Nis operacioni për kasat fiskale, Rama: Kush nuk merr kupon tatimor të mos paguajë

Aug 20, 2015 | 17:16
SHPËRNDAJE

Qeveria nis operacionin për të luftuar bizneset informale në vend. Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në një takim në zyrën e tij drejtuesit e doganave dhe tatimeve në të gjithë vendin ku i ka kërkuar atyre angazhim maksimal për të luftuar këtë fenomen.

Rama me doganieret dhe tatimoret
Rama me doganieret dhe tatimoret

“Ka ardhur koka për sprovën e doganierëve dhe tatimorëve për çeljen e një beteje në çdo cep ku zhvillohet aktivitet tregtar për të marrë në mbrojtje konsumatorin. Ne jemi sot për të dhënë drejtpërdrejtë mesazhin e qeverisë: jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj beteje të re, që nuk është një aksion i radhës, por një operacion pa ndalim deri në vendosjen e plotë të rendit ligjor. Kjo do të thotë në radhë të parë se secili prej jush të jetë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi të informalitetit dhe jo pjesë e problemit. Ky është një paralajmërim i hapur për të gjithë ju dhe punonjësit tuaj. Dihet prej 25 vitesh që informaliteti nuk është thjesht produkt i paligjshëm i atyre që merren me biznes, por edhe i administratës doganore dhe tatimore që kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë”, tha kryeministri.

Rama i kërkoi drejtuesve të doganave dhe tatimeve të bëjnë kujdes që punonjësit e tyre të bëjnë kujdes në sjelljen me bizneset.

rama sot me doganieret
“Kjo nuk është betejë kundër biznesit, por për ti mbrojtur ata dhe konsumatorët shqiptarë. Fjalia juaj e parë e çdo dite të punës suaj duhet të jetë: respekt dhe mirësjellje në derën e çdo biznesi. Falënderim për çdo biznes të rregullt dhe masë për çdo biznes që shkel ligjin. ne do ti kërkojmë biznesit të denoncojë çdo sjellje të padenjë të punonjësve të doganave dhe tatimeve. Do ti vëmë në dispozicion atyre që të denoncojnë me foto apo video çdo sjellje të padenjë të punonjësve dhe për çdo rast do japin llogarinë e duhur punonjësit”, tha më tej Rama.

Kreu i ekzekutivit tha se në masat që do të miratojë Parlamenti në shtator do të parashikohet dënim i tatimorëve që nuk raportojnë bizneset informale që kanë nën kontroll.

“Në kuadër të masave të reja ligjore do të jepet propozimi për të rënduar ndeshëm dënimin për punonjësit tatimorë që fshehin aktivitetet tregtare të pandershme. Fitorja e kësaj beteje është e barabartë me ulje taksash, rritje rrogash dhe mundësi shumë e madhe për investime publike. Një nga masat e marra do të jetë një tabelë në çdo biznes ku të thuhet se konsumatorët kanë të drejtë të mos paguajnë nëse nuk marrin asnjë kupon”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Në fund të fjalës së tij Rama premtoi se lufta kundër informalitetit do të nisë nga bizneset e mëdha dhe do të vijojë deri te dyqanet e lagjeve. “Ky operacion nuk ka në fokusin e tij më të vegjlit, por më të mëdhenjtë. Nafta, cigarja, mallrat e vlerës dhe tregëtia me shumicë do të jenë në qendër të përpjekjes sonë frontale. Por pa dyshim zinxhiri i informalitetit ka një fillim dhe një fund dhe ne do ti kontrollojmë të gjithë. Nga ana që kërcënojnë themelet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe deri te ata që ja hedhin çdo ditë konsumatorit në dyqane dhe restorante. Kujtdo që më pyet pse nuk e bëmë që në fillim këtë operacion, përgjigja është e thjeshtë: ata që nuk e bënë 23 vjet dhe e lanë shtetin copë copë na e bënë të pamundur të merremi më parë me këtë operacion madhor që kërkon një terren të përgatitur. Sot terreni është i përgatitur dhe fara e kulturës së ligjit, e respektit të ligjit dhe sjelljes në bazë të ligjit tani më është mbjellë. Ne na duhet që ta kultivojmë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura