Nga sot hapen kinematë, ja protokollet që duhet të zbatojnë. Teatrot mbeten kyçur

Oct 15, 2020 | 8:29
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ /Një ditë para se të hyjë në fuqi urdhri që detyron vendosjen e maskave edhe në ambientet e jashtme, Ministria e Shëndetësisë hap kinematë.

kinema

Urdhri që mban firmën e ministres Ogerta Manastirliu është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjë në fuqi menjëherë. Kinematë do të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe rregullat e miratuara për distancimin social dhe masat higjieno-sanitare. Ndonëse masat u liruan në këtë fillim tetori edhe për pishinat në ambientet e brendshme, neni 3, i urdhrit nr. 351 për “Marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e Covid-19” vijon “të mbajë peng” teatrot. Edhe pse kryetarja e Komitetit Teknik të Eksperteve, Mira Rakacolli, kishte premtuar se në mbledhjen e radhës do të shqyrtonte kërkesat e komunitetit të artistëve të Teatrit dhe atyre të muzikës ‘live’, vendimi nr. 4540, i 9 tetorit, nuk sjell asnjë ndryshim për ta.

KALVARI I AKTEVE NORMATIVE

Urdhri nr. 132 i 8 marsit “Për mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura” pezulloi deri në 3 prill të gjitha aktivitetet kulturore, konferencat, këshillat kombëtarë e dëgjesat publike të mbajtura në institucionet e kulturës. Me anë të kësaj urdhërese u mbyll Teatri Kombëtar; Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor; Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”; Cirku Kombëtar; Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë; Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit; Biblioteka Kombëtare; Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore; muzetë dhe parqet arkeologjike.

7 ditë më vonë, përmes një akti normativ, MSH urdhëroi edhe mbylljen e bareve, lokaleve, restoranteve dhe klubeve, dhe si pasojë edhe zhvillimin e aktiviteteve të muzikës “live” që mbahet në këto ambiente.

Në 18 maj u lejua hapja e muzeve dhe parqeve arkeologjike dhe monumenteve të kulturës, si dhe zhvillimi i aktiviteteve të shërbimit në ambientet e jashtme. Ndonëse nuk pati një urdhër konkret për rihapjen e diskove dhe klubeve të natës, “lounge bar”-eve dhe shërbimeve të tjera të kësaj natyre, disa prej tyre nisën punën. Mirëpo në 20 korrik një urdhër i ri i rimbylli, pasi “përbënin rrezik për përhapjen e virusit”.

Po ashtu, u ndalua edhe muzika pas orës 20:00 në shërbimet e çfarëdolloji. Pas 1 tetorit baret, restorantet dhe pishinat, përmes një akti të ri, u rihapën edhe në ambientet e brendshme, mirëpo urdhri për mbylljen e bizneseve si disko, klube nate, “lounge bar” etj. mbeti në fuqi bashkë me ndalimin e muzikës pas orës 20:00.

Po ashtu, ndonëse prej 29 majit janë lejuar “të gjitha aktivitetet e nomenklaturës së aktiviteteve ekonomike, duke respektuar protokollet dhe rregullat anti-Covid”, teatrot vijojnë të mos hapen. E njëjta situatë është edhe për Teatrin e Operës dhe Baletit të restauruar ende nuk është shënuar premiera. Së fundmi, trupa e TKOB-së mbajti disa aktivitete në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura