Nga “Meshari” te “Doktrina” e Budit, studiuesja Evalda Paci: Të dhënat mbi autorët, veprat dhe rrethanat jetësore. Vëzhgimet historiografike janë…

Sep 4, 2020 | 16:53
SHPËRNDAJE

evalda meshari i gjon buzukutANILA DEDAJ/ “Ndë vjetët 1554 njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët 1555, ndë kallënduor 5 ditë”. Me Librin e Orëve dhe Librin e Meshës, si pjesë e veprës së parë të shkruar në shqip, prifti katolik Don Gjon Buzuku do ta dokumentonte në këtë formë “Mesharin” e tij.

Shënon kështu afro 5 shekuj më parë, librin e parë në gjuhën tonë, duke u mbështetur në dialektin e Shqipërisë Veriore. Mirëpo, zanafilla e letërsisë shqiptare është më e hershme (“Historia e Skënderbeut”, 1508), sikundër edhe dokumentet e para të shqipes me Formulën e Pagëzimit (1462), Fjalori i Arnold fon Harfit (1947) apo Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (shek. XV-XVI). Rreth zhvillimit të “Historisë së letërsisë shqiptare, si tekst dhe kontekst i shkrimit dhe leximit”, Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” mbajti dje një tryezë shkencore. Studiues të kualifikuar dhe rishtarë të fushës së letërsisë diskutuan dje nën kujdesin e Behar Gjokës një sërë temash, si “Historia e letërsisë shqipe dhe historia letrare – autorë”, “Modalitete semiotike të performancës së tragjedisë ‘Diomedi’ i Haxhiademit”, “Për një histori të llojit letrar: rasti i tregimit” etj. Për Letërsinë e Vjetër në gjuhën tonë referoi studiuesja Evalda Paci, e cila vuri në dukje faktin se interesi për veprat e hershme në shqip ka ardhur në rritje. Si zbulim të vonshëm të këtyre botimeve, ajo sjell në vëmendje gjetjen e ekzemplarit të ri të “Doktrinës kristiane” (1618) të Pjetër Budit në një bibliotekë të Romës nga Blerina Suta, afro 4 vite më parë. Mirëpo, ndonëse zelli i studiuesve për punë kërkimore nuk mungon, duket se ajo çka e vështirëson “ndriçimin” e historisë së letërsisë shqipe që në lindje apo pasurimin e mundshëm të saj me dokumente të panjohura, mbetet mungesa e iniciativave institucionale dhe financimi i tyre. Të lidhura ngushtë më katolicizmin dhe të mbështetura kryesisht nga Vatikani, për botimet e vjetra në shqip, në dokumentet arkivore vendëse dhe ato të huaja mbetet ende për t’u thënë. Studiuesja Evalda Paci, sa i përket temës “Letërsia e Vjetër, nën dritën e vëzhgimeve historiografike. Kontribute dhe qasje studimore”, për “Panoramën” ndalet në disa pika kyçe.

Zonja Paci, cilat janë botimet më përfaqësuese të Letërsisë së Vjetër dhe a mund të na thoni diçka më tepër për mënyrën se si ato u shkruan?

Tashmë njihen botimet që e përfaqësojnë Letërsinë e Vjetër Shqipe: janë vepra madhore që dallojnë për nga përmbajtja, por përafrohen nga tematika dhe paracaktimi i përdorimit në një kontekst të përcaktuar për kohën kur panë dritën e botimit. Nëse flitet për vepra të plota, të paktën në kontekstin shqiptar do të duhet të fillohet prej librit të Gjon Buzukut, të përfunduar për botim në vitin 1555, gjithnjë sipas indicieve që ofron vetë autori në pasthënien e veprës.

Ka qenë e vështirë që këto materiale të ruheshin deri në ditët e sotme dhe a janë ruajtur ato brenda apo jashtë vendit?

Kësombllat e këtyre veprave ruhen dhe në bibliotekat shqiptare e këtu veçoj para së gjithash Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, që ka realizuar herë pas here dhe ekspozime të ekzemplarëve të tyre, fakt mjaft interesant që ndihmon në njohjen nga afër të botimeve të shekujve që lidhen me letërsinë e vjetër shqipe, gjithashtu dhe të ribotimeve të mundshme. Me përjashtim të “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) që ruhet prej kohësh në Vatikan, ekzemplarë të botimeve të veprave të kësaj letërsie gjinden si në këtë bibliotekë, ashtu dhe në të tjera biblioteka, përfshirë atë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, dhe bibliotekën “At Gjergj Fishta” në Shkodër.

A ka pasur botime të Letërsisë së Vjetër që janë zbuluar vitet e fundit?

Vitet e fundit janë shënuar nga një interes në rritje ndaj dokumentacionit arkivor, që shpie drejtpërdrejt në burime që lidhen me letërsinë e vjetër shqipe apo në elemente bibliografike të autorëve të veprave të tyre. Janë zbuluar dhe faqe të panjohura nga një variant doktrinar i hartuar prej Pjetër Budit dhe një fakt i tillë u bë me dije në një kuvend shkencor ndërkombëtar të mbajtur në Vatikan disa vite më parë, me rastin e një përvjetori të rëndësishëm të themelimit të Kongregacionit të Propagandës së Fesë. Studiuesja Blerina Suta ofroi një analizë të mirëfilltë tekstore të këtyre faqeve dhe më tej realizoi dhe një botim të posaçëm me të tjera shpjegime dhe analiza të domosdoshme filologjike.

Sa u përket vëzhgimeve historiografike, a kanë sjellë ato risi? Sipas këndvështrimit tuaj, çfarë mund të bëhet më shumë nëpër hulumtime më të thelluara lidhur me botimet e para të letërsisë sonë?

Kur bëhet fjalë për periudha të tilla dhe për vepra që u realizuan në një kontekst specifik në shumë pikëpamje, vëzhgimet historiografike janë një domosdoshmëri dhe metodologjia e hulumtimit të dokumenteve dhe burimeve të posaçme përbën dhe një linjë interesante për t’u interpretuar në këtë rast. Ka korpuse të tëra dokumentare dhe më tej compendiume, që duke pasqyruar ndonjëherë në mënyrë të përmbledhur të dhëna apo trajtesa mbi autorët, veprat dhe rrethanat jetësore të rrugëtimit të tyre, mbeten burime me vlerë që vijojnë të jenë edhe sot referenca me rëndësi për kontekstualizimin e saktë të kësaj periudhe. Mund të gjendet në to dhe një nomenklaturë e pasur në emërtime të ndryshme, duke filluar me emrat e vendeve, emërtesat e dioqezave dhe nënndarjeve administrative të kohës, por dhe një trashëgimi e pasur në përveçime, që lidhen me regjistra të tjerë po aq të rëndësishëm.

Historia e Letërsisë, Gjoka: Të mos kemi autorë të përjashtuar

“Letërsia është atdheu i lirisë dhe pa të njeriu do të binte në grackën e një ankthi psikologjik”… Studiuesi Behar Gjoka, në këtë kohë ku pandemia ka kushtëzuar jetët tona, thotë se duhen gjetur shtigje që shqiptarët t’i kthehen normalitetit. “Duhet të sillemi si lexues, poetë, studiues, të rigjejmë komunikimin”, thotë ai. Tryezën shkencore të mbajtur dje për “Historinë e Letërsisë Shqipe” e konsideron si një përpjekje më shumë drejt ndryshimit pozitiv, si dhe thellimit në të panjohurat e veprave tona letrare. “Mendimi kritik, eseistik, historik mbetet sikundër vetë letërsia, një libër i hapur, ku çdo brez bën leximin e tij. Bën edhe mbushjen e gropave të lëna, dritëhijeve, të verifikimeve të bëra në një aks, duke harruar një tjetër”, shprehet më tej. Gjoka ngulmon në domosdoshmërinë e një historie për Letërsinë Shqipe, ku të shmangen përjashtimet. “Të mos kemi histori letërsie me autorë të përjashtuar, me kufizime ideore, por një histori që tenton të japë panoramën e plotë të zhvillimit letrar e atij gjuhësor, në kohë e hapësirë”, thotë studiuesi, duke theksuar rëndësinë e leximeve të teksteve të tilla, si të vetmen mënyrë jetësimi. Lidhur me risitë që sjellin tryeza të tilla dhe kontributin që mund të japin emrat e rinj, me mundësitë e limituara për hulumtime, Gjoka shprehet: “Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare ‘Pjetër Budi’ ka qenë e hapur për mendimin e ri, qofshin doktorantë apo studentë aspirantë. Unë kam parë risi në punimet e tyre, përmend këtu ‘Abstraktet’ të Fikret Ramadanit apo studimin e Ledio Halës për mungesën e Qiriazve në historinë e letërsisë sonë. Vë re shfaqjen e një mendimi më të çliruar nga verifikimet detyruese. Pra, bëhet fjalë për verifikim objektiv dhe subjektiv, çka do të thotë se janë edhe ligjëruesit në qëndrimin që mbahet ndaj një fakti të caktuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura