Një përmendore në Londër dhe lufta në Palestinë

Jan 11, 2024 | 8:28
SHPËRNDAJE

NGA MËHILL TANUSHI Mehill Tanushi

Hyrjen e banesës ku jetoj në pjesën lindore të Londrës e ndajnë vetëm pesë hapa prej “Poplar Park”. Ai është një park i vogël, rreth 2 kilometra katrorë, i gjelbëruar me lule e pemë të mëdha dhe i sistemuar bukur. Rreth e përqark ka një pistë të asfaltuar, ku mund të shëtisësh apo të vraposh, kurse më në mes janë ndërtuar dy fusha tenisi ngjitur njëra me tjetrën, një fushë basketbolli dhe një kënd shumë i bukur lojërash për fëmijë.

Ato janë fiks përballë dritares sime dhe unë sa herë ndjej nevojën për t’u çlodhur, apo për të larguar ndonjë stres të çastit, dal dhe rri bukur gjatë mbështetur te parmakët e dritares, duke shijuar përmes zërave gazmorë të fëmijëve që lozin, herë lojërat e basketbollit e herë ato të tenisit. Këto fusha kanë përherë gjallëri. Vijnë e lozin që nga djem e vajza të reja e deri edhe të moshës sime.

Dritarja ime i kundron nga sipër si një llozhë teatri. Kaq pranë i kam, saqë them me vete se po të zgjas dorën do ta kap në ajër topin e verdhë të tenisit. Shpesh më ngjanë vetja me arbitrin e lojës që mban pikët, i hipur në karrigen sipër rrjetës. Gjithsesi, e quaj fat që ky park është pjesë e të përditshmes sime. Por jo gjithmonë prania e këtij parku më jep vetëm kënaqësi. Ndonjëherë më krijon një lloji trishtimi. Ky përjetim i trishtë, më vjen prej një përmendoreje që është ngritur në qendër të këtij parku. Ajo përjetëson një ngjarje tragjike që ka ndodhur këtu e 106 vjet e gjysmë më parë, pikërisht më 13 qershor 1917.

NJË ENGJËLL NË ZI

Londra është e mbushur me parqe dhe “Poplar Park” aq i vogël sa është, as nuk do të njihej e as nuk do të përmendej shumë nëse nuk do të mbartte një histori shumë të dhimbshme dhe tronditëse. Në përkujtim të kësaj ndodhie, këtu është ngritur një përmendore prej mermeri dhe graniti. Ajo ka formën simbolike të një engjëlli që mban zi me krahë të hapur. Në trupin e përmendores janë gdhendur emrat e 18 fëmijëve të vrarë nga bombardimet gjatë Luftës së Parë Botërore. Ishte e mërkurë, ajo ditë fatale e 13 qershorit të vitit 1917 kur avionët gjermanë filluan të bombardojnë Londrën.

Nxënësit e shkollës fillore “Upper North Street” ishin duke zhvilluar normalisht mësimin në klasën e tyre kur dy predha 50 kilogramëshe u lëshuan mbi çatinë e ndërtesës së shkollës. Ato përshkuan katin e dytë dhe të parë dhe u eksploduan në njërën prej klasave përdhese, ku mësonin 64 fëmijë të klasës së parë. Nga shpërthimi i tmerrshëm humbën menjëherë jetën 18 fëmijë dhe u plagosën rëndë 37 të tjerë. 16 prej tyre ishin engjëj të moshës 4-6 vjeç, ndërsa 2 fëmijë më të rritur të moshës 10 dhe 12 vjeç u vranë nga kalimi i bombës përmes kateve të mësipërme. Ceremonia e varrimit të fëmijëve u bë 7 ditë më vonë, më 20 qershor 1917.

Identifikimi i trupave të copëtuar të vogëlushëve ishte i pamundur. Vetëm tre prej tyre u njohën prej prindërve dhe u vendosen në varre të veçanta, kurse për 15 të tjerët u bë një varr i madh masiv. Ajo ditë është quajtur “dita fatale” dhe në përvjetorë të kësaj ngjarjeje organizohen ceremoni dhe vendosen kurora me lule. Me rastin e 100-vjetorit të bombardimit të kësaj shkolle, më 2017, vetëm 5 vjet para se të ndërronte jetë, në moshën 91- vjeçare, këtu erdhi vetë Mbretëresha Elizabeta e II e shoqëruar nga Princi Filip.

PËRMENDORJA DHE KËNDI I LOJËRAVE

Dua apo s’dua, sapo dal prej shtëpie, çdo ditë përballem me këtë përmendore që u kushtohet atyre fëmijëveengjëj, që vdiqën pa u rritur. Përjetimin e trishtë e ndjej më të rëndë sa herë vijnë të më vizitojnë dy mbesat dhe dy nipat e mi. Gjëja e parë që më kërkojnë është t’i shoqëroj te këndi i lojërave, i cili nuk është as 10 metra nga përmendorja.

Për fat të mirë ky kënd është rinovuar dhe zgjeruar kohët e fundit dhe ka shumë lloj lojërash dhe fëmijëve u pëlqen të qëndrojnë gjatë aty. Ata sapo hyjnë këtu, përhumben menjëherë në gëzimin e tyre dhe s’duan t’ia dinë as për përmendoren që është më tutje dhe as për ndjenjat e trishta që më kaplojnë mua tek ulem dhe qëndroj duke i mbikëqyrur në një stol. Sigurisht ata janë të vegjël dhe s’kuptojnë nga këto gjëra, por janë fiks të moshës së atyre që kanë emrat te mermeri i përmendores, ndaj kjo më gërric dhe më lodh mendimet.

I them vetes edhe këtë: Sikur të mos kishte ndodhur ajo tragjedi 106 vjet e gjysmë më parë, ndoshta, së bashku me nipat dhe mbesat e mija, sot tek këto lojëra do të ishin edhe stërnipërit dhe stërmbesat e atyre fëmijëve që humbën jetën atëherë. Por nuk ndodh i njëjti indiferentizëm edhe me mbesën time Sonel, që është pak më e rritur se tre të tjerët. Ajo tani është 10 vjeç, por që kur ishte 7, ngaqë është prej natyre kureshtare, një ditë më “bombardoi” me shumë pyetje. Po kjo këtu ç’është gjyshi? I thashë se është përmendore.

Po përse? Po ja, i thashë, para 100 vitesh, një aeroplan ka hedhur një bombë dhe ka vrarë në një klasë mësimi 18 fëmijë. Po përse i kanë vrarë këta fëmijë o gjyshi? Po ja, i thashë, luftë, politikë shtetesh… Këtu ngeca, s’dija të përgjigjesha. Ç’farë t’i thosha mbesës? Si t’ia shpjegoja se përse vriten fëmijë?! E pashë se u vrenjtë pak nga moskuptimi, pastaj më pyeti për formën e engjëllit të gdhendur në përmendore. Pse është ai engjëlli aty? I thashë se ai engjëll po mban zi për këta fëmijë dhe po lutet për shpirtrat e tyre.

Ai është engjëlli mbrojtës i gjithë fëmijëve, i thashë dhe u përpoqa ta tërheq drejtë këndit të lojërave për të mos e ngarkuar më shumë psikologjinë e saj prej fëmije. Prej asaj dite, ajo ndalon shpesh te kjo përmendore, shikon engjëllin, lexon emrat dhe moshën e fëmijëve të gdhendur në mermer dhe unë gjithnjë përpiqem ta shkëpus sa më shpejt prej andej.

MEMORIALI DHE LUFTA NË GAZA

Ka tre muaj që imazhi i përmendores së parkut jashtë është zhvendosur në ekranin e televizionit brenda në shtëpi. Lajmet sjellin pamje të tmerrshme nga konflikti i armatosur Izrael-Palestinë. Një kronikë thoshte se në çdo 15 minuta vritet një fëmijë nga bombardimet e Izraelit në Gaza. Ndërsa një tjetër lajm sillte pamjet e prindërve që u shkruanin fëmijëve emrat në krah dhe në gjoks, që në rastin më të keq të mund të bëhej identifikimi i tyre. Shifrat që u dhanë në prag të Vitit të Ri ishin vërtetë tronditëse: Nga 30 mijë të vrarë në Gaza, 27 mijë e 600, ose mbi 90 për qind e tyre ishin civilë. E prej këtyre civilëve rreth 5 mijë ishin gra e 12 mijë ishin fëmijë, që përbëjnë 60 për qind të të vrarëve në konflikt. Ku po vete bota kështu?

Edhe luftërat kanë pasur dhe duhet të kenë një kod moral dhe ligjet e tyre. Civilët në përgjithësi, por sidomos gratë e fëmijët nuk preken. Çfarë t’i them mbesës sime, Sonel, për gjithë këta fëmijë që po vriten nëpër botë?

Mirë se tragjedinë e një shekulli më parë që përjetëson kjo përmendore këtu në “Poplar Park” në Londër po përpiqem t’ia shpjegoj si një aksident ajror, po për mijëra e mijëra fëmijë palestinezë ç’ti them? Sigurisht nuk gjej as fjalë, as shpjegim, as arsye. Edhe sikur më vonë të përkujtohen apo të përjetësohen ata fëmijë të vrarë atje me nga një përmendore, siç ka ndodhur 100 vjet më parë këtu në Londër, nuk del ai rrip toke atje për gjithë ato përmendore.

Po. Një gjë mund të thuhet. Mund ta them unë, mund ta thoni ju, mund ta thotë gjithsecili: Ju lutem mos vrisni fëmijë! Idealja do të ishte të mos bëheshin luftëra fare, por nëse bëhen, ju lutem zbatoni ligjet e saj. Mos vrisni civilë, mos vrisni gra, mos vrisni fëmijë. Fëmijët janë engjëj, janë pafajësia e kësaj bote. Ju lutem mos vrisni fëmijë! Please don’t kill children!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura