Nga artikulli i Alfred Uçit te fjalimi i Enverit, si nisi fushata kundër kulturës e artit pas Festivalit të 11-të

Feb 1, 2020 | 11:09
SHPËRNDAJE

Plenumi i katërt mbetet një nga ngjarjet më të bujshme e të ekspozuara të diktaturës e ndoshta të tillë e bën lidhja me botën e artit e të kulturës të asaj kohe. Një këndvështrim ndryshe, që prek ngjarjen që prej fushatës që i parapriu vendimeve të kobshmeve të vitit 1973, e situatës post-dënimeve, e sjell studiuesi Ermir Hoxha.

uJS9HDTa

I përplasur me këtë temë gjatë hulumtimeve të thella bërë në historinë e artit, e veçanërisht atë të realizmit socialist, Hoxha ndalet te frika e diktatorit ndaj liberalizmit, që lidhet dhe me atë që ndodhi në Festivalin e 11-, qëndrimi i medias, personaliteteve të letërsisë e të artit, por edhe të zyrtarëve të lartë të Partisë.

Përshkrimi i tij nis me përjetimin e kësaj situate nga vetë Enver Hoxha, përmes fjalëve të diktatorit që reflektojnë frikë nga depërtimi i kulturës së huaj, e të akuzuarit protagonistë për “goditje të Partisë dhe udhëheqjes së saj”, Fadil Paçrami e Todi Lubonja. Studiuesi nuk harron të sjellë në vëmendje edhe ndikimin e figurave të njohura të kohës, si Alfred Uçi, i cili përmes një artikulli ku theksonte luftën ndaj artit borgjez, “tundi fort kambanën e alarmit” përpara fjalimit të Hoxhës. Më vonë, situata pasoi me dënime të artistëve si Maks Velo, Edison Gjergo, Ali Oseku, Vilson Kilica etj.

Po çfarë ndodhi në Letërsi dhe cili ishte konkretisht qëndrimi i Dritëro Agollit pas Plenumit të IV, kur ai zëvendësoi Dhimitër Shuteriqin si kryetar të lidhjes. Sipas Ermir Hoxhës, shkrimtari, një muaj pas ngjarjes, në fjalimin e tij “ritheksoi atë që Enveri kish shpallur dhe përmbi to u ndal në veprat dhe autorët e ‘infektuar'”. Studiuesi sjell në vëmendje disa nga titujt dhe emrat përkatës që u etiketuan se kishin elemente antipartiake dhe një pjesë nga fjalimi i shkrimtarit.

Po ashtu, ai gërmon në vitet e fundit të jetës së diktatorit, dhe risjell pak nga rrëfimi i Agim Meros, ish-Sekretari i Rinisë në Komitetin Qendror, ku tregon se pse Ramiz Alia ishte trashëgimtari i mundshëm i menduar nga diktatori. Reflektimi i studiuesit mbyllet me pasojat që patën vendimet e Plenumit IV e në tërësi sistemi komunist tek artistët dhe panorama e kulturës në vend, pas ’73-shit.

Nga Ermir Hoxha

I mbajtur në Tiranë, më 26 qershor 1973, Plenumi IV KQ të PPSH-së, do të niste fushatën më të egër drejtuar artit dhe kulturës në vend. Nën sloganin “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre”, Enver Hoxha e përcaktonte këtë si një fushatë që i kushtohej “një problemi të madh e jetik për Partinë dhe çështjen e ndërtimit socialist…”. Sipas tij, shenjat e liberalizmit armiqësor, ndikuar nga shija e huaj borgjezo-revizioniste, ishin shtrirë praktikisht në çdo fushë të jetës, deri në shtëpitë e komunistëve, ndërsa manifestimi i tyre klasik gjendej në tingujt e shfrenuar të festivalit XI, “në shijet e huaja e vulgare për muzikën e artin, në ndjekjen e modave ekstravagante e të shëmtuara, në sjelljen e papëlqyeshme në kundërshtim me etikën socialiste”… e deri në mënyrën e jetesës, “importimet” e bastarduara të flokëve të gjata të veshjeve ekstravagante, të britmave të muzikës së xhunglës, të harbutllëqeve e të sjelljes pa cipë”. Fajtor kryesor për këtë ishte Komiteti i Partisë së Tiranës, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Drejtpërdrejt u akuzuan Fadil Paçrami e Todi Lubonja, respektivisht Sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe drejtor i përgjithshëm i Radio-Televizionit. Cilësuar si elementë antiparti e antikombëtar, qëllimi i tyre sipas Hoxhës ishte “goditja e Partisë dhe udhëheqjes së saj”.

Po sipas të njëjtit zë, prirjet liberale moderniste e dukuri të tjera dekadente, kishin prekur edhe organet e medias, si gazetat “Drita” e “Zëri i Rinisë”, revistën “Ylli” e “Nëntori”, që njëkohësisht shërbenin si zemra ideologjike e vetë sistemit. E në këtë paradoks, ku lideri shfrynte dufin e tij “ideologjik” në emër të terrorit shtetëror, shpëtonte vetëm çka kishte përmbajtje socialiste e revolucionare, linjë të qartë marksiste-leniniste, traditë të shëndoshë kombëtare e partishmëri proletare. Megjithatë, jehonën më të madhe mediatike e mori muzika e festivaleve, për shkak edhe të popullaritetit të gjerë që gëzonte. Festivali i 11, i hapur në dhjetor të vitit 1972, ishte epiqendra e vëmendjes në botën e muzikës. Ai ndryshonte nga struktura, veshjet dhe nga tingujt e “huaj” orkestralë dhe siç vërenin protagonistët, “nuk këndohej për partinë, për kooperativistin, apo për brigadierin pararojë”.

Para fjalimit të Enver Hoxhës, kambana e alarmit ishte “tundur fort” nga artikulli i Alfred Uçit: “Modernizmi – shprehje e degjenerimit të kulturës artistike borgjeze”, ku theksohej se: “… lufta kundër çdo varianti të artit dekadent borgjez, lufta kundër çdo ndikimi të tij është një faktor i rëndësishëm për të mbrojtur pastërtinë ideologjike të artit tonë të realizmit socialist dhe për t’i hapur perspektiva të reja lulëzimit të tij të ardhshëm, për ta ngritur më lart rolin e tij si armë e revolucionit proletar”.

Në valën e parë të represionit, filluan shkarkimet e burgosjet e figurave më të larta brenda partisë, ndërsa në të dytën, diskutimet konstruktive të viteve ’71-’72, do t’i linin vendin atyre të njëpasnjëshme në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku kërkohej të evidentoheshin “ndikimet nga ideologjia e huaj”, duke etiketuar aktorët, përgjegjësit, promotorët dhe inspiratorët e saj. Viktimat do të ishin ata artistë, te të cilët vetëm disa muaj më parë, ishin parë e vlerësuar, elementet e reja novatore. U dënuan me burg Edison Gjergo e Ali Oseku, ndërsa piktori Edi Hila u dërgua si punëtor krahu në ndërmarrjen e rritjes së shpendëve.

Fatin e Gjergos dhe Osekut do ta ndiqte disa vjet më vonë dhe Maks Velo. Vilson Kilica, zv. kryetar i Lidhjes s? Shkrimtarëve dhe Artistëve, bashkë me sekretarët Foto Stamon, Ksenofon Dilon, e Hamide Stringan, u shkarkuan nga postet drejtuese që mbanin në LSHA. Të tjerë u larguan në qytete periferike për të “rifreskuar” principet dhe formën që puna e tyre duhet të transmetonte, “qarkullime” të shoqëruara shpesh me ndalimin e përkohshëm të së drejtës së ushtrimit të profesionit. Të tjerë, akoma u panë të detyruar të shkatërrojnë vetë punimet e tyre, për t’i shpëtuar represionit. Edhe letërsia dhe shtypi i shkruar u përshkuan nga lëvizje të gjithanshme. Një numër i madh veprash u ndaluan, apo nuk u botuan, ndërsa autorët u dërguan pranë klasës punëtore. Në teatër u qarkulluan e dënuan regjisorë si Kujtim Spahivogli e Mihallaq Luarasi, ndërsa në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kryetari aktual Dhimitër Shuteriqi u zëvendësua nga Dritëro Agolli.

Kryetari i ri, vetëm një muaj pas Plenumit të IV, “vendosi pikat mbi i”. Në fjalimin e tij mbajtur pranë këtij institucioni, ai ritheksoi atë që Enver Hoxha kish shpallur dhe përmbi to u ndal në veprat dhe autorët e “infektuar”. Ai përmend dramat “Njollat e murrme” të Minush Jeros si dhe “Çështja e inxhinier Saimirit” e Fadil Paçramit, etiketuar më parë si “deviator i djathtë dhe element antiparti”. Në poezi, ato që “goditnin vijën e Partisë” ishin poema “Dielli dhe rrëketë”, e F. Halitit, ndërsa në artet pamore, theksohej “mania e evropianizimit” dhe tendenca për të shtrembëruar dhe nxirë jetën dhe natyrën.

Specifikisht, ato evidentoheshin në veprat “Epika e yjeve të mëngjesit” dhe “Portreti i punëtorit” të Edison Gjergos, “Shqipëria” e Ali Osekut, apo “Peizazhi i pranverës” të Maks Velos. Sipas Agollit: “Shfaqje të tilla të dekadentizmit, si errësimi i përmbajtjes ose hermetizmi, figuracioni i mbingarkuar ose fragmentarizmi dhe copëzimi i strukturës së veprës, ekstravagancat ose konvencionet e tepruara, ritmet e shthurura, loja me ngjyrat ose përdorimi formalist i tyre u përhapën në disa krijime: në poezi, prozë, skenë, pikturë e muzikë. U botuan vjersha me vargje hermetike në formën e rebuseve ose fjalëkryqeve, u ekzekutuan plot këngë me ritme alla perëndimore, u vunë pjesë teatrale sipas mënyrave konvencionale të pakuptueshme, u ekspozuan piktura ekspresioniste nëpër ekspozita dhe nëpër studiot e piktorëve”.

Siç do të shprehej më pas një nga protagonistët e kohës, Todi Lubonja: “Liberalizmi u bë murtaja e kohës. Elementët më aktivë u bënë tradicionalistët, konservatorë të mykur, vjetërsira të kohës, antinovatorët, të patalentuarit e të dështuarit, me të cilët, për shkak të terrorit, u bashkua dhe ndonjë i talentuar, si për të mos bërë përjashtim nga rregulli se “asnjë talent, sado i shquar të ketë qenë, nuk ka shpëtuar pa futur qafën nën zgjedhën e çdo regjimi”.

Impakti në jetën sociale e kulturore të vendit, pas kësaj mund të imagjinohet lehtë. Në emër të “rrënjosjes së ideologjisë proletare në të gjitha frontet… sidomos në “kushtet e rrethimit armiqësor imperialist-revizionist të vendit”, agresiviteti i shtetit kishte marrë përmasa gjithëpërfshirëse, duke rrëzuar përfundimisht idealin minimal të një krijimtarie të lirë artistike. … Vitet ’73-’74 ishin vitet e përplasjes së madhe mes shtetit dhe artit.

Kjo përplasje nuk ishte e para në llojin e vet, por ishte pararojë e një fushate të gjerë, të fundme, që do të shtrihej në çdo fushë të jetës, me një qëllim të vetëm, konsolidimin e pushtetit personal të Enver Hoxhës. Diktatori gjashtëdhjetë e ca vjeçar po futej në periudhën e fundit të jetës dhe në mendjen e tij po përgatiste manovrat testamentale. Të gjithë ata shokë, kolegë, anëtarë partie, ministra a kryeministra që do ta paraprinin vdekjen e tij, do të sakrifikoheshin në emër të shqetësimit të tij të fundit, trashëgimisë së pushtetit shtetëror e familjar. Agim Mero, ish-Sekretari i Rinisë në Komitetin Qendror, shprehet se, në ato vite, Enveri kishte përkufizuar në figurën e Ramiz Alisë një trashëgimtar të mundshëm.

Sipas tij: “Ramiz Alia ishte i ri, ishte nga ata njerëz që nuk ishin pjesë e ndonjë klani apo grupi. Me Nexhmijen i kishte punët mirë, pra i gjithë sfondi ishte i leverdishëm për të. Ai i pastroi të gjithë sektorët, duke na hequr ne e duke sjellë punëtorë, në mënyrë që Ramizi ta kishte punën më të lehtë, sepse domosdo që nuk merrej dot me ata që ishin. Nisi kështu në fushën e artit e kulturës, por po ato kohëra vazhdoi me ekonominë, me ushtrinë, me Sigurimin e Shtetit, u lëvizën nga vendi të gjitha. Këto ishin plane, për të cilat ai mendonte pas vdekjes së tij… mosha kalonte, infarkti i kishte ndodhur, mendonte për gjithçka që për çdo rast t’i linte gjërat gati”.

Përpara se e gjithë kjo të ndodhte (si qetësia përpara furtunës), vendin e përfshiu një periudhë katër-pesëvjeçare entuziazmi: një dritare e përkohshme e hapur për shpirtin e lirë krijues. Për një çast, u mendua se gjithçka ishte e mundur, vigjilenca po binte, Europa ishte sërish afër. Për artistët pamorë, eksperimentimi mbi “izmat” ishte përveçse i mundshëm, edhe i përkrahur. Në një vështrim nga larg, ato nuk ishin vepra kundër, por thjesht vepra ndryshe… ndryshe në strukturë e sidomos në formë. Pjesa më e madhe e tyre nuk përbënin në vetvete revolucione estetike, por të përqendruara në një hark kohor minimal (4-5-vjeçar), ato befasojnë për forcën dhe guximin e propozuar përtej të zakonshmes. Për shkrimtarët, poetët, kompozitorët, muzikantët, qoftë dhe dashamirësit e artit, ky ishte fillimi i një epoke të re, që prezantohej si një kushëri i largët i diktaturës së proletariatit.

Realizmi i ri kishte filluar të merrte formë në të gjitha fushat e artit, çka dëshmon edhe njëherë se ky “liberalizëm ngjitës” ishte thjesht nevoja për liri, strukur brenda çdo shpirti krijues. Të mendosh se kjo ishte e rastësishme, apo pakujdesi e sistemit, është sa naive dhe e papranueshme për cilindo që kupton strukturën dhe mendësinë e megamakinës totalitare. Si e tillë mbetet të kuptohet që kjo ishte e qëllimshme: krijimi i një atmosfere liberale, ku censura është e përgjumur dhe autocensura në kufijtë e të padobishmes. E gjithë kjo që “armiqtë” të mund të identifikoheshin më mirë, ndërsa dhuna të ishte më eficiente dhe jetëgjatë.

Siç shprehej A. Mero: “Hoxha ndërtonte taktikat e thurte rrjetat. Kur e shikonte të udhës, lëshonte pak pe, bënte sondazhe, maste pulset e pastaj i fuste peshqit në rrjetë… Ai vetë ishte autor i të gjithave. Ai nuk mund të lejonte që “pranvera e shkurtër” e Shqipërisë të ’70-’71-shit të kthehej në furtunë për pushtetin”. M. Velo, një nga viktimat e kohës, kujton se: “Emri i tij u citua… ky ishte vetëm fillimi. Ata që kanë jetuar në atë kohë të egër e njohin mirë shkallëzimin e ankthit, ritmin e rënies së njeriut, shpresat që këputen njëra pas tjetrës, gjersa vjen koha e zbrazët, e vdekur, përpara goditjes fatale… (dhe më pas) Ti sheh diktaturën të të arrestojë, të të torturojë, të të marrë lirinë, të të djegë veprat, të të poshtërojë, të të shpallë armik të njerëzve dhe ti të mos kesh të drejtë të reagosh. Është një vuajtje që pulson në ajër.”

Edhe për ata krijues që “prisnin” jashtë, rezervohej një “fat” i ngjashëm. Siç shton Kadare: “Ankthet, frika, tmerri politik, ishin të së njëjtës natyrë, madje mund të thuhet se qëllonte që në stinë të veçanta terrori, ankthet ndiheshin më shumë jashtë se brenda”. Disiplinë dhe kontroll pra, pasi siç do të shpjegojë vetë Enver Hoxha, nga ky procesi bëhet “… edukimi dhe kalitja revolucionare e krijuesve, luftohet intelektualizmi e megalomania, indiferentizmi dhe sedra borgjeze, mendimet e gabuara ‘se ne jemi mbi të tjerët’, ne ‘jemi të lirë të krijojmë ç’të duam dhe kur të duam’, jashtë çdo kërkese e disipline shoqërore, jashtë çdo kontrolli, jashtë çdo norme”.

Disiplinë dhe kontroll, pasi askush s’duhet të jetë mbi të tjerët dhe askush nuk është i lirë të krijojë çfarë të dojë. Arti nuk është as perceptim personal estetik i realitetit e as çështje shijesh… sidomos çështje shijesh, pasi sipas Hoxhës: “Çështja e shijeve nuk është një çështje thjesht personale e individëve, për të cilën gjëja as që mund të diskutohet… shijet tona në thelbin e vet janë krejtësisht të kundërta me ato borgjezo-revizioniste. Shija jonë komuniste është e mbrujtur me idealin revolucionar, me thjeshtësinë proletare, me ndjenjat e larta fisnike, me virtyte morale të pastra”. Shteti komunist i Enver Hoxhës nisi të tregonte forcën e vet. Një dëshmi e qartë se asgjë nuk do ndryshonte… dhe askush të mos shpresonte.

Gjithçka do të ishte shije e perceptim estetik i imponuar, një jetë e kontrolluar në çdo çast e për më të padisplinuarit burgosje, internime, qarkullime në kantiere në “fund të botës” e një ankth mbytës, që nuk përfundonte kurrë. Në fund, të gjithë u dorëzuan. Edhe artistët. Fillimisht ulën kokat në shenjë pendese, pastaj bënë autokritikë. Pas disa muajsh më të sakrifikueshmit u burgosën, për t’u bërë shembull për të tjerët që ishin jashtë.

Një pjesë u “qarkulluan”, dhe atje larg prisnin të devotshëm të riktheheshin aty ku gjërat kishin rëndësi. Ata që mbetën, vrapuan të shpallnin në shtyp besnikërinë e tyre ndaj “vijës së Partisë”. Të ngrinin zërin në mbledhje për partishmërinë e tyre e nëse kjo nuk mjaftonte, të dilnin edhe dëshmitarë për njëri-tjetrin. Ndërsa shteti “rrinte e shikonte”. Stimulonte një klimë ku artistët shisnin shoshoqin, digjnin apo fshihnin punët, e ku çdokush kishte frikë se çfarë thoshte e se kujt ia thoshte. Reprezalja vazhdoi me muaj a vite, sipas rastit, pasi shteti sa herë dukej se ishte harruar “mesazhi”, burgoste a riburgoste ndonjë artist përkohësisht të “harruar”.

Artistët u mbyllën në vetvete. “Manipulimet moderniste” u harruan, ndërsa pozicioni i artistit u ripërkufizua dhe njëherë. Dritëro Agolli i ripërcaktoi ata si: “… njerëz politikë, përçues të vijës së Partisë përmes letërsisë dhe artit në masat e gjera të popullit. Prandaj, çdonjëri nga ne duhet të jetë si roja në kufi, për të mos lejuar të hyjë kontrabandë ndonjë ndikim i huaj”. Në misionin e tyre të ri, përkufizuar nga Hoxha si “njësi të mëdha e të çelikta”, artistët nisën vetëcensurimin ekstrem.

Dogjën punimet që mund t’i komprometonin, reduktuan në minimum bisedat mes tyre, kthyen skematizmin dhe realizmin një pasion në vetvete, ndërsa një pjesë tjetër u distancuan në ndonjë repart a sektor skajor, ku vëmendja e shtetit dukej sadopak e largët. Si përfundim, disa brenda e shumë jashtë, disa në ekspozita e shumë larg tyre, të gjithë bashkë, prisnin… prisnin që realiteti socialist të merrte sadopak ngjasime njerëzore, duke bashkëjetuar si mundnin me ankthin e së përditshmes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura