“Nga ishin Kastriotët?! Ku lindi Skënderbeu?”

Jan 17, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

halilramaNGA HALIL RAMA/ Gjon Muzaka që në shek ullin e 16-të ka lënë si testament: “Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe quhet Pal Kastrioti dhe nuk pati më shumë se dy fshatra në zotërim, të quajtura Sinë dhe Gardh i Poshtëm…” (Gardhi i Poshtëm ndodhet në Muhurr)

Dyzetetetë vjet më parë (janar 1974), çështja e origjinës krahinore të Kastriotëve u bë objekt i një studimi të veçantë të profesor Kristo Frashërit, i cili për herë të parë trajton shkencërisht edhe çështjen e vendit ku lindi Skënderbeu. Në artikullin e tij me titull “Nga ishin Kastriotët? Ku lindi Skënderbeu?”, ai shtroi për diskutim dhe ballafaqim të gjitha burimet arkivore dhe letrare, të cilave u shtoi edhe të dhënat toponimike që mblodhi në terren.

Nga analiza e këtyre të dhënave, profesor Frashëri del në përfundimin se, me emrin Has, kronika raguziane e Lukarit dhe koleksioni boshnjak i Fermexhinit, nuk kanë pasur parasysh krahinën e sotme të Kukësit, pasi kjo krahinë, deri në fund të shek. XVI quhej Pashtrik. Ata, sipas Profesor Frashërit, kanë pasur parasysh një nga krahinat e rrethit të Dibrës, qendra e së cilës është Çidhna, e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466, në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut.

Tetë vjet më vonë, historianët e mirënjohur, prof. Stafanaq Pollo e prof. Kristo Frashëri, pasi vizituan muzeun e Kastriotëve në Sinë të Dibrës lanë këtë shënim në fletoren e përshtypjeve të vizitorëve të këtij muzeu: “Sinë, 12 shtator 1982. Vizituam muzeun e vogël të fshatit Sinë, vendi i origjinës së Kastriotëve dhe Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Përshëndesim nismën e banorëve të Sinës dhe atyre që e përkrahën ngritjen e këtij Muzeu. Urojmë që ai (muzeu) të pasurohet sa më shumë e më shpejt dhe të kthehet në një objekt historik të vizitueshëm për edukimin e brezit të ri.

Urojmë që së shpejti në Sinë të ngrihet muzeu kombëtar kushtuar familjes së Kastriotëve e bijve e bijave që nxori kjo derë e shkëlqyer, veçanërisht heroin e pavdekshëm, Skënderbeun”. Kristo Frashëri, Hysen Lala, Stefanaq Pollo, Hazis Ndreu – Firmat (libri “Origjina dibrane e Skënderbeut”, faqe 218- botimet M&B). Pikërisht kjo referencë nga historianët e mirënjohur, prof. Stafanaq Pollo e prof. Kristo Frashëri e bën më të besueshëm librin “Origjina dibrane e Skënderbeut” (Historia e ngritjes së Muzeut të Kastriotëve në Sinë) të autorit Besnik Selman Kebej, që është një studim vërtet shkencor. Kjo fletore që ruhet me fanatizëm nga arkitekti i këtij muzeu, Besnik S. Kebej, ish-drejtor i shkollës 8-vjeçare Sinë, përbën bazën e këtij studimi që botohet në kuadrin e 554-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Tridhjetepesë vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës (18 shtator 2020), një vizitë impresionuese këtu në vend origjinën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e kreut të shtetit shqiptar, Ilir Meta, do të shërbente për ripërtëritjen e traditës së kësaj zone. Një ditë historike kjo, pasi referuar pikërisht veprës madhore të prof. Kristo Frashërit, “Historia e Dibrës”, që qëndron hijerëndë përkrah busteve të Gjon, Pal e Gjergj Kastriotit në hyrje të Muzeut, Presidenti Meta, ashtu si edhe elita historike e kombit (prof. Paskal Milo, prof. Bernard Zoto, prof. Adem Bunguri etj.) që vizituan këtë muze para tre vitesh, do të “legjitimonte” këtë fshat si vend origjinë të Kastriotëve.

Por ai që i ka paraprirë kësaj ngjarrjeje madhore është pikërisht, mësuesi i apasionuar pas historisë Besnik S. Kebej, i cili pas një pune studimore 30 vjeçare na dhuron veprën e tij monumentale “Origjina dibrane e Skënderbeut – Historia e ngritjes së Muzeut të Kastriotëve në Sinë”, me 255 faqe, plot referenca, burime arkivore e bibliografike. Redaktori i librit, dr. Fejzulla Gjabri, ndër të tjera e vlerëson atë për një mënyrë ndryshe të trajtimit të origjinës së Kastriotëve.

Kjo, sipas tij, për faktin se Besnik S.Kebej, “duke qenë punonjës për disa kohë në Muzeun e Skënderbeut në Sinë, ka fituar përvojën e trajtesave historike, duke përfituar edhe nga debatet e shumta rreth origjinës së Kastriotëve, të parëve të Skënderbeut. Në këtë libër është puna e tij më se 30-vjeçare, duke mbledhur e sistemuar të dhëna për vendin e origjinës së Heroit”.

Bazuar në referenca të shumta nga studiues të njohur vendas e të huaj që janë marrë me këtë temë, autori i këtij libri trajton shkencërisht tema të tilla si “Kastriotët dhe Skënderbeu”, “Cilët janë dibranët”, “Kastriotët, trashëgimia dhe territoret”, “Kastriotët, etimologjia, flamuri dhe stema” etj. Ndërsa në kapitullin e 7-të, “Disa toponime që formojnë një territor unik”, ai jep të dhëna për disa fshatra sipas defterit turk, për të vijuar më pas në kapitullin e 8-të me “Pak arkeologji në trojet e Kastriotit”.

PAK HISTORI….

Muzeu i Kastriotëve në Sinë qe gati që më 28 nëntor 1979, por për arsye subjektive dhe pengesa të qëllimshme nga ndonjë autoritet vendor i rrethit Dibër, përurimi i tij u bë pas gjashtë vitesh, më 2 nëntor 1985. Gjithsesi, edhe gjatë këtyre viteve vijoi intensivisht puna për pasurimin e tij. Që në gusht 1978 kur filloi punën drejtor në shkollën 8-vjeçare “Nimete Progonati” në Sinë, B. S. Kebej ra në kontakt më gojëdhëna e emra vendesh për Skënderbeun, njëlloj si në Muhurr. Më pas vijoi për disa kohë me toponiminë dhe intervistat me të moshuarit për Skënderbeun.

Ndërkohë, u ishte dhënë detyrë nxënësve që të vazhdonin me gjetje arkeologjike të rastit, Deri në vitin 1982 organizuan dy sesione shkencore për Skënderbeun, duke pasuruar materialet dhe shtuar njohuritë për Heroin. Gjithashtu, në librin e tij (fq.213) mësojmë se më 29 maj 1982, kooperativisti Isa Kadriu kishte sjellë në Drejtorinë e Shkollës një medaljon prej bronzi me portretin e Skënderbeut. Madje, ky objekt medaljon vuri në lëvizje deri autoritete shkencore të Akademisë së Shkencave në Tiranë.

Gjatë vizitës në Sinë në vjeshtën e vitit 1982, akademikëve të mirënjohur, prof. Stafanaq Pollo dhe prof. Kristo Farshëri u tërhoqën vëmendjen tri objekte arkeologjike, të gjetura në Sinë të Poshtme: një unazë floriri me portretin e Skënderbeut, që kishte përfunduar në pronësi të Ahmet Zogut; një vulë e thatë me trup guri, pjesa me shkronja e së cilës kishte stemë metalike (kjo vulë është gjetur rreth viteve 1967-1968, kur është hapur kanali vaditës që del në anën e përtejme të Drinit), si dhe një pllakë metalike me stemë, e gjetur rreth vitit 1940, e cila, siç tregojnë, kur fërkohej, ndriçonte derisa të vriteshin sytë deri në verbim.

Asokohe, studiuesi i zellshëm B. S. Kebej u ka folur profesorëve të nderuar Pollo e Frashëri edhe varrin e Ballaban Pashës në Sinë të Epërme, me “kryqet në gur”, për Kllezin e Poshtëm (ku një përrua e ka zanafillën në Këllezin e Epër dhe ky përrua njihet me emërtimin “përroi i qytetit”), për Trojën e Mzeze, ku ka shumë toponime e mikrotoponime me objekt pazaret dhe dyqanet. Mbështetur mbi këtë toponimi mjaftë të pasur, studiuesi Kebej argumenton vendndodhjen e Gardhit të Poshtëm (Zhgjerdhi) në Muhurr.

Ai pohon se këtu ka gjurmë banimi, të cilat janë dëmtuar gjatë viteve të ishkooperativës bujqësore e më vonë u vendos edhe një repart ushtarak, që e dëmtuan edhe më shumë. Gjithsesi, studiuesi Kebej nuk i rreshti kërkimet. Pas intervistave me disa pleq mendjehollë nga Muhurri e Sina, u fokusua në tri legjenda:

“Kepi i Skënderbeut sepse ka pasur gjurmë kali”; “Tre gjurmë të kalit të Skënderbeut janë edhe sot në Hurdha të Mshela; “Skënderbeu në Sheh të Thatë ka pas ndërtuar një kala dhe që edhe sot njihet si Kalaja e Skënderbeut”. Me këto e shumë të dhëna të tjera burimore e arkivore u pasurua më tej Muzeu i Kastriotëve në Sinë, që u përurua zyrtarisht më 2 nëntor 1985. Ky muze i vogël, me një ndërtesë njëkatëshe, me gur të gdhendur nga mjeshtrit e Sinës dëshmon një fakt të madh historik për atë kohë dhe për brezat që do vijnë se origjina e Kastriotëve është Sina e Dibrës.

Jo më kot, historiani i njohur dibran, Haki Përnezha, në rolin e ciceronit, ndër të tjera do t’i bënte të njohur një vit më parë vizitorit më të rëndësishëm të këtij muzeu, Presidentit Meta, atë që ka lënë si testament Gjon Muzaka që në shekullin e 16-të: “Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe quhet Pal Kastrioti dhe nuk pati më shumë se dy fshatra në zotërim, të quajtura Sinë dhe Gardh i Poshtëm…” (Gardhi i Poshtëm ndodhet në Muhurr).

KONKLUZIONE

Studimin e tij të mirëfilltë për origjinën dibrane të Skënderbeut, Besnik S. Kebej e mbyll me konkluzionin se “Territori MuhurrSinë është ai që plotëson dhe përputhet me dokumente, me pozicionin gjeostrategjik, me toponiminë, me arkeologjinë, se ky është pikërisht territori më minimal që përmend Gj. Muzaka për gjyshin e Skënderbeut”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka sjellë dokumente dhe argumente se gjyshi i Skënderbeut quhej Kostandin Mazrek Kastrioti dhe se ai ishte nga Mazreka e Epër në Muhurr.

Në këto përfundime ai arrin edhe nga fakti se nëpër Muhurr kalonte rruga kalorësiakë me emrin Rruga Dibrane, ndërsa nëpër Sinë kalonte Rruga Plakë. Po ashtu edhe për faktin se në Muhurr ndodhet Qyteza e shekullit V-VI pas Krishtit, në Sinjë ndodhet Kllezi dhe mes Sinës e Muhurrit qyteti i Trojës, që ka varre të shumta, ka ujin, ka dyqanet dhe pazaret, ka vendet fetare me emërtimet Popteshja e Madhe dhe Popteshja e Vogël. Sipas tij, Kastriotët kanë lëvizur për jetë më të mirë nga Mazrekat në Sinë dhe nga Sina dolën në fshatin që formuan vetë në krahun e djathtë të Drinit të Zi, me emrin e tyre, Kastriot.

© Panorama.al

Te lidhura