Nga “Mirela” e “Kur xhirohej një film”, te “Fillimi i vështirë”, gjurmët e kineastes, e cila u nda nga jeta

| 11:58
SHPËRNDAJE
 

ANILA DEDAJ/ Dikush duhet t’u tregojë të vegjëlve se kur në Tiranën kryeqytet politika çirrej për pushtet e njerëzia për politikë në vitet e para ’90-ës, çifti dijedashës Shpresa dhe Vasil Vreto me çantë mbi shpinë trokisnin derë më derë e shpërndanin gazetat e tyre për fëmijë, si burmimin e vërtetë të demokracisë.

Shpresa-Vreto-752x440

Ajo skenariste e shkrimtare për fëmijë e ai publicist e atdhetar i pashoq, prej ditës së djeshme rrugëtimin qiejve të parajsës e bëjnë së bashku.

Të afërmit lajmëruan 28 shtatorin e mjegullt, ndarjen nga jeta të Shpresës, pas betejës dyvjeçare me një sëmundje të rëndë, që ia shtonte plagët shpirtit të saj të sprovuar me kapriçot e jetës. Shpresa Vreto do të kujtohet si një “pasiononte” e madhe e letërsisë për fëmijë, që iu dedikua përhapjes së kulturës së librit te të vegjlit, jo vetëm përmes librave dhe skenarëve për filma, por edhe nismave bibliotekare, që as sot institucionet s’kanë mundur t’i imitojnë.

Së bashku me Vasilin, bashkudhëtarin e saj në jetë e profesion, Shpresa ndërtoi Bibliotekën e Përrallave për Fëmijë pranë Pallatit të Kulturës (ku ka qenë asokohe Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë).

Një bibliotekë që e mbajti hapur me mund e sakrificë për plot 12 vjet, e që më pas, pavarësisht premtimeve të qeveritarëve, u la në harresë, sikundër “zana” e librit për fëmijë. Në atë strehëz të ngrohtë për vogëlushët, çifti Vreto kishte krijuar jo vetëm një habitat të pasur rrëfenjash e dijesh, por edhe një ambient argëtues. Vreto gjatë kohës që drejtonte Bibliotekën përmes bashkëpunimeve me fondacione të huaja u kujdes që me librin për fëmijë të pasuroheshin edhe bibliotekat e shkollave.

VRETO NË KINEMANË SHQIPTARE

Pasioni që Vreto kishte për librin e fëmijët bëri që të lërë dëshmitë e punës dhe talentit të saj edhe në Kinostudio. Ajo realizoi disa skenarë për filma artistikë dhe të animuar. Pas njërit nga filmat vizatimorë më të dashur për fëmijë, si “Mirela”, fshihet autorësia e saj. Po ashtu, Vreto në vitin 1981, së bashku me Xhanfize Kekon, kanë realizuar skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”.

Pas pesë vjetësh vjen e vetme si autore në realizimin e filmit “Fillim i vështirë”. Me Petrit Rukën ka bashkëpunuar në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990. Disa nga librat që ka shkruar Vreto janë: “Shokë shkolle”, “Vit i paharruar” etj. Pas viteve 1990 ka ideuar “Sirenën e vogël” dhe “Botën ime”. Bedri Islami: Ike më shpejt se sa mendonim!

Publicisti Bedri Islami, mik i çiftit Vreto, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e shkrimtares, duke u ndalur edhe te pasioni që ajo kishte për vogëlushët dhe lidhjen e fortë me bashkëshortin. “Ndahet nga jeta një grua dhe shkrimtare e mrekullueshme.

E pasionuar pas fëmijëve, bashkëshorte e Vasil Vretos, nga fisi i Vretove të famshëm, mikut tim të paharruar, me një shpirt të pashoq dhe të pasur, e shtruar në bisedë dhe zonjë e vërtetë. Kanë qenë të lumtura bisedat e pafundme në shtëpinë tuaj, që vazhduan në dekada, në atë dhomë të vogël, ku gjithë pasion flisje për filmat e ardhshëm, ëndërroje të ardhmen e dy fëmijëve tuaj, doje si nënën tënde, ndoshta edhe më shumë, zonjën bujare të Vretove, që shtronte aq bujarisht sofrën… Ike më shpejt se sa mendonim. Si duket, ikja e Vasilit të lodhi dhe kërkove diçka tjetër. Pushofsh në paqe, Shpresa Vreto! Shkove pranë mikut tim të shtrenjtë, Vasilit!”, shkruan Islami.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.