“Nëntori i dytë” i restauruar hap Festivalin e Filmit

Nov 2, 2012 | 10:48
SHPËRNDAJE
Nga filmi “Maya”

Pas 6 vitesh mungesë, nesër ngre siparin edicioni i trembëdhjetë i Festivalit të Filmit Shqiptar. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë Tiranë, përgjatë një jave (3-9 nëntor) do të shfaqë krijimet më të mira të pesë viteve të fundit të kinematografisë shqiptare: filma artistikë të metrazhit të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe vizatimorë. Pjesa më e madhe e filmave tashmë nuk janë të rinj për spektatorin, ndërkohë që programi parashikon shfaqjen e disa premierave, siç ai i dokumentarit “Anija” të Roland Sejkos, “Besa” me regji të Rachel Goslins e që tregon për mbrojtjen që shqiptarët u bënë hebrenjve gjatë pushtimit nazist. Festivali do të hapet nesër mbrëma në kinema “Millenium” me shfaqjen e filmit të restauruar në SHBA “Nëntori i dytë”, me regji të Viktor Gjikës. Ditëve në vazhdim filmat në garë do të shfaqen në kinema “Millenium” dhe në Teatrin e Komedisë. Këtë vit festivali ndan plot 13 çmime. Mbrëmjen gala do të shpallen filmat më të mirë në çdo kategori, por edhe për regjinë, aktorin, aktoren, kolonën zanore. Nuk do të mungojnë edhe çmimet e jurisë e të karrierës. Filmat do të vlerësohen nga dy juri, një për filmat artistikë, në përbërje të së cilës janë kineasti Muharrem Fejzo, studiuesi Aurel Plasari, regjisori irlandez Mark Cousins, regjisorët Isa Qosja dhe Claudio Fragasso dhe ajo e filmit dokumentar, të shkurtër dhe vizatimor, e përbërë nga aktori Astrit Alihajdaraj, skenaristi Mujë Buçpapaj dhe producenti dhe aktori Arben Zharku. President nderi i festivalit është aktori Robert Ndrenika. Qysh se nisi të flitej për organizimin e këtij edicioni, filluan të diskutoheshin edhe të ftuarit e mundshëm. U fol për aktorin Robert De Niro, i cili jo shumë kohë më parë u takua edhe me Presidentin Bujar Nishani, gjatë vizitës së këtij të fundit në SHBA, gjithashtu për aktorin italian Raul Bova, por përfundimisht, sipas informacionit zyrtar të QKK-së, ndër të ftuarit e këtij edicioni është aktori italian Remo Girone, i cili u bë më së shumti i njohur për publikun shqiptar përmes interpretimit të personazhit të Tano Karidit në serialin “Oktapodi”. I pranishëm do të jetë edhe drejtori i Fotografisë, Nino Çeleste. Në listën e të ftuarve të nderit është përfshirë dhe drejtori i festivalit “Giffoni”, Claudio Gubitosi, edhe pse tashmë ky i fundit është i pranishëm vazhdimisht në Shqipëri. Ndërkohë që gjatë ditëve të festivalit do të jenë të pranishëm edhe regjisorë e aktorë të filmave në konkurrim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura