Nga shembja e tempullit te gradaçelat, klithmat e diktatorit “Profet” që i shembet bunkeri mbi kokë: “Unë jam artist!”

Oct 1, 2020 | 8:20
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Në mbrëmjen e 29 shtatorit, në një nga sallat pritëse të Presidencës, arti dhe pushteti do të vihen “përballë”, si vijim i një beteje për demokraci ende të pambyllur.

budina

Ndërsa publiku qëndron në pritje të “Profetit të kokoshkave”, monodramës satirike me autor, regjisor dhe aktor Edmond Budinën , ndihet “Himni i qëndresës për teatrin”. Për disa, ajo muzikë në sfond është e panjohur, por Adriana Tolka, Juli Emiri, vëllezërit Budina, Mehdi Malkaj e të tjerë artistë të pranishëm përtypin vargjet: “Nga zemra kallur zjarr/nga buzët këngëvrarë/o qëndrestar/forcën e ke marrë/ Në sheshin e pagjumë/për ca liri më shumë/si ti dhe unë po e lëmë një gjurmë”

Presidenti Ilir Meta akomodohet në radhët e para të “teatrit të improvizuar”. Pas tij shtohet radha e figurave politike, kryesisht të polit opozitar. Grida Duma, Albana Vokshi, Edmond Haxhinasto, ambasadori i Kosovës, Nait Hasani, presin fillimin e monodramës, që nuk ka aspak synim të “përkëdhelë” udhëheqjen politike, së paku jo atë të diktatit e dhunës. Meta nuk e kursen entuziazmin për pjesën teatrale që jepet në godinën e tij. Është e para e këtij lloji jo vetëm për të si President, por edhe ndër të rrallat ngjarje kulturore që ndodhin në atë objekt. “Shumë i lumtur që kjo shfaqje e jashtëzakonshme teatrale, e lindur si shenjë proteste kundër shkatërrimit brutal dhe kriminal të Teatrit Kombëtar, mblodhi me dhjetëra artistë, profesorë, diplomatë, politikanë e gazetarë që gjithmonë do t’i kenë dyert e hapura në këtë institucion, kështjellë të pamposhtur të lirisë, të drejtave të njeriut e demokracisë, por edhe të mbrojtjes së artit dhe trashëgimisë kulturore kombëtare”, shprehet Presidenti, ndërsa më tej citon fjalët e Budinës, duke shpallur “dakordësinë” me qëndrimin e tij.

Regjisori distancohet nga etiketimi i “Profetit” me ndonjë personazh të caktuar të politikës, ose jo, ndonëse, batutat e situatat e krijuara me në sfond lejlanë e theksuar, shkruar nga vetë ai gjatë periudhës së pandemisë, nuk janë të panjohura për shumë prej nesh.

“Profeti i Kokoshkave” është një shfaqje kundër dhunës në përgjithësi dhe dhunës së pushtetit në veçanti, e frymëzuar nga protesta disavjeçare dhe kauza mbarëkombëtare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e kthyer tashmë edhe në çështje europiane. Magjia e teatrit qëndron edhe në atë që gjithkush gjen shëmbëlltyrën e x-deliranti, pretendent – diktatori apo diktatori. Dhuna dhe prepotenca e pushtetit, pavarësisht ngjyrës, mbeten të patolerueshme, sado të përpiqesh t’i veshësh me petkun e ëndërrt të demokracisë”, shprehet Budina.

Shfaqja “Profeti i Kokoshkave” ishte ideuar nga Budina për t’u shfaqur aty ku ishte Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental, por thirrja e tij publike ndaj kryeministrit Edi Rama nuk gjeti përgjigje.

ÇFARË NDODHI NË SHFAQJE?

Në skenografinë e improvizuar, në brendësi të bunkerit prej letre higjienike, një timon me ngjyrat e ylberit mbështetur mbi podium, duket se pret të “zot”. Deri sa prej lejlasë së rrethuar me simbolet e nazizmit, mbin “Profeti”. Si veshje mburojë mban gazeta e gjithë çka nga shtypi, ndërsa fustanella shumëngjyrëshe prej letre higjienike i varet gjer në kyçe, si premtimet e pambajtura. Sigurinë ia shton strehimi antiatomik, që siç rrëfen “e a ndërtuar me paratë e emigracionit kur shiste kokoshka”, por për çdo rast nuk i kursen simbolet që e afrojnë me Allahun, “Illuminati”, a çdo forcë tjetër hyjnore a njerëzore që mund të ketë pushtet për ta mbajtur në pushtet.

Pushteti i “Profetit” është arritja e tij e madhe, deliri i tij, por edhe thembra e Akilit. Ndaj, Edmond Budina do ta shigjetojë aty duke tentuar t’i ngacmojë sekretet e errëta, ato që e çuan drejt suksesit, dobësitë, paranojat më të mëdha. Do t’i lëvizë çdo tullë të bunkerit, deri sa aty të mbetet vetëm iluzioni i njeriut të gjithëpushtetshëm dhe frika e harresës. Strehimi i tij antiatomik “që e ka ndërtuar me paratë e emigracionit kur shiste kokoshka”, do të pësojë lëkundje graduale, por beteja s’do të jetë e lehtë.

“Profeti” i Budinës nuk ka emër të përveçëm, por është shëmbëlltyra e një diktatori, një pushtetari të dhunshëm, që ka shtrirë kontrollin deri në themel të një sistemi. Çelësi i “Perandorisë” së tij, asaj të buburrecave, është heshtja. Heshtja e blerë e buburrecave në radhë të parë, sepse nga “pushteti i Profetit varet pushteti i tyre”. Ai shtyp pa mëshirë secilin prej tyre që guxon të ngrejë krye. Nëse janë grup, atëherë dhuna duhet të jetë më e fortë, e egër, e pamëshirshme, që të trembë të tjerat që mund të përhapen e që mund të rrezikojnë të mbërrijnë deri tek Ai. Të rrezikojë pushtetin? Këtë s’mund ta tolerojë, ndaj: “Bjeruni buburrecave ogurzi! Mos i lini të marrin frymë! Ju urdhëroj unë, Profeti Juaj!”. Më kot dikush të tentojë t’i etiketojë si “banda”, apo “Profetin” si bandit. Buburrecat s’duhet ta kalojnë detyrën e tyre, për t’iu bindur Atij në heshtje.

PSE ËSHTË “PROFET”?

Me kontrollin e plotë të fjalës dhe veprimeve, parashikimet e tij nuk mund të kundërshtohen, të diskutohen, aq më pak të shpallen si “të rreme”, kështu që ato mbeten profeci dhe ai Profet. Profecitë për pushtetin e tij afatgjatë, kur “ligj e maliq” i ka nën kontroll janë më të sigurta, ndaj klithmat e tij janë të vetmet që dëgjohen “U ngrita mbi buburrecat e ua hëngra kokën”. Garancinë për të shembur “Tempullin e lartë” e ka nga buburrecat, të cilët i rimburson me pushtet, ndaj edhe kjo profeci nuk bie në tokë. Madje, mbi rrënimin që shkaktoi, mund të ndërtohet një gradaçelë e lartë që të shëmbëllejë portretin e tij mu aty në “qendër të kryevathës”. Por, pavarësisht këtyre veprave, “Profeti” i gjithëpushtetshëm i frikohet harresës. Ai i druhet faktit se epoka e tij mund të rrjedhë si pjesë e kartës njëpërdorimshme, kushedi në ç’vrimë të historisë.

“UNË JAM ARTISTI”

“Profeti” i Edmond Budinës nuk është rastësor në majat e pushtetit. Nëse do kish dalë nga radhët e popullit, vëmendja e tij do ishte te ta. Në rast se do kish ndjekur parime të drejta dhe rimëkëmbëse për “Perandorinë” e tij, intelektualët do t’i kish pranë vetes. Por jo, rrugëtimi i tij drejt majës së pushtetit e ka zanafillën në njohjet e prindërve të tij, me ofiqarët e rangut të lartë të “rrup-supit”. Disa “beteja” të stisura me të mbrojturit e veteranët e “rrup-supit”, miqësia me trashëgimtarët e ofiqarëve, darkat e fshehta ku mësonte sekretet e errëta të diktatit, janë burimi i forcës së tij. E, megjithatë, pavarësisht strategjive që zënë rrënjë në të kaluarën, “Profeti” nuk fsheh sjelljet e pazakonta, mënyrën e pazakontë të veshjes, hingëllimat, gjestikulacionet jonormale. Me pushtetin dhe milionat që ka, asnjë zë nuk i bie ndesh pohimit të tij. “Të gjitha këta janë në modë e unë jam një buburrec ‘trendy’.

PROPAGANDA MBI DREJTËSINË

Ai është “Profeti”, “Kryeprofeti” që zbret nga lartësitë fluturake të pushtetit e ulet “gju më gju me popullin”. Shkëmben batuta për të qeshur dhe mu në mes të tragjedisë. Edhe në situatat më të jashtëzakonshme e gjen mënyrën e u gjendet buburrecave pranë. Ua kalon hallet, si plaku tespitë dhe flet me gjuhën e tyre që ta ndiejnë sa më të afërt. “Mirë e ke gruan? Jo, se këtu gratë komandojnë, kurse burrat gatuajnë”. Buburrecat që janë afër sërës së lartë të pushtetit falë tij, duhet ta lëvdojnë edhe në botën virtuale, ta shikojnë, ta klikojnë ta duartrokasin, aq fort dhe populli të sugjestionohet e të besojë. Me ta e ka më të lehtë edhe largimin e vëmendjes kur ka ndonjë aferë që duhet të kalojë në heshtje. Pas shashkës së hedhur prej tij vrapon gjithë turma e kush mund të gjejë në këto rrethana “këmbët e gjarpri”. “Opingat e Sheros mund të vërtetoni”, klith Profeti i kënaqur.

LINDJA DHE PERËNDIMI I NJË DIKTATORI

Për shpjegimin e sjelljes sadiste, kriminale dhe natyrës hakmarrëse e prepotente të “Profetit të kokoshkave”, Edmond Butina hulumton në traumat psikoinfantile. Ngjarja që e ka frikësuar atë, e që e bëri të urrejë deri edhe nënën e babanë, i ka rrënjët në të shkuarën. “Vajin e kandilit” të asaj urrejtjeje, që nxiti dëshirën për hakmarrje edhe ndaj prindërve, “Profeti” e mban ndezur dhe nuk e kursen ndaj çdolloj buburreci plëngprishës. E, megjithatë, si çdo diktator e dhunues që ka shtypur, shembur, dhunuar, shkelur të drejtat, edhe “Profeti i Kokoshkave” nuk do ta ketë të largët fundin e tij. Bunkeri i pushtetit prej kartash higjienike do t’i shembet mbi kokë, podiumi s’do t’i hyjë më në punë, pasi as për buburrecat s’vlen fjala e një “Profeti” drejt rrënimit. Publikun e kaplon heshtja, dy duar që ngrihen lart në fund të monodramës, vijnë si profeci për Fundin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura