NGJARJET E SË PARËS/ Vllaznia e ka autostradë, “flakë” në Grupin B

Sep 25, 2018 | 17:47
SHPËRNDAJE

Vllaznia vendos diktatin në Grupin A, ndërsa në Grupin B duket se gara e fortë do të vazhdojë deri në javën e fundit të kampionatit. Kur janë luajtur tri javë nga kampionati i tanishëm, janë krijuar projeksionet e para në lidhje me ekipet që do të synojnë ngjitjen në elitë. Vllaznia vazhdon të fitojë dhe të premten arriti suksesin e tretë radhazi në po kaq ndeshje, duke udhëhequr e vetme renditjen me nëntë pikë.

Shkodranët kishin përballë Dinamon që konsiderohet si rivali direkt i kuqebluve në luftën për vendin e parë. Blutë rezistuan vetëm në pjesën e parë dhe më pas pësuan dy gola. Kishin mundësi që të merrnin edhe një barazim, por duket se përvoja që u mungon disa lojtarëve, ka ndikuar në ekip. Dinamos i duhet diçka më shumë për të rivalizuar me Vllazninë për vendin e parë.

vllaznia- dinamo 2-0

Nga ana tjetër, kuqeblutë po bindin nga java në javë. Sfidën e radhës e zgjidhin Tafili dhe Xhunior. Braziliani është përshtatur më mirë nga sa pritej ku në tri ndeshje ka shënuar tre gola. Një sulmues potent që e njeh shumë mirë portën. Afrimi i tij në merkato po rezulton shumë i suksesshëm. Por, çështja që po i shqetëson më shumë në Shkodër janë tifozët. Mbështetja e tyre është e vakët, ndërsa në sfidën e fundit me Dinamon nuk ishim më shumë se 1000.

]

Megjithatë, të gjithë presin që tifozët të rikthehen edhe një herë në shkallët e stadiumit, duke parë ecurinë e skuadrës. Besëlidhja nuk fal në shtëpi dhe fiton sërish përballë Veleçikut. Një sfidë ku lezhjanët e menaxhojnë mirë dhe sigurojnë një 3-pikësh shumë të rëndësishëm. U desh të kalonin vetëm tri javë që në Kategorinë e Parë të plaste sherri. Sfida mes Vorës dhe Ilirisë e luajtur në Pezë është mbyllur me përplasje fizike mes lojtarëve. Është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjakrat. Për sa i përket rezultatit, ekipet ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1.

Capture

Shënkolli po fiton eksperiencë vit pas viti që po garon në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen e së shtunës në shtëpi, lezhjanët shkatërrojnë Korabin 4-0 dhe tregojnë se i kanë të gjitha mundësitë të renditen në 5-shen e parë. Erzeni vazhdon të tregohet cinik, ndërsa ndaj Burrelit fiton me rezultatin 1-0. Në Grupin B janë minimalisht gjashtë ekipe që kanë shprehur hapur synimet për ngjitjen në Superiore, duke nisur nga Apolonia, Lushnja, Bylis, Egnatia, Tomori dhe Besa.

Në këtë grup përballjet e rëndësishme dhe të forta do të jenë prezente çdo javë. Tomori-Besa ishte një spektakël më vete ku në fushë ndodh gjithçka me beratasit që humbasin dy penallti, ndërsa kavajasit nuk munden kollaj. Egnatia dhe Lushnja nuk shkojnë më shumë se një barazim i bardhë në Rrogozhinë. Edhe Apolonia dhe Bylis e mbyllin “thatë” (0-0), duke treguar se këtë sezon nuk ka favoritë dhe diferencat nuk ekzistojnë.

Orikumi është i dyti dhe fiton sërish në fushën e vet. Në ndeshjen ndaj Pogradecit, Kongjoni shënon në minutën e 4-t shtesë, duke i dhënë një fitore të “çmendur” skuadrës së tij. Për Elbasanin rikthehen edhe një herë makthet e dy viteve më parë ku skuadra ra në Kategorinë e Dytë. Pas tri javëve të para, verdheblutë e shohin veten në vendin e fundit me zero pikë dhe vetëm dy gola të shënuar.

Besar Bozgo

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura