Nga Kukësi në Ballsh e më përtej…

Apr 9, 2018 | 13:15
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI

Frano-Kulli2

Ajo që i ndërlidh në për mendjen e theksuar të këtyre ditëve Kukësin në verilindje, rrëzë Gjalicës rreth 2500 metër të lartë dhe Ballshin në fushë e mbi kodrina të buta në Mallakastrën në jugperëndim të Shqipërisë është protesta kundër qeverisë së tyre.

Në Kukës e përreth, Zoti ka pasë krijuar begatinë mbi tokë, me pyje e kullota, me ujë të bollshëm të dy Drinave, Drinit të Bardhë e Drinit të Zi, të cilët, prej rreth katër dekadash përbashkojnë liqenin që fillon këtu e mbaron në Fierzë e vë në punë hidrocentralin atje. Me klimën e fortë kontinentale, po të shëndetshme dhe me pllajën e Hasit në tjetrin krah ndërmjet Lumës e Malësisë së Gjakovës edhe nëntoka e Kukësit është flori. Plot me xeheror bakri e kromi.

Tamam aty pranë tunelit në Kalimash, ku u ndez flakë të shtunën e shkuar protesta kundër qeverisë, ka pasë qenë ngritë në gjysmën e viteve ’80 fabrika e pasurimit të mineralit të kromit… Po fabrika të pasurimit të mineraleve, kryesisht bakër e krom që nxirreshin nga nëntoka e rajonit ka pasë edhe në Gjegjan e më vonë edhe në Golaj e Perollaj të Hasit. Në Rexhepaj, krejt afër Kukësit të ri, jo më shumë se 4-5 kilometër, një tjetër fabrikë shkrinte mineralin dhe e kthente në lingota metali, i cili përmbushte nevojat për lëndë të para të Uzinës së Telave të bakrit në Shkodër… Por, e gjitha kjo i takon së shkuarës. Tani gjithë sa po përmendim është fashitur në kufijtë e së paqenës. Si duket për shkak të rentabitetit të pafavorshëm ekonomik në radhë të parë. Ndoshta justifikimi ka qenë ky, po arsyet të tjera… Kurrsesi ajo nuk ishte e kurrë nuk është një pasuri e pavlerë, aq sa për t’u braktisur prej shtetit, administratorit të prosperitetit të vendit, në një vend të lirë e demokratik, ku politikanët e zgjedhur e duan vendin e vet. E gjithë kjo pasuri e nëntokës, ashtu si edhe pyjet sidomos e të tjera pasuri të mbitokës janë braktisur në një mënyrë shumë djallëzore e diabolike. Duke i lënë këto pasuri në duar koncesionarësh, herë turq e arabë e herë me emra e kopertura europiane e amerikane. Por që më së shumti kanë sjellë përurime bombastike e herë të tjera ngatërresa për kushtet e punës me punëmarrësit e varfër vendali. Kështu, qeveritë tona sistematikisht e kanë keqpërdorë pasurinë e këtij rajoni, sikundërse edhe të Bulqizës e të tjerë rajoneve të tilla të pasura, në këmbim të përfitimit korruptiv të qeveritarëve të radhës… Gjithherë në allishverishe me këta “tipat e koncesionarëve”…

Ndërtimi i Rrugës së Kombit, qe ndoshta i vetmi akt madhor respekti edhe për këta banorë, e cila sfidoi izolimin afatgjatë të tyre me Shqipërinë tjetër në qendër e në jug, por , më së pari, me vëllazërinë e tyre në Kosovë, që për pesëdhjetë vjet i kishte ndarë për së gjalli një “gardh”- kufi…

Por edhe Rruga e Kombit nuk e zgjidhi nyjën e fortë të paradoksit; Kukësi dhe i gjithë rajoni verilindor, ngritur mbi këto pasuri kaq të lakmueshme për cilindo vend, ka njerëzit më të varfër të Shqipërisë së…varfër. Gjë që e pohojnë edhe statistikat me gjithë hijen e dyshimit rreth së vërtetës, por pohimi i pakundërshtueshëm është emigrimi më i lartë se në secilin rajon tjetër të Shqipërisë në këto vitet e fundit, braktisja e dhimbshme e vendit, motivuar prej humbjes së shpresës se vendi i tyre mund të bëhet. Dhe kjo është kaq e trishtë… Por, edhe kjo nuk mbaron këtu. Qeveria e tyre, këto ditë tentoi t’u vinte kuksianëve, por edhe mirditorëve, hasjanëve e tropojanëve një “gardh” të ri izolimi në mjerimin e vet. Taksën e qarkullimit në këtë të vetmen rrugë për të lëvizur banorët e këtushëm. Kjo ndezi natyrshëm revoltën e tyre, pa parcelizime partish dhe si e tillë ajo ishte model civilizimi i ndodhur rrallë e hiç te ne, që e zmbrapsi qeverinë në aktin e saj të papërgjegjshëm…

Këto ditë janë ngritur në protestë të përsëritur periodikisht edhe punonjësit e Rafinerisë së naftës në Ballsh, dikur Uzina e përpunimit të thellë të naftës. Ballshi rrëzë kodrave të buta, me vreshta e ullishta, të cilat përshkohen nga Gjanica dhe Vjosa i jep krahinës së Mallakastrës aromë mesdhetare. Një rrugë më e mirë lidhëse me Bylisin, dëshmi e një qytetërimi të vjetër ilir, rreth tre shekuj më i hershëm se ngulmimet helene, qytetërim i cili ka tërhequr ndalesën e udhëtarëve të hershëm dhe albanologëve të shquar; Johann George von Hahn, Theodor Ipen, frati Lovro Mihaçeviq, po dhe shumë e shumë të tjerëve, do të ishte një atraksion i shtuar i një turizmi kulturor, për të cilin vetëm flitet e flitet…

Edhe ajo një krijesë e begatë e së shkuarës, dhënë prej Zotit, por që njeriu jo gjithnjë e “mori me të mirë”… Edhe Mallakastra “lundron” mbi pasuri nëntokësore si Kukësi, të një lloji tjetër siç janë hidrokarburet. Edhe në Ballsh, në qendrën e krahinës është një Uzinë e rafinerisë së naftës, që përgjatë këtyre viteve të fundit, më shumë ka pasë protesta se punë të paguar.

Të vendosur kësaj here brenda ambienteve të uzinës, protestojnë për pagat e pamarra ende. Dy muaj më parë, protestën e tyre e kishin zgjatur duke udhëtuar me këmbë deri në Tiranë. Tani… protesta vlon aty. Por, gjithsesi “mali që s’bëzan”, arroganca e prijësve dëmtorë, kësaj here e mori një grusht të fortë. Prej Kukësit në Ballsh e… më përtej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura