Nis projekti pilot, si bëhet mësimi me tabletë

Jan 9, 2016 | 8:47
SHPËRNDAJE

Falë teknologjisë, tashmë prindërit mund të ndjekin ecurinë e fëmijëve të tyre në shkollë. Kjo bëhet e mundur me anë të një aplikacioni që mundësohet në klasat dixhitale, projekti pilot i shtrirë në 60 gjimnaze në vend.

Të parët që e kanë këtë mundësi nga dje janë prindërit e nxënësve të “Sami Frashërit”. Nga ambientet e kësaj shkolle, teksa ndiqte një orë testimi me tabletë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, u shpreh e vendosur që këtë nismë ta shtrijë në të gjitha shkollat.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dje te “Sami Frashëri"
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dje te “Sami Frashëri”

“Rezultatet e nxënësve në klasat inteligjente do të jenë model suksesi. Ne jemi të vendosur që këtë metodologji ta bëjmë efikase jo vetëm në të gjitha lëndët, por ta shtrijmë në të gjitha gjimnazet”. Hapi i radhës për të mundësuar zbatimin e plotë të projektit është amza dixhitale dhe regjistri elektronik, të cilat do të mundësojnë informimin e notave apo mungesave, si dhe përpunimin e të dhënave për çdo klasë. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për mësuesit në analizimin e notave të një provimi apo të të gjithë vitit shkollor.

KLASA DIXHITALE

Mësimi me tablet në të ashtuquajturat klasa inteligjente ka nisur zbatimin e tij në këtë fillimvit shkollor, në shtator të 2015-s. Mbi 45 mijë nxënës të 120 klasave të nënta dixhitale zhvillojnë mësim me tableta në pesë lëndë: Kimi, Biologji, Gjuhë e huaj, Letërsi e Matematikë. Në klasën dixhitale nuk ka as shkumës e as fletore. Një projektor interaktiv, tabletë për nxënësit dhe një laptop për mësuesin zënë vendin e tyre.

tablete1Përmes programit të menaxhimit të klasës, mësuesja shpërndan pyetje, dokumente a video që, teksa u dërgohen nxënësve, reflektohen edhe në projektor. Këta të fundit i nisin direkt përgjigjen mësueses, pa pasur nevojë të ngrihen në tabelë. Kështu, në një orë mësimi pyeten pa përjashtim të gjithë, e madje në të njëjtën kohë duke i nxitur nxënësit të mësojnë sistematikisht.

Nëse për një moment ka një dyndje përgjigjesh dhe mësuesi kërkon vëmendje, me një buton “Hesht” ngrin tabletët dhe nxënësit nuk mund të bëjnë asgjë me to, duke e kthyer të gjithë vëmendjen nga mësuesi. Mësimi dixhital mundëson një databazë elektronike të të dhënave të të gjithë nxënësve.

Po ashtu, me vetëm një klik “implemento dokumentin” mësuesi shpërndan në kohë reale testet, duke bërë që korrigjimi i tyre të bëhet menjëherë nga sistemi. Të dhënat dalin për pak minuta për t’u ruajtur më pas në një rubrikë të posaçme, e cila i përpunon. Në pak minuta, mësuesi arrin të kapë boshllëqet më të mëdha të nxënësve për t’i rikuperuar gjatë orëve në vijim.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura