Një vit nga “Shqipëria buzëqesh”! Në pranverë është parashikuar vaksinimi i gjithë popullsisë

Jan 12, 2022 | 8:08
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Ndërsa një vit më parë, vaksinimi konsiderohej “arma” e vetme për të mposhtur koronavirusin, një vit më vonë, besimi ndaj dozave anti-COVID është zbehur ndjeshëm.

vaksinimi ne shqiperi

Interesi ndaj vaksinës ka ardhur në rënie, ndërsa duket se as urdhrat për aplikimin e saj me detyrim nuk kanë bërë punë. Por, çfarë e minoi besimin e qytetarëve?

VAKSINIMI NË NJË VIT

Në 11 janar u shënua 1 vit nga nisja e fushatës së vaksinimit, të pagëzuar nga qeveria me sloganin “Shqipëria buzëqesh”. Dërgesa e parë me 195 flakonë ose rreth 1 mijë doza “Pfizer” edhe sot e kësaj dite mbeti mister, por mbërritja e tyre bëri jo pak bujë. Shqipëria dhe Serbia ishin vendet e para në rajon që nisën injektimin e dozave anti-COVID. Sasia e kufizuar e vaksinave bëri që në fazën e parë, të vaksinohen ata të cilët ishin në vijën e zjarrit, mjekët dhe infermierët për të vijuar me të moshuarit si edhe kategoritë e tjera që po ashtu konsideroheshin të rriskuara. Në mesin e mjekëve dhe infermierëve të vaksinuar ditën e parë, ishte edhe Kryeministri Rama. Kreu i Qeverisë nuk priti gjatë, me argumentin se kjo ishte provë për skeptikët se vaksinat ishin të sigurta dhe efektive. Megjithatë, vështirë të thuhej se ishte në këto nivele që është aktualisht shkalla e mosbesimit. Përgjatë muajve të verës, me heqjen e kufizimeve nisi të bjerë edhe numri i dozave të aplikuara. Shifrat ditore të vaksinave u përgjysmuan, nga 15 mijë në rreth 8 mijë. Për të nxitur qytetarët që të vaksinohen, në muajin gusht u hoq çdo kufizim, duke i dhënë mundësinë çdo personi mbi 18 vjeç që të imunizohet. Por pavarësisht kësaj, panorama mbeti thuajse e njëjtë. Me rritjen e shifrave të infeksionit, por edhe për t’i paraprirë nisjes së vitit akademik, për studentët, mësuesit dhe pedagogët vaksinimi u bë i detyrueshëm. Shfaqja e varianteve të reja shtoi dyshimet mbi efektivitetin e vaksinave. Qytetarët u gjenden përballë një fakti të ri, edhe pse të vaksinuar mund të infektoheshin. Kjo i bëri edhe më hezitues.

LARG OBJEKTIVIT

Qeveria kishte parashikuar që deri në qershor të këtij viti të përmbyllej procesi i vaksinimit për të gjithë popullatën. Por me shifrat aktuale dhe ritmet e muajve të fundit ky objektiv duket i vështirë për t;u përmbushur. “Objektivi përfundimtar që brenda pranverës të ardhshme ne të kemi vaksinuar gjithë popullsinë e vaksinueshme, sepse bebet dhe fëmijët e vegjël nuk vaksinohen për këtë pandemi dhe kësisoj të përmbyllim këtë luftë, as më shumë e as më pak, por në të njëjtën kohë me shumicën e vendeve të BEsë”, tha Rama gjatë një konference për shtyp. Deri më tani janë më pak se 1.2 milionë qytetarë të vaksinuar. Të dhënat tregojnë se përgjatë muajit të fundit janë kryer rreth 72 mijë doza të para, çka do të thotë se mesatarisht janë kryer rreth 2500 doza vaksine në harkun e një dite. Ndërsa ishim ndër vendet e para në rajon që nisëm procesin e vaksinimit, një vit më pas jemi në fund të listës së bashku me Bosnje-Hercegovinën.

Rekord rastesh të reja, në 24 orë 2177 persona të infektuar

Për herë të parë që prej fillimit të pandemisë në vendin tonë janë regjistruar mbi 2 mijën raste të reja pozitive me koronavirus. “Janë kryer 8136 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 2177 qytetarë. Ndërkohë, janë 15,318 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin”, kanë bërë me dije autoritetet shëndetësore. Të martën, kanë shënuar rritje edhe fatalitetet. Kështu në harkun e 24 orëve, kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje 6 persona të grupmoshave nga 54-80 vjeç. “Aktualisht, në spitalet COVID po marrin trajtim 116 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka gjashtë humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Durrësi 54 vjeç, një qytetare nga Elbasani 65 vjeçe, dy qytetarë nga Tirana të moshave 77-80 vjeç, një qytetare nga Vlora 80 vjeçe, një qytetare nga Kavaja, 80 vjeçe”, tuhet më tej në njoftimin zyrtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura