Nuk ndalet Salihi, gol në Kupën e SHBA-ve

May 31, 2012 | 13:05
SHPËRNDAJE

Hamdi Salihi ka shënuar në suksesin 2-1 të ekipit të tij DC Junajtid në Kupën e Amerikës. Ky ishte goli i 5-të në 7 ndeshjet e fundit të skuadrës, duke treguar se është në një formë të shkëlqyer. Shkodrani ka qenë deciziv në katër ndeshje të kampionatit te DC Junajtid ndaj Torontos, në dy takime (3-1 dhe 0-2), ndaj Kolorados 2-0 dhe ka shënuar edhe në humbjen 5-3 në fushën e Ërthkuejk. Goli i djeshëm ndaj Riçmond Kikers ka qenë i pari në kupë. Sulmuesi duket se ka rifituar vendin e tij në formacionin titullar dhe po ndihmon DC Junajtid që të kthehet në një protagoniste falë golave të tij. Junajtid fitoi kundër Riçmond Kikers, ekip që luan një kategori më poshtë, duke u kualifikuar kështu për më tej. Në stadiumin e Universitetit të Riçmondit, sipas mediave amerikane, kanë qenë të pranishëm rreth 5000 tifozë. Salihi i ka dhënë avantazhin ekipit të tij në minutën e 24-rt pas një aksioni spektakolar në bashkëpunim me Maikon Santos, ku ka kaluar edhe portierin. Shkodrani është zëvendësuar në pushim të ndeshjes duke u ruajtur nga trajneri Ben Olsen për ndeshjen e kampionatit. Por më pas vendësit barazuan me një penallti, duke e çuar ndeshjen në shtesë. Në minutën e 107-të ishte lojtari i Junajtid, Saragoza, i cili shënoi edhe golin e kualifikimit, duke bërë që skuadra të luajë në turin tjetër ku përballë do të ketë Filadelfia Union. Momentalisht skuadra e Salihit kryeson kampionatin e Shteteve të Bashkuara pas 15 javëve me 27 pikë: 8 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Junajtid ka një pikë më shumë sesa Nju Jork Red Bulls, ku luan Tierri Henri dhe Rafael Markez, dhe dy pikë më shumë sesa Sporting Kicker. Duhet thënë se në fillim të aventurës së tij te Junajtid, Salihi u kritikua shumë nga mediat dhe tifozët, pasi nuk po arrinte që të shënonte, por pas zhbllokimit ndaj Torontos, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka fituar jo vetëm besimin e trajnerit, por edhe të tifozëve të këtij ekipi.

Kombëtarja
Salihi nuk është grumbulluar në tri ndeshjet e fundit të Kombëtares: me Gjeorgjinë, Katarin dhe Iranin nga trajneri De Biazi. Shkak në fakt nuk ka qenë forma e tij, por vetë lojtari pati rënë dakord me trajnerin që të mos vinte në Kombëtare, pasi kërkonte që të ambientohej sa më shpejt me ekipin e ri në kampionatin amerikan. Sigurisht, një rol këtu ka luajtur edhe fakti i largësisë së Amerikës me Europën. Gjithsesi, Salihi është konfirmuar nga De Biazi se është pjesë e përfaqësueses.

LEONRAD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura