Nihilizmi pasiv ku jemi zhytur

Nov 10, 2022 | 7:39
SHPËRNDAJE

ERVINA TOPTANIERVINA TOPTANI

E ardhmja nuk është shpresë, nuk është shërim ndaj aktualitetit e të tashmes që jetojmë. Nëse mendojmë këtë po mashtrojmë veten e më keq akoma, brezin e ri. Për të rinjtë e sotëm, përgjithësisht e ardhmja shihet edhe si një lloj kërcënimi, e në mos qoftë kështu, ajo sigurisht është e paparashikueshme dhe si e tillë nuk shihet si motivim.

Jam përballur shpesh me dilema e demotivime të gjendjes së të rinjve që thonë: e përse duhet të studioj? Përse duhet të përpiqem, kur ai që ka pasur mesatare më të ulët se e imja ka më shumë sukses e mundësi, se diplomën ia blen babai, ose ka miq të fortë që e fusin në parti e pastaj e bëjnë drejtor. Po unë që përpiqem gjithë këto vite mbi libra çfarë do të marr më shumë se një rrogë mizerje në fund të muajit?

Pikësëpari, ne duke bërë zgjedhjet që kemi bërë deri më sot kemi vrarë meritokracinë dhe këtë siç e kemi vuajtur ne do e vuajnë dhe fëmijët tanë.

E ardhmja kështu bëhet demotivim për të rinjtë dhe shpesh ata nuk kanë asnjë dëshirë të përballen me të. Të rinjtë sot jetojnë në të tashmen absolute, të frikësuar dhe të padëshiruar për të hedhur sytë dhe këmbët tek e ardhmja, e cila jo vetëm që nuk duket në sfond, por mendimi për të më shumë i sjell ankth sesa i motivon. E gjithë kjo situatë vjen sepse ne jemi zhytur thellë në epokën e nihilizmit. Faji nuk është i të rinjve, por i të rriturve që nuk kanë ditur të edukojnë, por vetëm të instruktojnë e të japin si model të njeriut të suksesshëm ata që na udhëheqin sot, ata që janë biznesmenët më të fuqishëm sot, e ata që kanë vrarë e prerë për të vënë pasuri, po nuk i kap as ligji e as shteti.

Thelbin e nihilizmit, në të cilin jemi zhytur sot e ka përcaktuar më qartë se askush tjetër Niçe, 130 vite më parë. Nihilizmi: kur mungon qëllimi, mungon përgjigjja ndaj pyetjes “përse”, të gjitha vlerat zhvlerësohen.

Që vlerat zhvlerësohen, nuk është ndonjë problem i madh, sepse ato në thelb janë koeficientë socialë që ndryshojnë vazhdimisht, që shoqëria i atribuon duke i quajtur më të mirat e mundshme për periudhën kohore kur jetohet për të zvogëluar konfliktet e për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet njëri-tjetrit në epoka të caktuara. Ato nuk janë entitete metafizike teologjike që zbresin nga qielli për shoqërinë. Historia ka shkuar përpara duke zhvlerësuar vlera të epokave të caktuara e duke nxjerrë të reja sipas nevojës së kohës në të cilën është jetuar.

Përpara Revolucionit Francez, shoqëria kishte vlerat hierarkike ndërsa pas tij atribuoi vlera të tjera si ato të vëllazërisë e barazisë, të paktën formalisht, sepse siç e dimë prej historisë, nuk ishte aspak kështu në të vërtetë, por gjithsesi edhe pse vlerat e mëparshme u zëvendësuan, historia e njerëzimit nuk mbaroi aty.

Problemi thelbësor në rastin tonë është se janë zhvlerësuar të gjitha vlerat e nuk lindin më të reja. Pikërisht në këtë humbëtirë ne kemi ngecur sot si shoqëri.

Të rinjve sot u mungon qëllimi. Shumica e tyre e dinë mirë, sikurse dhe prindërit e tyre, që rrallë dikush do të punojë në të ardhmen në fushën ku ka kryer studimet. Pjesa më e madhe e tyre shkollën e bëjnë duke shpresuar se do të jetë disi më e thjeshtë të gjejnë një vend pune duke pasur një diploma, e pikërisht prej kësaj shprese që shërben si nxitje e jo si dëshirë shpirtërore, shumica e të rinjve nuk janë të interesuar për të studiuar, por thjesht për të pasur një diplomë. E ardhmja është e mbyllur para tyre, drita jeshile në fund të tunelit është e padukshme.

Në jetë ne nuk ecim përpara se dikush apo diçka na shtyn që të provojmë, por sepse diçka na josh, na tërheq. Për të vepruar njeriu ka nevojë për një kauzë përfundimtare, për një qëllim, jo për shtytje apo nxitje, të cilat sado pozitive të jenë zgjasin vetëm për pak kohë. Nëse njeriu nuk ka qëllime përfundimtare, jeta bëhet krejt e kotë. Nëse e ardhmja nuk është më premtim, por kthehet deri në kërcënim e shpesh i paparashikueshëm është kështu sepse mungon ky dimension.

Kur të gjitha vlerat zhvlerësohen e nuk lindin më të reja, kjo është koha e varfërisë ekstreme, e cila nuk ka të bëjë në thelb me varfërinë ekonomike, por më keq akoma, me mungesën e referencës, indikacioneve, modeleve për t’u ndjekur (kur njeriu nuk di më kujt t’i referohet, modelet më të suksesshme janë ato të politikanëve hajdutë, të kriminelëve që drejtojnë operacionet e drogës me telefon nga burgu apo edhe në liri të plotë e të biznesmenëve të lidhur ngushtë me politikanët e korruptuar).

Ne kemi ndërtuar botën e parasë, pas së cilës të gjithë rendin duke e bërë atë qëllimin përfundimtar e duke u kthyer njeriu në mjet për të arritur këtë qëllim. Paraja tashmë, në shoqërinë tonë është gjeneratori simbolik i të gjitha vlerave dhe virtyteve. Ajo që nuk përkthehet në para e që nuk gjeneron para, nuk ka vlerë. Madje, edhe veprat e artit, edhe letërsia, etj. bëhen art vetëm kur quhen të suksesshme nga tregu, që e përcakton vlerën e tyre në para.

Por një shoqëri a mund të jetojë vetëm nëpërmjet një “vlere” të vetme që ajo ka shpikur që quhet para? Paraja a nuk ka kapërcyer radikalisht edhe politikën? Nëse paraja blen gjithçka, atëherë cili është kuptimi i shtetit, tek i cili ne shpresojmë? Çfarë po i servirim të rinjve nëpërmjet këtij mentaliteti kaq të mbrapshtë?

Nëse njeriu ka dëshirë me gjithë forcën e tij të dalë nga një situatë tragjike si kjo që ne po jetojmë në vendin tonë, duhet të ketë njohuri shumë precize dhe nuk është të gënjyerit e vetes që gjërat herët a vonë do të zgjidhen vetë. Asgjë nuk zgjidhet vetë nëse nuk luftojmë fort të gjithë për të dalë nga nihilizmi pasiv ku jemi zhytur.

Kemi bërë një gabim të madh si shoqëri, i kemi dhënë rëndësi shumë të madhe individit si i vetëm dhe e kemi shkëputur atë nga komuniteti, shoqëria si e tërë. Ne nuk interesohemi më për shoqërinë por vetëm për veten tonë. Ne nuk duam t’ia dimë për fatet e të tjerëve që përbëjnë atë grupim njerëzish ku dhe ne vetë përkasim. Ne kemi humbur nocionin e të qenit bashkë, e ndaj nuk jemi në gjendje të krijojmë qoftë edhe një parti politike të duhur për t’i dhënë mundësinë vetes për të pasur të paktën më shumë se një zgjedhje.

Në gjithë këto vite, ne ditëm vetëm të luftojmë për veten, për familjen e ngushtë e nuk mund të ishte ndryshe, sepse shteti ka qenë pothuajse inekzistent dhe për sa luftuam, arritëm vetëm largimin e fëmijëve tanë dhe shumicës së ekspertëve në fushat më kryesore. Kjo është ajo çka e quajmë sukses? Si do e ndërtojë një fëmijë që rritet në Shqipëri me modele të tilla identitetin e tij individual?

Duke përjashtuar individin nga shoqëria, duke e vënë atë në qendër, do të dalë gjithnjë një individ më i fortë e më i egër për të rrëzuar “nga froni” atë që ishte më parë. Shoqëria do të pësojë vetëm dekadencë duke u zhytur edhe më thellë në nihilizëm, kjo që jetojmë sot.

Aristoteli para mijëra vjetësh thoshte: nëse dikush shkon në një qytet dhe mendon se mund të bëjë pa të tjerët, o është bishë e egër, o është Zoti mbi tokë.

U kemi dhënë të rinjve modele katastrofike, të cilët ata i shohin si të suksesshëm, i kemi bindur se diplomën do ta marrin edhe pa studiuar shumë, i kemi pajisur sot me jetën në botën virtuale dhe mundohemi t’ua bëjmë edhe më të lehtë jetën duke i serdisur larg për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. I kemi bërë të gjitha gabim!

Ne e kemi më lehtë të ikim sesa të duhemi e të kuptohemi me njëri tjetrin. Ne e kemi më lehtë të ikim sesa të dëgjojmë e të mbështesim njëri-tjetrin, e kemi më lehtë të ikim sesa të bëhemi bashkë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, që askund nuk mund të jetë më e mirë e më të ngrohtë se ajo e atdheut tënd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura