Nga puna si çirak, baterist dhe me pas kampion i Motokrosit/ Rrëfimi i bashkëshortes së motoçiklistit: Si ishte jeta në krah të sportistit të njohur

Jul 21, 2021 | 21:20
SHPËRNDAJE
Nikolla Thanasi- Athina Thanasi1
Nikolla Thanasi

Për ata që nuk e dinë që kanë ekzistuar në Shqipëri garat e motokrosit, Nikolla Thanasi ka qenë kampioni i tyre.
Sado që jetëgjatësia e tyre ka qenë e shkurtër, disa vite, ruhen në arkiva fotografi e filmime të kohës. Për Nikollën, na flet e shoqja, Athinaja. Një nga vajzat më të bukura të Tiranës, që nuk mundi, si shumë të tjera, t’i rezistonte joshjes së një sportisti me famë.

Nikolla Thanasi- Athina Thanasi11-rrefimi-2012
Nikolla Thanasi dhe Athina Thanasi

Arsyet pse ekipi italian i futbollit për vite të tëra ka qenë i preferuari i femrave, kanë qenë pikërisht lojtarët simpatikë. Të paktën krahasimisht me të tjerë. Dhe në fakt, futbollistët (apo sportistët në përgjithësi) kanë qenë gjithnjë më të privilegjuar sa u takon lidhjeve me femrat. Aq sa, mund edhe të kenë abuzuar me këto privilegje, por ja që ishte fati i tyre, pse ta linin t’u ikte duarsh.

Domosdo që vajzat më të bukura të qytetit ishin në shënjestër. Nuk është se duhej ndonjë mund i madh për t’i bindur. Aq lakmueshëm sa shiheshin kampionët e sportit (ende shihen), asnjëra nuk do t’i linte t’i ikte duarsh në rast se ndonjëri i afrohej. Athina Thanasi sapo kishte ardhur në Tiranë, nga Gjirokastra, ku kishte punuar si mami për katër vite, për të vijuar studimet në mjekësi. E kishte kryer misionin kur u njoh me Nikollën, madje kishte nisur edhe të punonte në spitalin dizanterik të Lagjes N. 6. Deri këtu, nuk ka asgjë mes jetës së të dyve që t’i bashkojë bashkë.

Të paktën jo profesionalisht. Por, Athinaja, siç është krejtësisht e dukshme edhe nga fotot e shumta që ruhen prej asaj kohe, ishte një nga vajzat më të bukura të qytetit. Askujt nuk mund t’i shpëtonte kjo gjë. Por nëse të tjerë edhe mund të kishin tentuar më parë pa pasur rezultat, Nikolla kishte avantazhet e të qenët asokohe një nga sportistët më të njohur. Kishte qenë për tre vite me radhë kampion në garën e motokrosit në Shqipëri. Sot duket gati një legjendë, sepse shumica e njerëzve, të paktën ata të një moshe mesatare, as që e dinë se ka ekzistuar në Shqipëri një garë e tillë. Fotografitë, por edhe filmimet e ruajtura në arkiva, tregojnë jo vetëm të kundërtën, por edhe pasionin e nivelin e garave që ishte i njëjtë me ato që zhvilloheshin në rang ndërkombëtar. Ndonëse jetëgjatësia e këtij sporti nuk e pat të gjatë.

Nikolla Thanasi- Athina Thanasi11

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik do të linte të gjithë pjesëmarrësit, aktivë në këtë sport, në rrugë të madhe. Për një farë kohe do të “sajoheshin” në fazat stërvitore si trajnerë në garat çiklistike, derisa të hiqeshin edhe prej këtej. Masat që merrte regjimi, prekën Nikollaq Thanasin, ashtu siç prekën edhe kolegë të tij, duke i privuar kështu njëherë e mirë nga pasioni i tyre, motori.
Por si lindën këto pasione në Shqipërinë e varfër? Ç’i lidhi këta kampionë me motorët dhe si mundën t’i kthejnë në një sport të mirëfilltë të nivelit kombëtar?

“Nikolla kishte ardhur në Tiranë qysh në vitin 1942, ishte fare fëmijë, 10 vjeç. Të ardhur nga Himara, babai, bashkë me të ëmën e Thanasit, nuk ngurronin të bënin punë të ndryshme si çirak nëpër pronarë. Me po këtë frymë, po kaq punëtor, u rrit edhe Nikolla, që nisi të punonte si baterist te një pronar italian, për t’i thelluar më pas dijet edhe duke studiuar në shkollën industriale me rezultate të larta. U bë kështu një nga montatorët dhe novatorët më të njohur të kohës”.

Nga rrëfimet e Athinasë, që asokohe nuk e kishte njohur ende të dashurin e saj, kështu nisi marrëdhënia e tij me motorët. Por jo vetëm e tija. Tek e fundit, në Shqipëri nuk kishte as mjete që t’i njihje e jo më t’i përvetësoje. Por nën ndikimin e italianëve u bë e mundur edhe kjo gjë. Vite më vonë, rreth ’55- s, bateristët e përkushtuar nisën të kishin mjetet e tyre, që siç thuhet, ata që ishin larg kësaj fushe, ëndërronin qoftë edhe t’i preknin.

“Po të shihni shtypin e asaj kohe, sidomos atë të periudhës 1957-1961, gjen plot shkrime, njoftime, reportazhe, kronika që kanë protagonist babain. Në garat e shkurtra sportive që janë zhvilluar në Tiranë, Durrës e vende të tjera, ai dilte gati përherë kampion. Gati te gjitha korrespodencat shoqëroheshin me fotot e tij dhe të ekipit që përfaqësoi, Tiranës. Këto kronika përfundonin me të njëjtat vlerësime: “Gara mbaroi, vendin e parë e fitoi motoçiklisti Nikolla Thanasi i Tiranës, me orën 48’01’”.

Nikolla Thanasi- Athina Thanasi111

Enea Thanasi, tani që i ati nuk është më, i ka mbledhur e i ruan gjithë dashuri të gjitha këto fotografi e gazeta të kohës. E janë aq të shumta, saqë mjaftojnë për të realizuar librin, të cilin Enea ka dëshirë t’i kushtojë të atit. Të paktën tani nuk ka gjë t’i pengojë e munden të shijojnë në liri famën e babait. Edhe ai vetë e rishikoi. Pas viteve ’90 mundi të ketë sërish motorin e tij, për të shëtitur anembanë Shqipërisë të gjithë familjen.

“Më kujtohet një herë, ka shkuar e ka ardhur me motor në Gjirokastër, 2 herë brenda një dite bashkë me mua mbrapa”, tregon Enea.

Pas periudhës së Çlirimit, Nikolla bashkë me djemtë patën secili motorin e tij. Deri sa, me largimin nga jeta të të atit, e me një mijë e një drejtimet që u mori jeta, motorët mbeten vetëm një kujtim i bukur në foto, trashëguar nga kampioni i motoçiklizmit, Nikolla Thanasi.

Historia e Motokrosit në Shqipëri

Gjithë ngjarjet e shënuara në arenën ndërkombëtare lidhur me motokrosin (gara e parë është zhvilluar në Angli më
1924-n. Më pas, në gjysmën e dytë të viteve 1930, kur ishin shfaqur shenjat e para të përgatitjeve për Luftën e Dytë Botërore, kompanitë e prodhimit të motorëve i përshtatën produktet e tyre, pikërisht për këtë destinacion), ndikojnë ndjeshëm edhe në vendin tonë.

Mbas viteve 1950, në Shqipëri filloi sigurimi i bazës materiale të motokrosit e më pas përgatitja e motoçiklistëve. Në vitin 1954 u zhvillua kampionati i parë kombëtar i motokrosit. Duhet theksuar se edhe mjaft shtete të tjera të Europës, në këtë drejtim, ishin në të njëjtin stad me vendin tonë. Ndërsa në Shqipëri, ku ishte krijuar një traditë mjaft e pasur në sportin e motokrosit, atij do t’i mbylleshin dyert përgjithmonë, ndërsa në shtete shumë të zhvilluara, po bëheshin përpjekje për të aplikuar për herë të parë këtë sport. Gara e fundit është zhvilluar në vitin 1961./Suplementi i Gazetës Panorama: Une Gruaja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura