Noka: Rama reagoi vetëm për emërimin kriminal të Metës

Aug 31, 2014 | 16:29
SHPËRNDAJE

Flamur Noka
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka denoncuar edhe dje emërimet e bëra në administratë të individëve me precedentë penalë. Sipas Nokës, Partia Socialiste reagoi vetëm për një person që ishte emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, kur ajo ishte në bashkëqeverisje me të. “Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë zgjedhur të reagojnë vetëm dje për një emërim të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kontrollori i Rinasit, që në të shkuarën ishte korrier në Rinas i kalimit të parave të pista, është emëruar në vitin 2012 në agjencinë ANTA, kur kjo agjenci drejtohej nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është emëruar me pëlqimin e Ilir Metës dhe vazhdon të kontrollojë Rinasin me bekimin e Edi Ramës”, tha Noka. Sipas tij: “Reagimi i djeshëm festiv i Edi Ramës, që denoncoi publikisht aleatin e tij kryesor për këtë emërim kriminal, nuk e mbulon dot heshtjen mortore për dhjetëra raste të emërimeve kriminale, e të kriminalizimit që Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë bërë administratës, në çdo nivel, deri te Parlamenti i Shqipërisë”. Për deputetin demokrat, lista e personave që kanë pasur precedentë penalë është bërë e gjatë. “Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama ka bërë deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë një të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi, dhe Edi Rama ka heshtur, Partia Socialiste ka heshtur”, tha Noka. Por denoncimet e Partisë Demokratike kanë vijuar prej disa javësh në pritje të një reagimi nga Kryeministri Rama. “Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se me Edi Ramën është bërë drejtor rajonal transporti një person i kapur me 750 kg kanabis, është bërë drejtor i ujësjellësit një person i dënuar me 16 vite burg për trafik droge, ka marrë një pozicion kyç në Drejtorinë e Lojërave të Fatit dikush i kapur me 200 kg heroinë, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur. Partia Demokratike ka denoncuar me prova e me fakte se Edi Rama bëri kryetar të Këshillit të Qarkut personin e arrestuar nga policia italiane dhe të akuzuar nga mediat më të mëdha atje për rrëmbimin e një fëmije, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur. Kemi denoncuar me dhjetëra raste të personave me precedentë penalë që kanë kapur zyrat e administratës, me prova e me fakte, dhe Edi Rama e Partia Socialiste kanë heshtur”, u shpreh deputeti demokrat Noka gjatë një konference për mediat nga selia e Partisë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura