Nishani, KQZ: Zgjedhjet, të shqiptarëve, jo të politikës

Oct 31, 2012 | 13:04
SHPËRNDAJE

TIRANE- “Orientim vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, pavarësisht situatave që mund të krijohen gjatë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor”. Kete porosi u ka dhene presidenti i Republikës, Bujar Nishani,  anëtarëve te Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjate nje takimi te mbajtur ne Presidence.

Nishani nënvizoi se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë “domain” i asnjë force politike.

Ai solli në vëmendje edhe ftesën për t’u kosultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme.

Presidenti i Republikës i informoi anëtarët e KQZ-së edhe për Kodin e ri të Etikës, i propozuar nga OSBE-ja, për sjelljen e partive politike gjatë fushatës së ardhshme elektorale dhe procesit zgjedhor.

Presidenti Nishani u kërkoi anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të punojnë për ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit.

Në emër të KQZ-së, Kryetarja Lefteri Lleshi e falenderoi Presidentin Nishani për mbështetjen e ofruar ndaj institucionit, dhe e siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura