“Nuk do t’i harroj kurrë rrënjët e mia”- Rita Ora flet me krenari për prejardhjen e saj shqiptare: Nuk do ta ndryshoja për asgjë

Apr 8, 2020 | 16:32
SHPËRNDAJE

Rita Ora ka folur hapur në lidhje me përvojën e saj si refugjate pas largimit nga Kosova së bashku me prindërit dhe motrën Elena.

Këngëtarja rrëfeu për Vogue Arabia largimin e familjes së saj nga atdheu dhe zhvendosjen e saj në Londër për të filluar atje një jetë të re vetëm një vit pasi erdhi në jetë.

“Unë mendoj se ne, Kosova si komb, jemi shumë krenarë për origjinën tonë”- tha ajo.

Ndërsa shtoi: “Kur filloi lufta me ish-Jugosllavinë prindërit e mi morën vendimin e vështirë për tu largua. Mijëra njerëz u vranë në luftën brutale, më shumë se 1 milionë njerëz u detyruan të iknin, përfshirë prindërit e mi, unë dhe motra ime. Nëna ime ishte psikologe dhe babai im ekonomist. Ata lanë pas tërë jetën dhe duhej të fillonin nga e para kur mbërritën në Londër si refugjatë. Por mbrojtja jonë ishte parësore për ta.”

Ajo pranoi se ishte e vështirë të rritej si emigrante për shkak të paragjykimeve.

“Quhesha refugjate në një mënyrë të turpshme, megjithatë kisha shumë miq të huaj dhe kalonim mirë së bashku edhe pse ishim të ndryshëm,”- u shpreh Rita. “Është zemërthyese ajo që po ndodh në Siri dhe ndjej dhimbje për njerëzit që vuajnë. Gjithmonë doja të bëja gjithçka që mundesha për të mbështetur komunitetet që kalojnë kohë të vështira si kjo. Mesazhi im për ata refugjatë është që të vazhdojnë të ëndërrojnë dhe të mos ndalojnë rrugëtimin e tyre.”

Pavarësisht se është rritur në Londër, këngëtarja shprehet se Kosova do të jetë gjithmonë atdheu i saj.

“Kosova do të jetë gjithmonë atdheu ynë dhe ne do të jemi përgjithmonë kosovarë krenarë. Ndihem e nderuar që tani kthehem në vendin tim si Ambasadore Nderi. Kur kemi mundësi, shkojmë dhe e vizitojmë së bashku me familje time. Unë e dua çdo gjë të vogël mbi kulturën kosovare, është kaq ndryshe. Veshja kombëtare është e bukur dhe ushqimi është i shijshëm. Bakllavaja është gjëja ime e preferuar në botë. Unë kurrë nuk kam takuar dikë që nuk e pëlqen, është e jashtëzakonshme. Unë do të jem përgjithmonë një kosovare e vërtetë me zemër. Nuk do t’i harroj kurrë rrënjët e mia dhe do të jem përgjithmonë krenar për prejardhjen time, nuk do ta ndryshoja asgjë,”- rrëfeu Rita.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura