Nishani dekoron Klintonin me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”

Nov 2, 2012 | 9:57
SHPËRNDAJE

Pas zbritjes në Aeroportin i Rinasit në orën 10:40, sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, u drejtua për në Pallatin e Brigadave, ku u prit nga Presidenti Bujar Nishani. Kreu i shtetit e dekoroi sekretaren me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, titull të cilin disa vjet më parë e ka marrë edhe ish-presidenti Bill Klinton. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten një partner i fuqishëm, një mik i Shqipërisë dhe për popullin e saj, teksa vijoni në të ardhmen të pavarur, të lirë, demokratike dhe me besim duke ndërtuar Shqipërinë, që do të jetë një model i mirë dhe shembull për brezat që do të vijnë. Jam krenare që ju jam mike dhe do të mbetem e tillë”, u shpreh sekretarja Klinton pas marrjes së “Urdhrit të Flamurit Kombëtar”. Gjatë takimit, Presidenti Nishani vlerësoi si tregues të partneritetit të ngushtë mes dy vendeve mbështetjen që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. “Presidenti i Republikës, në emër të popullit shqiptar, i shprehu sekretares amerikane të Shtetit ndjenjën e solidaritetit me popullin amerikan për fatkeqësinë natyrore që goditi ditët e fundit bregun lindor të Shteteve të Bashkuara dhe viktimat që shkaktoi stuhia e fuqishme Sandy”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Sekretarja Klinton vlerësoi progresin e arritur në Shqipëri duke kërkuar që klasa politike shqiptare të vijojë bashkëpunimin dhe dialogun për përmbushjen e reformave për integrimin e vendit dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, sekretarja amerikane e Shtetit kërkoi nga Presidenti Nishani që të shfrytëzojë autoritetin e tij kushtetues për të mbështetur përshpejtimin e procesit të reformave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura