“Një natë ëndrre”, Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa rikthehen në skenë

Oct 25, 2019 | 11:26
SHPËRNDAJE

“Pres me padurim t’u pëshpëritim yjeve me zërin e shpirtit, pa pasur frikë se u trembim dritën”.

-640-0-5bbc86c3c2dae

Aktori Kristian Koroveshi zgjedh këto fjalë zemre për të gëzuar dashamirësit e kulturës, me lajmin e rikthimit të Luiza Xhuvanit e Ndriçim Xhepës në skenë. Më 7 nëntor, ora 19:00, dy ikonat e teatrit e të kinematografisë do të mbërthejnë vëmendjen e publikut me “Mbrëmë i pëshpërita një ylli”. Lirika e dashurisë së Rumit, që mishëron njeriun si qenie humane dhe si një vepër e natyrës, vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Tre aktorët e skenës shqiptare premtojnë emocione të papërsëritshme në këtë natë të teatrit të poemës dramatike. Do të jetë kjo një mbrëmje për dashurinë, ku s’do të mungojë dialogu poetik për jetën, si një rrëfim i shpirtit. Ndër bashkëpunimet më të bujshme të Xhuvanit dhe Xhepës, publiku kujton “Flutura në kabinën time” (1988) me regji të Vladimir Priftit.

ndricim-xhepa-1

Përpos kësaj, Xhepa ka qenë përherë pranë çiftit Xhuvani, jo vetëm si koleg, por edhe mik i ngushtë i tyre. Kjo do të jetë shfaqja e parë skenike e Luizës, pas ndarjes së parakohshme nga jeta të regjisorit dhe bashkëshortit të saj, Gjergj Xhuvani.

KOROVESHI: NDIEJ LUMTURI DHE FRIKË

Kristian Koroveshi, i përzgjedhur si “Aktori i ri më i mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, i emocionuar që ngjit në skenë dy emra suksesi dhe të dashur për publikun, shpreh mirënjohjen e tij përmes një statusi në rrjetet sociale:

Luiza-Xhuvani_1

“‘Ti nuk je krijuar nga dheu ose uji/ Ti nuk je nga ajo botë që rrotullohet me anë të këtij uji e dheu/Forma është ujë i rrjedhshëm/ Shpirti është uji i pavdekshëm’… Pas afro një vit e gjysmë punë e përpjekje, jam i lumtur të ndaj me ju një moment të rëndësishëm në jetën time profesionale, por edhe atë njerëzore. Pavarësisht gëzimit e padurimit për ta thënë lajmin e mirë më herët, disi supersticioz, gjatë kësaj kohe i kam përsëritur vetes: Mos trego para se të ndodhë. Por tashmë mezi po pres që t’u pëshpëritim yjeve me zërin e shpirtit, pa pasur frikë se u trembim dritën.

‘Ti je vepra e fshehtësive të Perëndisë’, pëshpërit Rumi… e unë këtë mund t’ia them vetëm Luizës, për të cilën fjala ‘përulje’ është e pakët. ‘Ti je deti i pafund me gurë të çmueshëm’, thotë përsëri Rumi… e këtë frazë unë duhet t’ia them Ndriçim Xhepës. Sot mbart me vete ndjesinë e lumturisë e atë të frikës. Lumturinë se do shohim bashkë dy prej njerëzve, që kanë bërë e vijojnë të bëjnë histori në artin skenik, në një kohë kur gjithçka është e përzier dhe mezi shquhet fuqia e vlerave të vërteta. Ndërsa frika vjen prej emocionit, e besimit që ata patën në mua, se mos ndoshta ndodh zgjimi prej ëndrrës që e kam ushqyer që prej fëmijërisë, duke i parë ata të dy si personazhe sublime. “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” do të shënojë një natë ëndrre, një dialog për dashurinë, atë të vërtetën, mistiken. Një natë për fuqinë e kësaj ndjenje që lëviz botën, përmes një vepre shkruar 11 shekuj më parë e që tingëllon po aq aktuale edhe sot. E gjitha kjo ndoshta mund të duket iluzion, e paprekshme, por ne do ta prekim bashkë me aktorët Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa”, shkruan Koroveshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura