Nga diktatorët te shembja e Teatrit Kombëtar, Sislej Xhafa: Akt vandal, i papranueshëm

| 12:16
SHPËRNDAJE
 

ANILA DEDAJ/ Në kurriz të Galerisë Kombëtare janë rreshtuar diktatorët… Stalini “i hekurt”, Lenini i gjymtuar dhe në këmbët e tyre Enveri i shpërfytyruar, që duket gati i frikësuar prej punëtorit “të revoltuar” me kazmë e pushkë në dorë…

Sislej Xhafa
Sislej Xhafa

Ndonëse, muzgu është në prag, Sislej Xhafa arrin t’ua fiksojë zemërimin në një fotografi. Ky imazh, për koincidence bëhet një “intro” për bisedën e tij “Artisti dhe boshi”, i kuruar nga Klod Dedja në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit të Resë. Shqiptari i Kosovës me famë ndërkombëtare është i ftohtë ndaj asaj çka mund të quhet art në këto gdhendje të realizmit socialist.

“Nuk më bëjnë përshtypje në aspektin estetik”, thotë i prerë. Por skulpturat i ngacmojnë ndjesi që lidhen në veçanti me të kaluarën e Shqipërisë. “Më ngjallin trishtim, sepse më kujtojnë një totalitarizëm, stalinizëm, hoxhizëm, që ka nënshtruar këtë popull për gati një gjysmë shekulli. Është një moment reflektiv, është trishtim personal…”

Po aq me dhimbje duket se shikon një tjetër ngjarje të dhunshme që iu imponua Tiranës këtë 17 maj. Ndriçimi i instalacionit “Reja” dhe i Galerisë Kombëtare të Arteve e bëjnë më të qartë panoramën e Teatrit Kombëtar, që mungon fizikisht. “Kur autori i shkatërrimit të një vepre arti vjen prej një Kryeministri që shpreh dashninë për art, ngjarja bëhet më e dyshimtë dhe më e diskutueshme”, rrëfen ai për mediat. Zhveshja prej vlerave e imponimi i kompleksit teatror si “kasolle”, “dopolavoro” etj. duket se nuk e shpëton Kryeministrin nga gjykimi i artistit. “Edhe sikur ajo vepër të mos kishte asnjë emocion historik, akti vandal është i papranueshëm”, shton më tej. Sipas Xhafës, peshën e aktit të kryer s’do ta shlyejë as më madhështorja prej godinave që mund ta zëvendësojnë. “Ai mund të krijojë aty edhe një ‘Guggenheim’ (një nga muzetë më të famshëm në Nju Jork për arkitekturën e tij), pak rëndësi ka për mua. E rëndësishme është mënyra se si një njeri që pretendon se do artin bëri një akt të tillë fashist ndaj qytetarëve”, thotë më tej për mediat.

“NË KËRKIM TË NJERIUT”, NGA KARANTINA NË NJU JORK TE KTHIMI NË ATDHE

Sislej Xhafën e thërrasin rrënjët, dhe sapo heq “zinxhirët” e karantinës, nga Nju Jorku, niset për në Pejë, ku ka edhe prindërit. Lidhjet i ruan edhe me artistët e rinj të Kosovës (si dhe ata të Shqipërisë), me të cilët edhe gjatë izolimit pati mundësi të zhvillojë takime e biseda virtuale. Pandemia, edhe atij i ka imponuar një axhendë të re, por krijimtaria e ndihmon të mos bjerë në kurthin e pesimizmit.

Ekspozita e tij që do të mbahej në San Paulo këtë nëntor është anuluar, e megjithatë ai vlerëson aspektet e mundshme pozitive, që mund të gjenerojnë edhe nga një gjendje të tillë fatkeqësie globale. “Tragjedia që ka krijuar pandemia është e pamohueshme, por kjo periudhë nxori në sipërfaqe edhe vlera. Vlera si ajo e vetmisë, ndjeshmërisë, solidaritetit, përkujdesit ndaj të tjerëve. Vlerën e njeriut si Njeri, pavarësisht se nga vjen”. Këmbëngul se frika duhet mënjanuar, duke sjellë në vëmendje periudha edhe më të vështira, gjatë të cilave populli shqiptar ka dalë fitimtar.

“Kemi kaluar pandeminë e Perandorisë Osmane, atë të fashizmit, komunizmit etj., kështu që nuk mund të biem në grackën e fatalitetit në këtë moment. Duhet të gjejmë mënyra kreative për të rishpikur vetveten”. Respektimit të rregullave i jep rëndësi më tepër, siç thotë, “për të mbrojtur të tjerët”. Maska? “Ne gjithmonë kemi jetuar me maska, por tashmë ato janë fakt”, shprehet ironik. Periudha e karantinës e kaluar në Nju Jork bashkë me dy vajzat e tij e ka bërë të “zhytet” në kërkim të vetvetes. “Ka krijuar tek unë një thellësi humane që rutina, dinamika e mëhershme e ka penguar të evidentohej. Pastaj mësova të vlerësoj edhe bukurinë e ditëve pa plane afatgjate, por me kualitet”, tregon më tej.

KULTURA E GJUNJËZUAR PREJ PANDEMISË

Sislej Xhafa nuk e mohon ndikimin negativ të situatës në art e kulturë, megjithatë, ndaj ankesave ai i mëshon reagimit. “Në çdo kohë të totalitarizmit, qoftë ai mental, politik apo fizik, apo si në këtë rast global të pandemisë, unë besoj në fuqinë individuale. Në një forcë të tillë ku ne si individë të jemi të lirë, të pavarur, ose më mirë, të varur prej kohës. Se ne nuk jemi totalisht të pavarur. Mirëpo janë me shumë rëndësi parametrat që i vendosim vetes, në lidhje me atë prej së cilës kemi varësi. Ne si individë duhet të përshtatemi me gjendjen, por edhe të rishikojmë vetveten në varësi të kohës që po jetojmë. Kjo mund të jetë edhe një kohë magjike, për ata që krijojnë në vetmi. Por, nga ana tjetër, ka fusha si ajo e teatrit, që janë shumë ‘të ndëshkuara’, dhe këta artistë duhet të vlerësojnë metoda të reja për të përçuar teatrin. Ne nuk mund të guxojmë të jemi viktima, në çfarëdolloj regjimi totalitar, apo pandemie. Ne jemi njerëz me ide, ndjeshmëri, të cilat duhet të shërbejnë në të mirë të konfrontimit”.

“S’MUND TË JEM INDIFERENT”, ARTISTI PËRBALLË POLITIKËS

Sa i përket pozicionit të artit dhe politikës në mirëfunksionimin e një shoqërie, artisti bën dallimin dhe gjen pikat e takimit. “Politika kërkon racionalitet, ka përgjegjësi. Veprat politike kanë pasoja shumë më të mëdha, ndërsa arti ka përgjegjësinë të shtrojë pyetje edhe ndaj tyre, ndaj realitetit”. Duke qenë kështu, për të ‘rrëfyer’ përmes gjuhës së artit (mos)funksionimin e një sistemi, sipas artistit, nuk mund të qëndrosh indiferent apo i shkëputur prej tij e as prej aktualitetit. “Problemi në Shqipëri e Kosovë është sa posesiv, aq edhe patetik e gjeneracional. Frymëve të reja gjeneracionale të individëve të rinj, nuk u ofrohet hapësirë. Nuk kanë një dritare, prej nga të mundësojnë që të vijë për këto vende ajër i freskët. Këta që janë prej më shumë se 20 vitesh e kanë dëshmuar se çka mund të bëjnë. Për mendimin tim, ka ardhur koha ‘të dalin në pension'”, thotë Xhafa. Sa u përket proceseve shumë të diskutuara zgjedhore në dy vendet, artisti thotë se: “Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, mund të arrijnë të frymëzojnë botën, nëse akti i zgjedhjes bëhet akt i konsumimit, pra që reflekton konsumimin e sotëm. Pra, një nënë që lind një vajzë a djalë, duhet të ketë një ‘ekstravotë’ dhe për ta. Politikanët duhet të punojnë më shumë për çerdhe, për shkolla, për edukim”, shton ai.

SHQIPTARI KLANDESTIN QË BËRI BOTËN PËR VETE

Duket sikur fati iu përcaktua që në lindje, me emrin që derivon nga ai i piktorit impresionist të shekulli të XIX, Alfred Sisley. Përpos të qenit “figlio d’arte”, si djali i grafistit Xhevdet Xhafa, talenti për Sislejin vështirë se linte rrugë shpëtimi prej arteve vizive. Artisti në vitin 1991 transferohet në Angli, për të studiuar në Kolegjin e Chelsea-s për Art dhe Dizajn në Londër. Pas dy vitesh ai vazhdon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Në Itali jo vetëm që do të “strukturojë” më tej formimin e tij, por edhe nis të njihet për veprat që krijon. Prej vitit 2000 ai jeton në Brooklyn në Nju Jork. Historisë së Xhafës, që nga klandestin arriti të bëhet edhe një artist bashkëkohor i suksesshëm, i është dedikuar edhe një libër që mban titullin “Sislej Xhafa, eleganca dhe shkëlqimi i forcës klandestine”, me autore Teresa Macrin. Xhafa ka ekspozuar në galeri prestigjioze dhe ka marrë pjesë në konkurset më në zë të arteve vizive. Ai është fitues i disa çmimeve si “Onufri” në Tiranë në vitin 1999, çmimi “QueriniFurla” për Artin, “Biella 2001” nga fondacioni “Pistoletto” etj.

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.