Njëzetekatër shtatë

Apr 8, 2020 | 11:33
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI

NGA LEONARD DEMI

T’fortë kanë lidhë nji besë të Zotit, si të Parët ua lidhshin motit … Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis

Parathënie

Ky është një artikull që i kushtohet përpjekjeve të NATO-s kundër pandemisë të shkaktuar nga koronavirusi. Po, në krye, u uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre, që vuajnë këtë sëmundje dhe dëshiroj të ngushëlloj të gjithë familjarët, që kanë humbur të dashurit e tyre. Përkulem me respekt të thellë para të gjithë mjekëve dhe infermierëve, që janë në vijën e parë të frontit kundër kësaj të keqeje, ushtarakëve dhe policëve të përkushtuar për sigurinë tonë shëndetësore dhe para atyre mjekëve dhe infermierëve, që vendosën të ndihmojnë miqtë tanë italianë në këto ditë të vështira.

Në këtë orvatje, NATO është plotësisht e mobilizuar kundër COVID-19, duke mbështetur, koordinuar dhe mobilizuar të gjitha kërkesat e anëtarëve të vet dhe, njëherësh, përpiqet të adaptohet që kjo krizë shëndetësore të mos kthehet në një krizë sigurie.

Sot, NATO po bën maksimumin e vet për të përmbajtur përhapjen e virusit dhe, më 2 prill, në takimin virtual të Ministrave të Jashtëm, Aleanca ngarkoi kmomandantin e vet kryesor, Komandantin e Komandës Operacionale, Gjeneralin Uolltërs (Wolters), të koordinojë mbështetjen e nevojshme ushtarake të NATO-s kundër koronavirusit dhe të përdorë rrugët më efikase të hapësirës ajërore europiane për të transportuar ndihmat mjekësore.

Për të dërguar shpejt pajisjet mjekësore kudo që janë të nevojshme, si edhe paciente të prekur nga virusi, NATO ka vënë në shërbim dy programet e veta të transportit ajëror: (i) SALIS (Transporti Strategjik për Shërbime Ndërkombëtare), me 5 avionë Antonov AN-124-100 dhe (ii) SAC (Kapaciteti i Transportit Strategjik) që operon me avionë Boing C-17.

Qendra Koordinuese kundër Fatkeqësive (EADRCC), gjegjësi kryesor i NATO-s në situata emergjente, punon pa ndërprerje, si ditën dhe natën (24/7). Ajo po bën një punë të kujdesshme për të mobilizuar ndihmat e vendeve aleate. Ajo koordinon çdo kapacitet apo pajisje për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave për mbështetje me mjete mjekësore të ofruara nga vendet aleate dhe partnere dhe ua dërgon atyre aleatëve, që kanë më shumë nevojë. Po kështu, Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimeve e NATO-s (NSPA) po ndihmon aleatët për të siguruar pajisje mjekësore dhe pikërisht, ato, që duhen, duke bashkëpunuar ngushtë me organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Bashkimin Evropian.

Për të gjithë

NATO, nëpërmjet programit SALIS, ka transportuar nga Kina në Republikën Çeke disa tonë furnizime mjekësore, përfshirë respiratorë dhe miliona maska; po kështu, më 25 mars, transportoi nga Kina për në Sllovaki 48 tonë pajisje mjekësore.

Në kuadër të programit SAC, më 30 mars, i dërgoi Italisë 10,000 kostume mbrojtës dhe respiratorë hi-tech, ndërsa Spanjës 10000 kostume mbrojtës dhe, më 3 prill, 50 ventilatorë (gjermanë) si pjesë e përpjekjeve kolektive të aleatëve të NATO-s kundër pandemisë globale të koronavirusit. Më 26 dhe 28 mars, transportoi nga Koreja e Jugut për në Bukuresht 100 000 kostume mbrojtës dhe pajisje të tjera mjekësore. Në kuadër të këtij programi kryhet edhe transporti i pacientëve nga një shtet në një tjetër.

Në këtë kuadër, Turqia i dhuroi Italisë dhe Spanjës pajisje për mbrojtje vetjake, dizifenktantë, si dhe 450,000 maska. Mbi kutitë e amballazhimit ishin shkruar vargje të një poeti turk të shekullit të 13-të, Jalaluddin Rumi: “Pas dëshpërimit vjen shpresa dhe pas erësirës do të lind dielli”.

Një ekip i Agjencisë së Mbështetjes dhe e Prokurimeve (NSPA) me qendër në Taranto po bashkëpunon me një ndërmarrje italiane, ISINNOVA, për të prodhuar pajisje, që mund të konvertohen në maska për frymëmarrje artificiale, të cilat do t’i dhurohen Departamentit italian të Mbrojtjes Civile për t’i shpërndarë në spitale, që kanë nevojë për to.

NSPA i ka siguruar Luksemburgut 1200 m² çadër për spitale fushorë, me të cilat do të rrit kapacitetin e Qëndrës së vet Spitalore (CHL). Duke filluar nga 30 marsi, një ekip ekspertësh i kësaj agjencie po punon ngushtë me Ushtrinë e Luksemburgut për të ndërtuar disa spitale fushorë çadër. Agjencia i ka siguruar CHL-së edhe 200 shtretër shtesë për të trajtuar pacientët e koronavirusit.

Maqedonia e Veriut po përdor Sistemin e NATO-s Gjenerata Tjetër për Menaxhimin e Incidenteve (NICS) për të koordinuar përpjekjet kombëtare ndaj krizës të COVID-19, si dhe për t’i mundësuar publikut të vet informacion në kohë reale.

Në vitin 2019, Maqedonia e Veriut adaptoi sistemin NICS për të koordinuar të gjithë strukturat e qeverisë në rast emergjence. Ky sistem është një program, i cili i jep mundësi operatorëve të koordinojnë nevojat për të përballuar një situatë emergjente. Sistemi bën pjesë në projektin Shkencë për Paqe dhe Siguri (SPS) të NATO-s dhe është kryer në bashkëpunim me Laboratorin Linkoln të Institutit të Teknologjisë (MIT LL); të Drejtorisë të Shkencës dhe Teknologjisë të DHS të SHBA-ve; Bosnjë dhe Herzegovinës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në këtë situatë të vëshëtirë, NATO mbështet anëtarët e vet të mobilizojnë forcat e tyre të armatosura në ndihmë të autoriteteve civile, përfshirë spitalet fushore, transportin e pacientëve, disinfektimin e hapësirave publike dhe sigurimin e kufijve.

Personeli mjekësor i Aleancës po monitoron trupat, që marrin pjesë në operacionet e Aleancës dhe, njëherësh, ka filluar të shqyrtojë pasojat afatgjata të krizës, të nxjerrë mësime për të qenë të përgatitur kundër ndonjë sfide në të ardhmen. Nga mesi i këtij muaji, NATO do të thrras takimin e Ministrave të Mbrojtjes për të analizuar dhe përmirësuar mbështetjen e vet kundër COVID-19.

Detyrat                

Përgjegjësia themelore e NATO-s është siguria dhe mbrojtja e, pothuajse, një miliard njerëzve nga të gjithë rreziqet me të cilat përballemi dhe sot, në përvjetorin e 71, Aleanca është më e aftë se kurrë të kryejë detyrën e vet. NATO, sipas parimit defense and deterrence (frenim dhe mbrojtje) po forcon më tej rolin e vet kundër sfidave të sotme dhe të së ardhmes: në luftë kundër terrorizmit, forcimin e stabilitetit dhe partneritetit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në njësitë luftarake shumëkombëshe në lindje, Policimin Ajëror dhe kapacitetet detare.

Në Lindjen e Mesme, Aleanca do të rritë misionin në Irak, do të kryejë disa nga aktivitetet trajnuese të Koalicionit Global, do të vazhdojë të jetë e angazhuar në procesin e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në Afganistan (diku nga vera e këtij viti, NATO parashikon të zvogëlojë praninë e vet atje në rreth 12 000 trupa).

NATO po thellon partneritetin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, përfshirë stërvitjet në rajonin strategjik të Detit të Zi. Po kështu, Aleanca do të rritë angazhimin kundër luftës hibride dhe do të ndajë më shumë të dhëna mbi trafikun ajëror për ta bërë hapësirën ajërore të sigurtë për të gjithë.

Aleanca, gjithashtu, po rrit bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara për të trajnuar paqeruajtësit e OKB-së nëpërmjet një pakete, e cila përmban trajnime për dhënien e ndimës mjekësore, komunikimin dhe kundër mjeteve eksplozive.

Në bazë të vendimit të Samitit të Londërs, 4 dhjetor 2019, NATO sapo ka ngritur një grup ekspertësh për nismën politike “Reflection Process” (procesi i reflektimit), të cilën do ta drejtoj Sekretari i Përgjithshëm. Grupi i ekspertëve politikë do të ofroj rekomandime për të forcuar unitetin e Aleancës, për të zgjeruar konsultimet politike dhe koordinimin ndërmjet anëtarëve, me pikësynim fuqizmin e rolit politik të Aleancës.

Ky grup përbëhet nga 10 vetë, pesë burra dhe pesë gra, të zgjedhur nga dhjetë vende anëtare, të cilët janë: Greta Bossenmaier (Kanada), Anja Dalgaard-Nielsen (Danimarkë), Hubert Védrine (Francë), Thomas de Maizière (Gjermani), Marta Dassù (Itali), Herna Verhagen (Hollandë), Anna Fotyga (Poloni), Tacan Ildem (Turqi), John Bew (Mbretëri e Bashkuar), Wess Mitchell (Shtetet e Bashkuara). Grupi do të bashkëdrejtohet nga Thomas de Maizière, deputet i Bundestag-ut dhe ish-Ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë dhe nga A. Wess Mitchell, ish-Asistentsekretar i Shtetit për çështjet evropiane në administratën e presidentit Trump. Grupi përfundon misionin e vet në samitin e ardhshëm të NATO-s, më 2021.

Vetëm një stacion?

             Në historinë e zhvillimit njerëzor ka të dhëna që epidemitë apo pandemitë kanë vrarë miliona njerëz shumë shekuj para kohës sonë të globalizimit. 10 000 vjetë para erës së re, tregtarët egjiptianë përhapën linë në Indi. Në shekullin e 14-të apo edhe në shekullin e 16-të nuk kishte as autobusë, as tren, as aeroplanë, as kroçera dhe Murtaja e Zezë u përhap nga Azia Lindore në Europë dhe vrau rreth 75 – 200 milionë njerëz. Në mars të 1520, një njeri i vetëm i infektuar nga lia zbriti në Meksikë dhe u bë shkak të vdisnin një e treta e popullsisë e Amerikës Qëndrore. Gripi (spanjoll) i vitit 1918 infektoi rreth 500 milionë njerëz dhe rreth 10 milionë (disa thonë deri në 100 milionë) humbën jetën në më pak se një vit.

Në kushtet e sotme, një virus mund të përshkrojë perimetrin e tokës në më pak se 24 orë. Sidoqoftë, sot, përhapja dhe efekti i epidemive është zvogëluar aq sa nuk mund të krahasohet me të kaluarën dhe arsyeja kryesore është informacioni. Njerëzimi e ka fituar luftën kundër epidemive se në betejën ndërmjet virusëve (pathogjenëve) dhe mjekëve, virusët varen nga mutacioni i verbër (transformimi), ndërsa mjekët mbështeten në analizën shkencore të informacionit.

Pandemia, pavarësisht se ku lind, rrezikon gjithë njerëzimin, prandaj çdo njeri, në çdo kontinent, duhet të mbrohet. Kjo e vërtetë e thjeshtë kërkon një nivel të lartë besimi dhe bashkëpunimi. Në kohë krize, lufta kryesore bëhet ndërmjet nesh. Në qoftë se kjo pandemi do të na lerë të ndarë dhe me mosbesim ndaj njëri-tjetrit, do të ishte fitorja më e madhe e virusit. Kur njerëzit grinden, virusi dyfishohet, por, në qoftë se epidemia do të përballet me një bashkëpunim më të ngushtë, do të jetë një fitore jo vetëm kundër koronavirusit, por kundër të gjithë pathogjenëve të mundshëm.

Për të luftuar një epidemi, duhet të besojmë ekspertët shkencorë, qytetarët duhet të besojnë atutoritetet dhe shtetet duhet të besojnë njëri-tjetrin. Siç po shikojmë çdo ditë, humbja e besimit ka gjithmonë pasoja, por kjo situatë krijon mundësi për të rikthyer apo për të forcuar besimin tek ata që kanë marrë përsipër apo që ne kemi zgjedhur të na drejtojnë, sigurisht, edhe tek organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se do të jenë në gjendje të marrin masa dhe të dërgojnë shpejt ndihmë, pajisje dhe personel shëndetësor për të ndihmuar ata, që janë goditur më shumë, siç po bën NATO dhe BE, kjo do të provojë dobinë e idealit për të cilin janë zgjedhur apo janë themeluar më shumë se sa fjalimet. Kësisoj, kemi nevojë për liderë, që mund të frymëzojnë, të organizojnë dhe të financojnë për një përgjigje të koordinuar. Në të kundërtën, pandemia do të kthehet në një kambane “paralajmëruese”.

Pandemia po na mëson se vendi ynë apo një vend tjetër do të jetë i sigurt vetëm nëse edhe vendet e tjera do të jenë të sigurte. Mirëpo, kohët e fundit, shumë udhëheqës kanë deklaruar se e ardhmja nuk i përket integrimit, e ardhmja u takon shteteve sovrane, kurse, studiues të ndryshëm argumentojnë se kjo teori ka qene viktima e parë e coronavirusit.

Integrimi është vendim kolektiv i qindra milionë qytetarëve dhe do të ishte ideale që kriza të mund të rriste angazhimin për të riforcuar integrimin dhe rendin ndërkombëtar, pak a shumë siç ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore që demokracitë perëndimore patën paqe, begati dhe demokraci për gjatë 75 vjetëve. A do të ndodhë kështu? Apo do të jetë vetëm një stacion në rrugëtim? Le të shpresojmë më të mirën.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura