitën. Ai tha tekstualisht: “Hapja e negociatave nuk është fitore e partisë, që bëri gjithçka për t’i hapur ato dhe u sulmua deri në kockë për këtë përpjekje dhe as humbje e partisë që la kockat për të penguar hapjen e negociatave…”.

Pra, ai dhe Partia Socialiste kishin bërë gjithçka dhe ishin sulmuar deri në kockë, ndërsa Basha dhe PD kishin lënë kockat për të penguar hapjen e negociatave. Rama tha gjithashtu se “u ka ikur koha politikanëve që i kanë ikur me sukses drejtësisë për vite me radhë, një drejtësie të korruptuar e të kapur prej tyre për fyti. Ata duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar e paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian”.

Në fakt, kishte kohë që vaji i kandilit të Ramës në sytë e BE-së dhe drejtuesve të Këshillit po digjej shpejt. Mbjellja e Shqipërisë me hashash në mënyrë të pamendueshme, mbushja e Parlamentit dhe e disa bashkive me njerëz që vinin nga bota e trafikut të drogës, korrupsioni i lartë, shkatërrimi i zgjedhjeve, kishin bërë që atëbotë Rama të shihej me dyshim. Negociatat nuk u hapën, kushtet e përhershme mbetën. Një vit më pas, në qershor të 2018-ës, Rama përsëri foli për hapje negociatash dhe për sukses të madh. Ai tha: “Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE-së, Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë”

Rreth një vit më pas, në shtaor të 2019-ës, Parlamenti gjerman vendosi nëntë kushte për hapjen e negociatave. Tashmë duket se u kishte humbur durimi të gjithëve në lidershipin e BE-së. Parlamenti gjerman është Parlamenti më i fuqishëm i Europës dhe vendimmarrësi më i rëndësishëm në këtë proces.

Ato nëntë kushte ishin shkatërrimtare për Ramën. Ato nëntë kushte kërkonin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ngritjen e Gjykatës së Lartë, miratimin e një Reforme Zgjedhore me konsensus, hetimin e vjedhjes së zgjedhjeve, hetimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë etj. Ato ishin kushte që mund t’i vendoseshin një vendi apo një Shqipërie si ajo që kishte për Kryeministër Adil Çarçanin në vitin 1989.

Edhe qeverisë e Adil Çarçanit në vitin 1989, po të ngrinte Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, të cilat do të mbronin demokracinë kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, po të dënonte politikanët e korruptuar dhe ata që kishin bërë krime, po të bënte Reformë Zgjedhore dhe të dënonte ata që kishin manipuluar zgjedhjet, po të hetonte prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që kishin bërë krime, po të merrej në shqyrtim nga një Parlament në Europë, mund t’i hapeshin negociatat.

Rama nuk mund të lejojë të ngrihet një Gjykatë Kushtetuese nëse ai nuk e kontrollon atë dhe prandaj ajo ka ngecur. Për këtë nuk mund të gënjehet më as parlamenti gjerman dhe as qeveria gjermane. Për këtë nuk mund  të gënjehen më as drejtuesit e Këshillit Europain. Rama nuk mund të bëjë një Reformë Zgjedhore konsensuale nëse ajo nuk e ndihmon atë të dëmtojë opozitën, t’i heqë mandate asaj dhe t’i japë atij një avantazh në tavolinë. Dhe kështu ndodhi. Për këtë nuk mund të gënjehet asnjë vendimmarrës në Këshillin Europian. Rama nuk mund të përkrahë hetimin e krimit dhe korrupsionit, hetimin e blerjes së zgjedhjeve sepse këto e rrëzojnë atë. Për këtë ai nuk mund të gënjejë më askënd.

Rama kishte zgjedhur prej vitesh një teknikë hitleriane gënjeshtre për çështjen e integrimit, prandaj fliste në atë mënyrë, prandaj i bënte fakt hapjet e negociatave në vitin 2017, në vitin 2018, në vitin 2019 …

Hitleri e ka përdorur togfjalëshin ‘gënjeshtër e madhe’ në librin “Mein Kampf” dhe ky togfjalësh ishte thelbi i gjithë propagandës naziste. Hitleri vë përballë gënjeshtrën e madhe me gënjeshtrën e vogël. Për Hitlerin, “masat e gjera të popullit bien më kollaj viktimë e gënjeshtrës së madhe sesa gënjeshtrës së vogël”. Hitleri thotë se vetë njerëzit bëjnë gënjeshtra të vogla dhe ata do të ndiheshin të turpëruar po të bënin nga një gënjeshtër të madhe, sepse është turp të bësh gënjeshtra të tilla të mëdha që “nuk i ha njeri”. Duke qenë se njerëzit mendojnë se është turp të bësh gënjeshtra të mëdha, atëherë, kur dikush bën një gënjeshtër të madhe, ata mendojnë se ajo është e vërtetë, sepse nuk ka mundësi që dikush të guxojë të bëjë një gënjeshtër kaq të përbindshme. Prandaj, sipas Hitlerit, në mënyrë që të besohet duhet të thuash rrena shumë të mëdha, shumë të trasha. Rama këtë ka bërë me shpalljen e sukseseve të tij për hapjen e negociatave vit pas viti, me ndarjen e dekoratave për hapjen e negociatave etj.

Moshapja e negociatave për disa vite rresht, vënia e kushteve dhe shtimi i këtyre kushteve tregojnë se drejtuesit e BE-së, drejtuesit e Parlamentit dhe qeverisë gjermane nuk kanë rënë për asnjë grimë në lojën e kësaj gënjeshtre të madhe, e cila më së shumti ka pasur për synim popullin tonë, popullin e Kryeministrit Rama. Drejtuesit e BE-së, drejtuesit e qeverisë dhe Parlamentit gjerman gradualisht kanë rritur shkallën e izolimin e Ramës, duke shtuar kushte, duke i thelluar kushtet, duke vënë afate deri sa mbërritëm në pikën e tanishme.

Izolimi i tanishëm i Kryeministrit Rama është si izolimi që sjell vdekja. Filozofi Ludëig Ëitgenstein thoshte se vdekja nuk është një ngjarje në jetë, ajo është një kufi, një kufi i frikshëm që ndan në mënyrë të plotë të gjallin nga i vdekuri. Teksa sëmundja e Ivan Iliçit në romanin e Tolstoit bëhet shumë më e rëndë, ai izolohet gjithnjë e më shumë nga të tjerët. Ka një përpjesëtim të frikshëm mes izolimit të tij nga të tjerët dhe rëndimit të sëmundjes së tij. Sa më shumë sëmuret, aq më shumë izolohet. Personi që po vdes mund të jetë gjallë, por ndarja e tij ka filluar. Vdekja është e pashmangshme dhe e tmerrshme. Ajo na ndan nga gjërat që duam shumë. Disa i përgjigjen asaj me mohim, mohim të pashmangshmërisë. Është e kotë.

Kjo gjë po ndodh në kuptimin politik me Ramën dhe qeverinë e tij. Ai dhe qeveria e tij janë të sëmurë në mënyrë të pashërueshme dhe për ta izolimi po bëhet shumë i fortë. Rama dhe qeveria e tij mund të përgjigjen me mohim, por kjo nuk ndryshon asgjë. Siç thotë Ëitgenstein, Rama po hyn në kufirin që ndan plotësisht të gjallët nga të vdekurit. Ka kohë që atë dhe qeverinë e tij e ka zënë sëmundja dhe izolimi ka ardhur duke u rritur ngadalë, vit pas viti, kusht pas kushti, afat pas afati, kritikë pas kritike, raport pas raporti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura