Nora Istrefi flet pas lindjes: Për disa muaj do merrem vetëm me vajzën

May 26, 2015 | 11:15
SHPËRNDAJE

Pse vendosëm për emrin Rene, tani dy dashuritë e mia fillojnë me R

Ylli i muzikës shqiptare, Nora Istrefi, më datë 15 maj solli në jetë njeriun e saj më të shtrenjtë. Ekipi i drejtuar nga doktor Zlatko Palcevsi me operacion cezarian solli në jetë të voglën Rene. Nora Istrefi, e cila karrierën muzikore e ka nisur në moshën 18 vjeçe, deri më tani ka lançuar shumë albume e hite, ndërsa u ndje e plotëuar si nënë në moshën 29-vjeçare. Këngëtarja e njohur ka lindur beben në klinikën ‘’Acibadem Sistina’’ në Shkup për shkak të kushteve më të mira dhe trajtim të mirë për veten dhe beben e saj. ‘’Vendosa të lind aty pas disa sugjerimeve të mikeshave të mia.

U njoha me mjekun fillimisht dhe më tej kam pasur kontrolla të rregullta. Nuk them se në Kosovë nuk ka mjekë dhe klinika të mira, por nuk ka aparate të sofistikuara dhe ishte në pikëpyetje jeta ime dhe e vajzës. Jam tejet e kënaqur nga kujdesi mjekësor që mora’’, thekson Nora pas daljes nga spitali. ‘’Jam shumë e lumtur, kam ndjenja të përziera që nuk mund t’i shpjegoj, por definitivisht kjo gjë është më e mira që më ka ndodhur në jetë’’. Shtatzënia e saj ka shkuar shumë në rregull, deri në muajn e gjashtë ajo ka zhvilluar edhe mbrëmje muzikore e koncerte. ‘’Mund të them se kam pasur shtatzëni të lehtë. Muajt e parë kisha çrregullime, por më pas kaluan. Jam munduar të ushqehem shëndetshëm, kam ushtruar dhe kam konsumuar ujë sipas këshillës së mjekëve. E, meqë kam profesion impenjativ, më është dashur të jem në punë deri në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Ka qenë shumë e vështirë të zgjedh emrin më të bukur për princeshën time. I pari emër që më ka lënë përshtypje ka qenë Rene, sepse është unikal në Kosovë. Interesante se fillon me shkronjën e parë të Robertit’’, shton më tej Nora. ‘’E pasi ky moment kërkon shumë kujdes ndaj fëmijës, nuk do jem aktive për disa muaj në muzikë, derisa Rene të rritet dhe për të do kujdesen gati të gjithë, nëna ime, vjehrra ime, bashkëshorti. Jam shumë e emocionuar që po shkoj në shtëpi’’, kështu ka deklaruar këngëtarja Istrefi pas daljes nga spitali.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura