Nishani dekreton rektorët e rinj: Profesorati u përball me trysninë e krimit

May 27, 2016 | 18:29
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi rektorët e rinj të universiteteve në të gjithë vendin. Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i shtetit tha se profesorati i universiteteve gjatë këtyre viteve i ka rezistuar kapjes nga politika dhe ka arritur të ruajë autonominë.

Nishani_1-1Duke iu referuar kërcënimit që iu bë rektorit Mynyr Koni për tu tërhequr nga gara, presidenti tha se zgjedhjet e fundit të organizmave drejtues treguan mes të tjerash se profesorati triumfon edhe në raste të caktuara të trysnisë nga krimi.

“E drejta e arsimit dhe autonomia e institucioneve të arsimit të lartë është një nga të drejtat që kanë gjetur mbrojtje nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Procesi i zgjedhjes suaj tregoi se vota e lirë është vendimtare në një demokraci.
Reforma në kuadër të arsimit të lartë ka në qendër universitetin dhe studentët. Kjo reformë është e mbështetur dhe mbetet esenciale për të gjithë shoqërinë tonë. Autonomia universitare është thelbi i vetëqeverisjes, e nevojshme për vendimmarrje efektive.

Reforma përpiqet të forcojë autonominë universitare. Universitetet kërkojnë cilësi dhe cilësinë e ofrojnë elitat.”- deklaroi presidenti Nishani.

Në përfundim të fjalës së tij përshëndetëse, kreu i shtetit u uroi suksese dhe punë të mbarë rektorëve të rinj.

Rektorët fitues në zgjedhjet e fundit universitare janë:
Mynyr Koni (Universiteti i Tiranës),
Arben Gjata (Universiteti i Mjekësisë),
Andrea Maliqari (Universiteti Politeknik),
Bahri Musabelliu (Universiteti Bujqësor),
Kastriot Çaushi (Universiteti i Arteve),
Agron Cuka (Universiteti i Sporteve),
Kseanela Sotirofski (Universiteti i Durrësit),
Roland Ziso (Universiteti i Vlorës),
Skënder Topi (Universiteti i Elbasanit),
Adem Bekteshi (Universiteti i Shkodrës),
Bektash Mema (Universiteti i Gjirokastrës)
Ali Jashari (Universiteti i Korçës).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura