Një dashuri në kohën e internimeve japoneze

Jul 8, 2011 | 10:41
SHPËRNDAJE

“Jam gjysmë kinez, por nuk kam shkruar kurrë histori për tema aziatike. Mendoja se ishin tema shumë personale dhe njerëzve mund t’u dukeshin pak interesante. Por, kur babai im u nda nga jeta, fillova të eksploroja disa nga këto tema dhe të studioja periudhën historike në të cilën isha rritur. Besoj se e bëra këtë për të gjetur përgjigje për pyetjet që nuk mund t’i bëja më”, kështu do të shprehej shkrimtari amerikan Jamie Ford. Në lidhje me librin e tij “Hoteli i kujtimeve rinore”, i cili do të kishte një sukses të jashtëzakonshëm, fillimisht në Amerikë, ku është ribotuar mbi 10 herë e më pas edhe në vendet e tjera, ku është përkthyer. Tanimë, ky libër vjen edhe në shqip, duke synuar tregun veror. Libri vjen nga shtëpia botuese OMSCA-1 nën përkthimin e Oriana Tamburit. Për botuesin Luan Pengili, ky është një nga librat më të rëndësishëm të botuar së fundi nga kjo shtëpi botuese. “Hoteli i kujtimeve rinore” tregon për një histori dashurie të pamundur në vitet ’40 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një djalë kinez që dashurohet me një japoneze flokëgjatë e sybajame. Mes tyre një urdhër i qeverisë amerikane për internimin e japonezëve. Një fakt për të cilin nuk flitet shumë.  “Besoj se ka pasur një lloj autocensure, diçka si harresë, por pa dashakeqësi. Gjatë luftës shumë gazeta nuk kishin leje për të shkruar për kampet e internimit. Dhe ky qëndrim u përkeqësua edhe më tepër nga komuniteti nipoamerikan për shumë kohë pas luftës. Internimi u përjetua si diçka e turpshme dhe e sikletshme. Të ishe i lidhur, ndonëse amerikan, me ata që kishin sulmuar Shtetet e Bashkuara, ishte një temë për të cilën shumë familje nuk donin të flisnin. Brezi vijues nuk dinte gjë, sepse në librat e historisë nuk ishte shkruar fare. Heshtja vazhdoi deri në vitin 1980, kur filloi të luftohej (e të fitohej) për dëmshpërblimet e luftës. Në atë kohë, kjo temë nuk ishte më tabu për familjet japoneze. U njoh botërisht që bëhej fjalë për diçka të gabuar”, shprehet Ford në një nga intervistat e tij mbi librin.

Titulli: “Hoteli i kujtimeve rinore”
Autori: Jamie Ford
Përkthyese: Oriana Tamburi
Redaktor: Loredan Bubani
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 392
Çmimi: 1000 lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura