Nëntori nis me stuhi ere e shi, përmbyten rrugë e toka

Nov 2, 2012 | 11:29
SHPËRNDAJE
Rruga e mbuluar nga uji në Vlorë

Tragetet me 10 orë vonesë. Në Vlorë shkulet dhe dekori i festave.

Reshjet e fillimit të nëntorit kanë shkaktuar probleme në tokë e det.  Sipërfaqe të përmbytura, rrugë të bllokuara nga uji e dherat, si dhe probleme me tragetet e linjës së Italisë. Në qytetin e Vlorës, era e fortë ka shkatërruar banderola, linja elektrike, madje dhe dekorin e festës për 100-vjetorin e pavarësisë. Kjo situatë ka shoqëruar qytetin nga mesnata e së mërkurës deri rreth orës 10:00 të paradites së djeshme. Ndërsa trageti që vinte nga Brindizi u vonua 6 orë, duke u ankoruar në port vetëm kur ra forca e dallgëve. Për shkak të detit të trazuar, dje ka qenë paralizuar dhe lundrimi në linjat e trageteve nga Durrësi drejt Italisë e anasjellas. Ato janë nisur me rreth 10 orë vonesë nga orari i përcaktuar, ndërsa kapitaneria urdhëroi që asnjë peshkarexhë apo anije e vogël të dilte në det. Probleme të shumta janë hasur në qytetin e Durrësit, ku si pasojë e mosfunksionimit të rrjetit të kanalizimeve, uji ka vërshuar nëpër rrugë duke i bërë disa segmente rrugore të pakalueshme jo vetëm për këmbësorët, por edhe për automjetet. Si pasojë e stuhisë, për 3 orë qëndroi dje e bllokuar rruga nacionale Gjirokastër-Tepelenë. Vetëm një korsi e ngushtë ka shërbyer për lëvizjen e mjeteve, pasi në rrugë kishin rënë dhera e gurë. Ndërsa në hyrje të qytetit të gurtë nuk është mundur të hyhet me makina të vogla për disa orë, si rrjedhojë e mbulimit me ujë të pjesës fushore. Situatë alarmante ka qenë ajo e djeshmja në qarkun e Lezhës. Reshjet krijuan probleme me energjinë dhe si pasojë dolën jashtë funksioni 3 hidrovorë të Tales në Lezhë dhe 2 në Kurbin. Specialisti i Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Lezhës, Ndrek Mhillaj, theksoi se në tri ditët e fundit kanë rënë 80 milimetra shi. Sipas tij, uji ka përmbytur në ambientet e jashtme 50 shtëpi në Barbullojë, ndërkohë që ka pasur edhe ujë në sipërfaqe të tokave nga mosfunksionimi i hidrovorëve. Ditën e sotme prefekti i Lezhës,  Pal Dajçi, do të mbledhë Komisionin e Emergjencave Civile për të diskutuar për situatën. Shtabi i Emergjencave Civile u mblodh dje në Elbasan nga prefekti Shefqet Deliallisi, i cili kërkoi marrjen e masave në prag të stinës së dimrit.
[portfolio_slideshow]

Kukës, reshjet rrisin nivelin e Fierzës
Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë shtuar nivelin e Fierzës. Pas disa muajsh thatësire dhe rëniesh në pikën minimale të ujërave të liqenit, dje u shënua pika 270 metra mbi nivelin e detit. Reshjet e shumta dhe shkarkimet atmosferike kanë bërë që të dëmtohet rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në shumë zona, ndërsa në qytet defektet kanë shkuar ndërprerje të vazhdueshme të saj.

BERAT
Shirat shkaktojnë rrëshqitjen e gurëve të shkëmbit të kalasë. Për banorët e dy lagjeve muzeale në Berat, “Mangalem” dhe “Goricë”, është rikthyer ankthi i përvitshëm. Nga lagështira, prej lartësive të shkëmbinjve shkëputen gurë, të cilët rrezikojnë jetën e banorëve. Kreu i Këshillit të Njësisë 12, Venetik Çela, thotë se gjendja ka mbetur problematike, pasi nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrjeje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura