Një e treta e vdekjeve nga grimcat e padukshme

May 4, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Foto A.Korpa_Per Print (4)PROF. ASOC. DR. ARJAN KORPA*

Në nivel global, në vitin 2010 u regjistruan 3 milionë e 200 mijë vdekje nga ndotja e mjedisit, krahasuar me 800 mijë në vitin 2000. Kjo shifër ka shkaktuar shok në qarqet e shkencëtarëve dhe specialistëve të shëndetit publik. Automjetet janë ndër burimet kryesore të kësaj ndotjeje.

Ndotja e ajrit prej automjeteve ndahet në ndotje parësore dhe dytësore. Ndotja parësore emetohet direkt në atmosferë, ndërsa ndotja dytësore rezulton prej reaksioneve kimike midis ndotësve që gjenden në atmosferë. Ndotësit kryesorë që emetohen prej automjeteve janë këta: Oksidet e azotit (NOx). Këta ndotës shkaktojnë irritim të mushkërive dhe dobësojnë mbrojtjen e organizmit kundër infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.

Oksidet e azotit (NOx) kontribuojnë në formimin e aerosoleve inorganike dhe organike dytësore me anë të kondensimit të komponentëve gjysmë-volatilë të emetimeve të motorit. Për më tepër, ato marrin pjesë në formimin e ozonit të shtresës sipërfaqësore dhe të grimcave të ngurta. Monoksidi i karbonit (CO).

Ky gaz pa ngjyrë dhe helmues përftohet prej djegies së karburanteve fosile (p.sh. gazoili). Kur CO hyn në organizëm me anë të frymëmarrjes, ai bllokon oksigjenin që shkon në tru, zemër dhe organet e tjera jetësore. Dioksidi i squfurit (SO2 ). Fabrikat e çimentos dhe motorët e automjeteve e përftojnë këtë ndotës gjatë djegies së karburanteve që përmbajnë squfur, veçanërisht nga gazoili.

Dioksidi i squfurit përbën rrezikun më të madh për shëndetin e astmatikëve. Ozoni (O3 ). Mund të jetë surprizuese fakti që ozoni i shtresës sipërfaqësore (afër sipërfaqes së tokës) është burim ndotjeje, ndryshe nga shtresa natyrore e ozonit që mbështjell tokën dhe ndihmon në rregullimin e temperaturës me anë të efektit të njohur si ekranizim ndaj rrezeve të dëmshme të diellit. Ozoni i shtresës sipërfaqësore përftohet kur oksidet e azotit vijnë në kontakt me komponime organike volatile.

Nga reaksioni kimik që vijon përftohet ozon i shtresës sipërfaqësore, i cili mund të shkaktojë probleme të shumta të shëndetit si astma, bronkiti etj. Ndotësit e rrezikshëm toksikë të ajrit. Këto substanca shkaktojnë lindje me defekte, kancer dhe sëmundje të tjera tepër serioze. Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit (USEPA) vlerëson që substancat toksike të emetuara prej automjeteve (benzeni, acetaldehidi dhe butadieni 1, 3) janë përgjegjës për gjysmën e rasteve të sëmundjeve me kancer për shkak të ndotjes së ajrit.

grafiku opinion

Grimcat e ngurta (PM). Këto grimca janë bloza dhe metalet që i japin smogut ngjyrën e tij të errët. Grimcat e imta – më të vogla se një e dhjeta e diametrit të fijes së flokut të njeriut përbëjnë edhe kërcënimin më serioz për shëndetin e njeriut, për shkak se ato mund të depërtojnë thellë në mushkri. Grimcat e ngurta janë ndotës parësorë, ndërsa hidrokarburet, oksidet e azotit dhe ato të squfurit janë ndotës dytësorë.

Emetimet e djegies së gazoilit (naftës) janë kontribuuesit kryesorë të ndotjes prej grimcave të ngurta (PM). Ndoshta asnjë ndotës tjetër nuk është kaq kompleks sa grimcat e ngurta. Këto grimca kanë madhësi dhe forma të ndryshme dhe mund të ndërtohen prej qindra substancash kimike të ndryshme. Ndotësit në formën e grimcave të ngurta përfaqësojnë një përzierje të lëndës së ngurtë dhe pikave të lëngëta që gjenden në ajër.

Disa pika si pluhuri, balta, bloza ose tymi kanë madhësi dhe ngjyrë të dukshme dhe mund të dallohen me sy. Të tjerat janë kaq të vogla, saqë mund të dallohen vetëm me anë të mikroskopit elektronik. Disa substanca kimike mund të emetohen direkt prej një burimi të vetëm, ndërsa të tjerat përftohen në atmosferë prej reaksionesh kimike të komplikuara.

Ndotja prej grimcave të ngurta varion prej sezonit të vitit dhe prej vendndodhjes gjeografike dhe varet prej shumë faktorëve të motit, si temperatura, lagështia dhe era. Në përgjithësi, ndotja nga grimcat e ngurta konsiston në një përzierje të pjesëzave më të mëdha të quajtura “grimca të trasha” dhe pjesëzash më të vogla të quajtura “grimca të imta”.

Grimcat e trasha kanë diametër afërsisht midis 2.5 mikrometër (µm) deri në më tepër se 40 µm, ndërsa grimcat e imta të njohura gjithashtu si PM2.5, përfshijnë pjesëza me diametër më të vogël ose të barabartë me 2.5 µm. Nga pikëpamja kimike, grimcat PM2.5 përbëhen kryesisht prej karbonit organik (OC), karbonit elementar (EC), sulfateve, kaliumit (K), vanadiumit (V), nikelit (Ni), bakrit (Cu), zinkut (Zn), plumbit (Pb), arsenikut (As), kadmiumit (Cd) dhe selenit (Se), ndërsa grimcat PM10 përmbajnë kryesisht klorure, nitrate, natrium (Na), magnez (Mg), alumin (Al), hekur (Fe), kalcium (Ca), titan (Ti) dhe magnez (Mg).

Sulfatet, karboni organik dhe ai elementar përbëjnë rreth 70 – 90% të masës së grimcave. Grimcat e ngurta që shkaktojnë efekte të dukshme për syrin, si smogu përmbajnë kryesisht dioksid squfuri (SO2 ), okside azoti (NOx), monoksid karboni (CO), pluhur mineral, lëndë organike dhe karbon elementar (C) të njohur me termin karbon i zi ose blozë. Prania te grimcat e dioksidit të squfurit (SO2 ) shkakton ngjyrë të verdhë dhe pakësim të pamjes në ajër për shkak të shndërrimit të tij në sulfat në prani të lagështisë.

Studimet shkencore tregojnë lidhje të qarta midis këtyre grimcave dhe efekteve të tyre të shumta negative për shëndetin. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimet mbi Kancerin (IARC), që është një agjenci ndërqeveritare dhe pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) të Kombeve të Bashkuara i klasifikon grimcat e ngurta të pranishme në ajër kancerogjene të grupit të parë. Grupimi në këtë kategori bëhet kur ka evidencë të mjaftueshme të provuar shkencërisht për kancerogjenitet te njerëzit.

Sipas studimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) grimcat e ngurta kanë efektet negative më të mëdha se çdo lloj ndotësi tjetër te njerëzit. WHO vlerëson se 80% e vdekjeve të parakohshme nga infarkti dhe sëmundjet e zemrës, 14% të vdekjeve nga sëmundjet kronike obstruktive pulmonare ose të sëmundjeve akute pulmonare dhe 6% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive lidhet me ndotjen e ajrit urban.

Grimcat e ngurta (PM10 dhe PM2.5) janë forma që shkakton më tepër vdekje ndër ndotësit në ajrin e ndotur për shkak të aftësisë së tyre për të depërtuar thellë në mushkri dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, duke shkaktuar në rastin më ekstrem mutacione të përhershme gjenetike, arrest kardiak dhe vdekje të parakohshme. Ekspozimi ndaj niveleve të larta të përqendrimeve të grimcave të ngurta (PM) veçanërisht e PM10 dhe PM2.5 shoqërohet me sëmundje kardiovaskulare dhe pulmonare, si dhe ulje të konsiderueshme të jetëgjatësisë së pritshme.

Për shkak të madhësisë së tyre, pjesëzat e PM10 dhe PM2.5 mund të depërtojnë në pjesët më të thella të mushkërive, si dhe të hyjnë në zonat e shkëmbimit të gazeve në mushkri nëpërmjet procesit të difuzionit. Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së mjedisit (USEPA) monitoron dhe kontrollon grimcat PM10 që janë pjesëzat më të vogla ose të barabarta me 10 µm në diametër. PM10 përfshin grimcat e ngurta që mund të merren me anë të frymëmarrjes dhe që mund të penetrojnë zonat e sipërme mbrojtëse respiratore të organizmit.

Grimcat më të mëdha se 10 ìm nuk depërtojnë shumë thellë në mushkri, kështu që ato tentojnë të shkaktojnë efekte më pak të dëmshme për shëndetin. Ekspozimi i gjatë kohor ndaj PM-ve shoqërohet me probleme të tilla si reduktim i funksionit të mushkërive, bronkit kronik dhe vdekje e parakohshme. Ekspozimi për kohë të shkurtër ndaj ndotjes me këto grimca (orë dhe ditë) shkakton një sërë efektesh, si reduktim i funksionit të mushkërive, simptoma respiratore, aritmi kardiake, arrest kardiak etj.

Grupet më të prekura janë njerëzit me sëmundje të zemrës dhe mushkërive, të moshuarit dhe fëmijët. Emetimet e PM-ve në zonat urbane rezultojnë kryesisht prej trafikut rrugor, aktiviteteve shtëpiake, sektorit të energjisë, sektorit të ndërtimit, industrisë etj. Popullsia urbane është veçanërisht e ekspozuar ndaj emetimeve të trafikut për shkak se ato emetohen relativisht afër sipërfaqes së tokës dhe ngjitur me zonat e banimit.

Rrugët brenda qendrave urbane me ndërtesa në të dyja anët në distancë prej aksit rrugës më pak se 1.5 herë e gjatësisë së ndërtesave njihen me termin “kanione rrugore”. Popullsia urbane që jeton në këto kanione rrugore është e ekspozuar ndaj niveleve më të larta të emetimeve të trafikut.

Një fakt sa i frikshëm, po aq dhe alarmues, vihet re gjatë krahasimit të statistikave të numrit të përgjithshëm të automjeteve të regjistruara në Shqipëri (në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor) në periudhën 2000 -2010 me ato mbi vdekshmërinë për shkak të sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes, referuar Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) për periudhën 2000 -2010 (vetëm për këtë periudhë ekzistojnë të dhëna zyrtare).

Numri i personave të vdekur gjatë periudhës 2000 – 2010 ka ardhur në rritje pothuaj lineare dhe korrelon më së miri me numrin total të automjeteve për të njëjtën periudhë (kjo mund të shihet edhe nga ecuria gati paralele e dy grafikëve në figurë). Të dhënat e grafikut për vdekshmërinë janë marrë nga Raporti GBD (Global Burden of Desease) 2010 për Shqipërinë dhe llogaritjet janë bazuar në statistikat zyrtare të INSTAT-it mbi numrin e popullsisë në 2010.

Raporti jep një numër të përgjithshëm vdekjesh prej 22659 personash në vitin 2010 (13003 vdekje në meshkuj dhe 9656 në femra). Ndër këto, 7675 të vdekur që përbëjnë 33.8% (rreth një e treta) e numrit total të vdekjeve janë si pasojë e sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes. Për shkak të efekteve negative në shëndet të PM10 dhe PM2.5, WHO rekomandon limitet e mëposhtme të ekspozimit ndaj tyre:

pm 2

Këto vlera limite janë vështirë për t’u respektuar dhe në shumë vende (përfshirë SHBA dhe EU) vlerat limite të ekspozimit janë më të larta. Është e rëndësishme të përmenden gjithashtu grimcat më të mëdha se 10 µm. Këto grimca njihen më tepër si irrituese, sesa si rrezik serioz shëndetësor, meqenëse ato kapen pjesërisht dhe filtrohen prej hundës dhe fytit.

Termi i përdorur për grimcat më të mëdha se 10 ?m është grimca në pezulli (SP). Direktiva Europiane për cilësinë e ajrit (EC, 2008) përmban ndër të tjera edhe vlerat limit për PM10, masat e reja për reduktimin e ekspozimit ndaj PM2.5 me fokus sfondin urban. Vlerat limite të specifikuara në Direktivën Europiane 2008/50/EC për disa nga ndotësit që gjenden në ajër janë si më poshtë:

dio

Ndotja e ajrit është një nga problemet kryesore mjedisore në qytetet e mëdha shqiptare, sidomos në Tiranë. Ndotja ka ardhur kryesisht si pasojë e shtimit të konsiderueshëm të numrit të automjeteve (nga shkarkimet e automjeteve të vjetra me motor diesel), shtimit të aktiviteteve ekonomike (kryesisht ato të ndërtimit), aktiviteteve të fabrikave të çimentos, mungesës së infrastrukturës rrugore dhe pakë- simit të gjelbërimit urban. Përqendrimi i grimcave PM10 dhe i NO2 në Tiranë i kalon standardet kombëtare dhe ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në 2011, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka monitoruar cilësinë e ajrit në 7 qytete kryesore të vendit. Raporti i monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2011 është realizuar në 4 stacione të Tiranës, 2 stacione të Elbasanit, si dhe nga 1 stacion për qytetet Durrës, Fier, Korçë, Shkodër, Vlorë. Në raport, ndër të tjera, shkruhet se “përmbajtja e grimcave totale (LNP) dhe atyre të respirueshme (PM10) në atmosferën urbane të qyteteve të monitoruara vazhdon të jetë pa ndryshime sinjikative nga vitet e mëparshme, mbi normat e lejuara të vendit dhe vendeve të BE-së.

Për ndotësit e gaztë NO2 rezulton se përmbajtja e tij në ajrin urban për vitin 2011 në dy nga stacionet e monitoruara (Alba1 dhe Alba2) janë më të larta se standardi i BE-së. Në 5 qytete të vendit vërehen tejkalime të normës së ozonit (O3). Në Tiranë vlerat mesatare mujore të PM10 janë pranë vlerës limit të lejuar dhe vlerat ditore të PM10 kalojnë vlerën limit në rreth 50% dhe 30% të ditëve, respektivisht në verë dhe në dimër.

Vlerat mesatare mujore të PM2.5 në verë tejkalohen 15%, ndërsa në dimër në 75%. Në stacionin e Korçës vlerat mesatare mujore të PM10 gjatë verës dhe vjeshtës janë pranë vlerës limit të lejuar, ndërsa gjatë dimrit vlera mesatare mujore është shumë më e lartë se limiti. Vlerat ditore të PM10 e kalojnë vlerën limit në një masë të madhe të ditëve (56 – 76%)”.

Mosadresimi me urgjencë i kërcënimit prej ajrit të ndotur jo vetëm që rrezikon jetët tona, por do të ndikojë edhe ato të gjeneratave të ardhshme. Hapi i parë për këtë është të kuptuarit e seriozitetit të çështjes dhe shtimi i monitorimit të përqendrimit të PM-ve, por ajo që është më e rëndësishmja nga të gjitha është marrja e masave të menjëhershme dhe konkrete për uljen e përqendrimit të PMve në ajër.

Ndryshimet, sado të vogla në dukje, mund të bëjnë një diferencë tepër domethënëse në reduktimin e efekteve të ndotjes ndaj së cilës jemi të ekspozuar vazhdimisht. Është në dorë të ligjvënësve që të mund të fillohet të përmirësohet cilësia e ajrit dhe që secili prej nesh të marrë frymë lirisht. Për këtë, sektori i sigurisë rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Standardeve dhe Monitorimit në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për herë të parë mundësoi aplikimin e përshkallëzuar (gradual) të vlerave limite për gazet e emetuara nga automjetet sipas Direktivës Europiane 2009/40/BE.

Sipas të dhënave zyrtare (nga SGS Automotive Albania) për periudhën korrik-dhjetor 2015 kanë rezultuar 17852 mjete që nuk e kanë kaluar testin e gazeve (vlera emetimi më të mëdha se vlerat limite). Vlen të theksohet se ky numër automjetesh “ngelës” rezulton në kushtet kur vlerat limite të Direktivës Europiane janë aplikuar me gjysmën e tolerancës, në kushtet e aplikimit pa tolerancë që do të fillojë prej korrikut 2016, numri ngelës i automjeteve mund të jetë edhe më i lartë.

Duke e konsideruar këtë shifër dhe të dhënat e vitit 2010, nëse këto automjete do të hiqeshin nga qarkullimi (ose do të rifuteshin në qarkullim pas mënjanimit të problemeve të emetimit mbi vlerat limit) nga llogaritjet do të rezultonte një numër prej 324 vdekjesh më pak.

Sigurisht që kjo shifër nuk pasqyron në asnjë mënyrë të besueshme vdekshmërinë brenda një viti të vetëm për shkak të automjeteve, pasi efektet negative në shëndet janë kumulative dhe shtrihen në hapësirë kohore. Megjithatë, shifra mund të lexohet për të përftuar një ide se deri në ç’masë mund të ndikojë në vdekshmëri ndotja prej automjeteve në rast se nuk ndërhyhet në trendin e shtimit të numrit të automjeteve dhe të emetimeve të tyre.

Sigurisht, efektet e aplikimit të vlerave limit të emetimit të gazeve do të ndihen në vitet që do të vijnë nëpërmjet pakësimit të numrit të vdekjeve si pasojë e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes. Se sa do të përputhet kjo ulje në realitet me vlerën teorike të ekstraktuar prej statistikave mbetet për t’u parë, pasi kjo varet edhe prej faktorëve të tjerë.

Për më tepër nevojiten edhe masa të tjera për ta bërë të prekshëm pakësimin e ndotjes së ajrit. Ndër këto masa mund të numërohen kontrolli dhe limitimi i emetimeve të sektorit të industrisë (veçanërisht emetimet e fabrikave të çimentos), sektorit të ndërtimit dhe shtimi sa më shumë të jetë e mundur i vegjetacionit, veçanërisht atij urban.

Ndërsa nuk është plotësisht e mundur eliminimi i përdorimit të automjeteve, mund të fillohet të përdoren tipat hibride që bazohen në kombinimin e energjisë elektrike me atë të hidrokarbureve dhe përdorimi në rritje i transportit publik. Gjithashtu, aplikimi i standardeve gjithmonë më strikte të emetimit të gazeve do ta përmirësonte situatën në mënyrë të konsiderueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura