Nga dera e Enverit te suksesi në Fier, Pëllumb Kulla në 80-vjetor: Kam qenë me fat

Jan 15, 2020 | 12:04
SHPËRNDAJE

Plot surpriza, 80- vjetori i Pëllumb Kullës. Një mbrëmje plot humor, miq, të ftuar, muzikë…kulla

Një mbrëmje mirënjohjeje, siç e quajtën organizatorët. Një mbrëmje dedikuar Mark Twain-it të letrave shqipe, siç do ta quante Henri Çili, organizatori i këtij aktiviteti, organizuar në “arTurbina” nga Universiteti Europian i Tiranës, Radio Televizioni Shqiptar e shumë mbështetës të tjerë.kulla4

Me skenar të Petrit Rukës, regji e moderim të Leonard Bombaj, që në këtë mbrëmje shoqërohej në krah nga këngëtarja që rrëzëllente në të kuqe, Marsela Çibukaj, për gati 2 orë, nën titullin “Syri dhe pena”, u shpalos jeta dhe krijimtaria e Pëllumb Kullës. 80 vjet jetë dhe dekada art, nga ai djali i vogël i lindur në Zëmblak të Korçës, që ruante kuajt dhe që e ndiqte pas biografia me njollë, tek ai i riu që guxoi në mënyrë të jashtëzakonshme të shkonte dhe të ankohej te diktatori Enver Hoxha, duke iu drejtuar se po i thyenin ëndrrën. Dhe ai do të kryente aktin e paparë për luftën e klasave, t’i jepte një të drejtë studimi djalit nga një familje e deklasuar. Për të vijuar me artistin e ri, që do të ndryshonte tërësisht skemat e të bërit humor, por edhe të rrëzonte mitet për aksh Estrada.kulla3

Ai do të ndryshonte polet artistike, duke e zhvendosur për 18 vjet në Fier. Mbrëmja u qëndroi besnike skemave tradicionale, ku personalja ndërthurej me profesionalen, momentet e gëzuara në jetë, me ato të vështira. E gjitha ishte konceptuar në formën e një varieteje, me grimca humoristike, thënie, copëza të nxjerra nga arkiva, skeçe të realizuara nga studentët e UET, interpretime nga Laert Vasili e Arjola Basho, Astrit Hasani, Gazmend Paja, inserte të realizuara nëpër stacionet e ndryshme të jetës së Pëllumb Kullës, që nga Zëmblaku, në guroret e Vlorës e në skenën e Fierit. Momente mjaft të bukura të krijuara nga interpretimi i bashkëshortes së tij, Xhulietës, apo videoja përshëndetëse e përgatitur nga fëmijët e tij.kulla2

Momente kulmore, interpretimi i Marsela Çibukajt, i këngës që ka përcjellë për dekada dashurinë e çiftit Kulla, për të kaluar te kënga me vargje të Dritëro Agollit, “Kur të jesh mërzitur shumë” nga Ardit Gjebrea, apo interpretimi i aktorit Agron Llakaj.

Surprizë ishte për regjisorin e shkrimtarin, ardhja në skenë e gjithë trupës së aktorëve të Teatrit të Fierit. “Kur erdhi Pëllumbi në Fier, gjeti një lokomotivë me qymyr dhe e ktheu në diesel. Ai kreu një revolucion në Estradën e Fierit, që rrezatoi në gjithë Shqipërinë, sepse ne filluam të punonim mbi baza shkencore, të zbërthenim materialin letrar, mësuam kush ishte Agolli, Usaraj, Karaxhiale dhe inskenuam mijëra faqe”, do të thoshte një nga aktorët më të njohur të Estradës së Fierit, që ka interpretuar dhjetëra karaktere të shkruara nga Pëllumb Kulla, Luftar Paja.kulla

Për skenaristin dhe poetin Petrit Ruka, Pëllumb Kulla është ai që zhvendosi polin e humorit nga Tirana e Shkodra, në Fier. Ndonëse ai e quajti gjeni të humorit, Ruka u shpreh se ai nuk është i plotë, pasi vepra e shkruar prej tij pas viteve ’90 nuk njihet, në një kohë që ajo është fondamentale për letërsinë shqipe.

“Vepra jote ishte një fllad në vapën socialiste dhe na e bëri atë më të durueshme”, tha Ruka. Në fund, mes fishekzjarrësh, tufash me lule të panumërta dhe rrethuar prej familjes që mblidhej e plotë në Shqipëri pas 29 vjetësh, Pëllumb Kulla do të falënderonte të gjithë të pranishmit për emocionin që i dhuruan, që nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, te miqtë, kolegët dhe spektatori i panjohur, që u bënë pjesë e gëzimit të tij.kulla1

“Do t’ju them se kam qenë njeri me fat në shumë aspekte, që nga Xhulieta, e cila më ka ndihmuar shumë për të krijuar këtë familje të mrekullueshme, që e dua shumë. Kam ecur në shumë stacione, ku kam gjetur njerëz të mirë. Njerëzit e mirë nuk bëjnë zhurmë, vetëm të këqijtë. Por njerëz të mirë ka shumë. Dua të falënderoj gjithë këta artistë që kanë ardhur nga Fieri, shokët dhe nxënësit e mi, kam qenë pedagogu, amatori dhe spektatori i parë që ka shijuar artin e tyre të madh. Dhe në periudha të vështira kam takuar njerëz të mirë me pushtet, pa të cilët nuk do të isha sot këtu”, tha ndër të tjera Pëllumb Kulla. Ishin të shumta emocionet që u ndanë në atë skenë, por ndjesia më e bukur ishte kënaqësia e ngritjes së institucionit të mirënjohjes.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura