Nuk keni parë gjë akoma!

| 9:41
SHPËRNDAJE

lubonja (1)FATOS LUBONJA

Gjatë ditëve të fillimit të janarit kanë ndodhur dy ngjarje që pushtuan mediat tradicionale, portalet dhe rrjetet sociale. Njëra ishte videoja e darkës në Dubai, që tregonte ministra e zyrtarë të lartë të pushteti lokal (disa bashkë me gratë) duke ngrënë darkë në një restorant super të shtrenjtë, së bashku me biznesmenin më të fuqishëm të vendit, ndërkohë që Shqipëria ishte nën ujë.

Tjetra ishte njoftimi i papritur dhe shumë i çuditshëm dy ditë më vonë nga Kryeministri, se në Shqipëri do të fillonte vaksinimi – me disa vaksina që nuk tregohej se nga kishin ardhur – ndërkohë vaksinimi pritej të fillonte pas javës së tretë të janarit.

Komentet më të shumta kritike që i lidhën të dyja ngjarjet ishin se Rama e kishte nxjerrë lajmin e vaksinimit – duke siguruar shpejt rreth 900 vaksina – për të mbuluar skandalin e Dubait. Dhe në këtë qasje, ajo që ra në sy, në ditët në vazhdim, ishte ngulmimi nga ana e kritikëve për të trajtuar skandalin e Dubait, duke nxjerrë fakte pas faktesh se ajo tryezë ishte treguesi më i mirë se si funksionon shteti ynë i oligarkëve, sesi po shitej Durrësi dhe Vlora pa tender tek arabët, si dhe duke numëruar gënjeshtrat e Kryeministrit lidhur me këtë skandal, ndër to edhe stratagjemën e vaksinave.

Ndoshta, edhe për këtë arsye, ngjarjes së vaksinave, megjithë kritikat serioze të një pakice për mungesë transparence, i mbeti hija e një ngjarjeje pozitive për Kryeministrin tonë. Këtë perceptim sikur e përforcoi edhe një lloj gati heshtjeje e opozitës ndaj kësaj ngjarjeje, nisur nga ideja – të paktën kjo është një nga interpretimet që kam dëgjuar më shumë – se kjo sjellja e vaksinave është në favor të Ramës, se ata nuk mund të dalin kundër vaksinimit, kundër mjekëve që shkuan u vaksinuan në rresht, pasi pjesa më e madhe e zgjedhësve të mundshëm e shohin si pozitive.

Edhe unë mendoj se me shumë gjasa Rama e ka bërë këtë akt për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Dubait me diçka pozitive, por sipas meje vetë fakti që i ka shkuar mendja të përdorë një stratagjemë të tillë, por, mbi të gjitha, mënyra e sjelljes së atyre vaksinave, fjalët me të cilat e shoqëroi në publik, ku si qershia mbi tortë ishte deklarata se “këto i keni pasi keni Edi Ramën Kryeministër”, janë një skandal më vete që jo që nuk e lan aspak skandalin e Dubait, por e plotëson atë në aspektin më dramatik që përmbajnë të dyja skandalet: mënyrën pa institucione, pa ligj, pa kontroll, pa drejtësi se si funksionon ky palo shtet gangsterësh e trafikantësh.

Ndonëse Edi Rama na ka paralajmëruar se “nuk keni parë gjë akoma”, duke na e provuar këtë në mënyrë të progresive me skandale gjithnjë e më të rënda, përsëri do të thosha se kjo mënyra e sjelljes së 900 vaksinave hyn në çuditë që nuk i kishim parë deri tani. Përpara saj nuk mund të mos ngresh me një habi të re pyetjet: si ka mundësi të dalë Kryeministri i një vendi të thotë në publik – për një çështje kaq sensitive – se këto vaksinat na i ka dhënë një vend i BEsë, por unë nuk e them se cili është?! Si ka mundësi t’i trajtojë vendet e BE-së sikur të funksionojnë me mendësinë tonë: si shtet trafikantësh?

Dhe kjo habi e re nuk ka të bëjnë thjesht me Edi Ramën, por me pyetjen më të përgjithshme: si ka mundësi që jemi katandisur deri këtu?! Nuk po e lidh habinë me faktin se shteti e ka për detyrë të na bëjë transparencë, veçanërisht duke pasur parasysh skepticizmin që ekziston mbi efektet anësore që mund të shkaktojnë këto vaksina të nxjerra në kohë rekord. Ajo që është shumë më e habitshme dhe shumë alarmante në këtë histori, është se Kryeministri i vendit sillet si një kontrabandist në qiell të kaltër dhe nuk ka asnjë reagim institucional, por as nga opozita, për të ngulmuar në kërkimin e së vërtetës të kësaj ngjarjeje, përveç disa gazetarëve që u jepet nga Kryeministri përgjigjja: “Nuk të përgjigjem”.

Ndër variantet që kam dëgjuar nëpër korridoret e gazetarisë për atë se kush i ka sjellë vaksinat, më kanë tërhequr vëmendjen dy syresh. Njëri që vjen nga më afër zyrave të Kryeministrit, sipas të cilit vendi mik qenka Italia, por Kryeministri Conte nuk dashka që kjo të dalë për shkak të opinionit publik italian që pret me padurim vaksinat për vete. Ky version më duket krejtësisht i pabesueshëm. Sepse, nëse do të ishte vërtet Italia, jo vetëm se kjo nuk do të mbahej e fshehtë për detyrimet e transparencës që ka shteti italian ndaj qytetarëve të vet, por edhe sepse Conte nuk do ta kishte aspak problem t’ua bënte të ditur këtë italianëve, duke u rikujtuar faktin e shumëduartrokitur prej tyre se qeveria shqiptare dërgoi në pranverën e vitit të kaluar grupin e mjekëve dhe infermierëve. Italianët kanë një shprehje: “O mangi questa ministra o salti dalla finestra!”. (O haje këtë çorbë, o hidhu nga penxherja!). Ky varianti i Ramës me shtetin e BE-së që nuk do t’i dalë emri më duket si: “O hani gënjeshtrën time, o hidhuni nga penxherja!”.

Mungesa e paraqitjes së certifikatës doganore nga vendi prej ku kanë dalë vaksinat për mua bën më të besueshëm një variant të dytë që kam dëgjuar: se vaksinat i paska sjellë një privat që merret me shpërndarjen e vaksinave në Gjermani. Sjellja dorazi e kësaj pakoje, pretendimet e Kryeministrit se nuk ka si na e thotë emrin, gënjeshtrat e atyre mjekëve si Pipero që deklaruan se këto kishin ardhur që dy ditë më parë dhe ruheshin në frigoriferë e posaçëm për to, ndërkohë që ato erdhën ditën që u injektuan, mua më duken si prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e arsyeshëm se këtu kemi të bëjmë me një trafikim, përveçse me një mashtrim të rëndë të shqiptarëve e prandaj duhet hetuar. Kurse ky reagim kaq i dobët i opozitës, por edhe i opinionit, për të ngulmuar në zbardhjen deri në fund të së vërtetës të kësaj ngjarjeje është një sinjalizim se do të na shohin sytë gjëra edhe më të paimagjinueshme se kjo në degradimin e shtetit.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.