“Nën survejimin e Sigurimit”, dekoristi rrëfen ‘1 Majin’ para ‘90: Si u zhvendos tribuna nga frika e atentatit për Enverin

May 2, 2020 | 14:06
SHPËRNDAJE

1 majiUVIL ZAJMI / 1 MAJI I HARRUAR

Dje ishte 1 Maji. Datë e rëndësishme për historinë, ngjarjet, simbolin që mbart, por e harruar totalisht, aq më shumë në këtë situatë koronavirusi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, që ndihet e goditur si asnjëherë më parë. Në vite, dekada, për shqiptarët ka qenë një festë masive, e detyrueshme. Angazhim, përgatitje, pompozitet. E kisha harruar edhe unë! Ndonëse e mbuluar nga një heshtje absolute, dje në mëngjes, në një kanal të huaj televiziv, dëgjova se ishte 1 Maji, dita kur miliona punëtorë janë të papaguar, pa punë, një atmosferë tronditëse, rrallë në traditën e kësaj dite. E për një çast, memoria më ktheu te brezi im, përjetimi i asaj date, atëherë kur muaji maj sillte me vete data të shënuara: 1, 5 dhe 9 maji.

Dekoristi Isa Daja
Dekoristi Isa Daja

E bashkë me to edhe dekadat e famshme të majit, kur pasi përfundonin shfaqjen në Teatrin e Operës, ndërmarrjet ishin të detyruara të jepnin shfaqje edhe në sheshin e madh të Tiranës. M’u kujtua kur nisnin përgatitjet për 1 Majin, provat në mesditë në bulevard dhe se si ato ktheheshin edhe si justifikim për mospërgatitjen tonë të nesërmen në shkollë. Më kujtohet kur duhet të ishim në orën 5 të mëngjesit në sektorin e caktuar e rrugët bllokoheshin.1 maji

Te “Flora”, në Rrugën e Durrësit, vendoseshin autobusët fizarmonikë të Shkodrës dhe ata që kalonin ishin të privilegjuar, të besuar e me autorizim; më kujtohet kur tribuna ndërtohej e në xhiron e mbrëmjeve, një ushtar që qëndronte pa lëvizur aty të thoshte “largohu, kalo nga krahu tjetër”; më kujtohet kur në tribunë dilnin udhëheqësit, nga 1 te 11 apo 13, anëtarë të Byrosë Politike dhe kandidatët, të gjithë me borsalinë, si “I pari”.1 maji

Më kujtohet kur flitej se Hoxha vinte nga një tunel poshtë, por jo; më kujtohet kur ekzekutohej Himni Kombëtar dhe një anëtar i Byrosë mbante fjalimin; më kujtohet kur në tribunë hipnin nxënës, të zgjedhur, me lule në duar; më kujtohet që të ftuar kishte dhe nga partitë komuniste, marksiste-leniniste, miq të Shqipërisë, sidomos një italian me emrin Fosko Dinuci i Partisë Komuniste; më kujtohet përshëndetja me dorë apo barsalino e ‘Numrit 1’, dhe njerëz të qeshur që vështronin nga ai. “Fat i madh” kush do të kapte buqetën me lule që ai do t’ia hidhte turmës; më kujtohet transmetimi televiziv, me zërin e Alfons Gurashit, simbol i TVSH-së, i vendosur në një kabinë ngjitur me tribunën.

Më kujtohet kur mbaronte parakalimi, ishte ditë pushimi, festa vazhdonte, të gjithë vërshonim në bulevard; më kujtohen shumë fytyra, që vit pas viti do të mungonin në tribunë, si armiq të pushtetit, popullit; më kujtohet çfarë entuziazmi madhështor i një populli, klasës punëtore, rinisë kooperativiste ishte ai 1 Maj… Më kujtohet që asnjëherë nuk kemi kaluar një 1 Maj si i këtij viti, me maska, meqë sigurisht nuk do të kishte parakalime, por frikë, as grumbullime, as ora 5, as festime, arritje, suksese, realizime, pesëvjeçarë apo “më të fortë se kurrë”, shoqëruar me sloganet “unitet parti-popull”, “të gjithë të bashkuar rreth partisë e shokut…” Kujtesa më ndalet në tribunë. Atje i kishin sytë të gjithë. Isa Daja, nga viti 1970 deri më 1990, ka qenë një ndër punonjësit e njohur të Dekorit të Tiranës. I pranishëm në çdo festë të tillë, ai i rikthehet 1 Majit dhe rrëfen për gazetën “Panorama” sesi organizohej puna në dekorin e Tiranës, montimi i tribunës qendrore, prania e Sigurimit, provat, frika për pakujdesi dhe pse tribuna nuk vendosej më te hotel “Dajti”. “Pas ’70-ës, ajo montohej te Kryeministria, për siguri, pasi nga ‘Shallvaret’ ekzistonte mundësia për ndonjë atentat. Të paktën kështu flitej”, tregon ai.1 maji

Z. Daja, si niste përgatitja për 1 Majin?

Ishte dekori që niste me zbukurimin e qytetit, vendosjen e pankartave, parullave, banerave të mëdhenj, fotografitë e udhëheqësve në përmasa të mëdha, ku ishte mundësia që të dukeshin në fasadat kryesore të qyteteve, dikastereve. Shoqëruar me flamuj të kuq. Ishte një fushatë, gjatë së cilës përgatitej gjithçka që do të shpalosej jo vetëm për 1 Maj, por gjatë gjithë muajit.

Kur montohej tribuna e udhëheqjes??

Një muaj e gjysmë përpara, nga magazina dilte skeleti metalik i saj, që si zakonisht qëndronte në një mjedis të mbyllur, të siguruar në Stadiumin “Qemal Stafa”. Montohej, çmontohej, vit pas viti. Vinin specialistë, saldatorë, që punonin pa ndërprerje. Pas tyre ishim ne.

Ju kujtohet si ishte e ndarë, si funksiononte ajo?

Tribuna ishte e ndarë në tre sektorë. E para për anëtarët e Byrosë Politike dhe vetëm për Sekretarët e Komitetit Qendror. Sektori i dytë ishin anëtarë të KQ, ministrat, deputetë, trupi diplomatik, të huaj, marksistë-leninistë etj. Sektori i tretë, për të ftuar njerëz të zgjedhur, heronj të punës, të dekoruar, punonjës të dalluar, drejtorë, të gjithë sipas një protokolli.

Ç’materiale përdornit?

Tribuna nuk ishte e mbuluar. Për arredimin e saj përdorej material shumë i mirë tekstili, që përshtatej edhe për rrethanat metereologjike. Të paktën për atë ditë, nëse binte shi apo jo. Ishte material dopio, që rrinte i tendosur dhe rezistent. Rëndësi kishte telajoja, bazamenti poshtë ku do të qëndronin udhëheqësit.unnamed (7)

Gjithçka montohej gjatë netëve para 1 Majit. Me sa kujtoj, dikur tribuna vendosej te hotel “Dajti”, pse u zhvendos?

Deri në 1970, tribuna vendosej te hotel “Dajti”, por, për arsye sigurie, nga frika për një atentat me snajper nga ‘Shallvaret’ ajo u spostua dhe në vite ka qenë vetëm para Kryeministrisë. Të paktën ky ka qenë motivi, siç flitej nën zë. Edhe gjatë kohës që punonim, njerëz të Sigurimit qëndronin aty 24 orë pa ndërprerje. Bashkë me ta edhe ushtarë të Gardës. Për çdo dyshim, sabotim, frikë, atë muaj bllokohej trotuari në krah të Kryeministrisë dhe kalimtarët kalonin në bulevard. Kishte pak trafik, pak makina.

Si garantohej siguria e tribunës?

Zakonisht, tribuna ishte gati dy ditë përpara. Dhe gatishmëria ishte shumë e lartë. Për të provuar garancinë, merreshin rreth 100 ushtarë, të cilët hipnin në tribunë, duke bërë prova për qëndrueshmërinë, sigurinë e bazamentit të saj.unnamed (6)

Parakalimi i makinave ishte një moment i rëndësishëm i paradës, kush i dekoronte?

Dekori i makinave bëhej te dekori i rrugës “Konferenca e Pezës”, te xhamia e Rrugës së Kavajës. Në atë kohë, rruga ishte thuajse e bllokuar nga vargu i madh i tyre. Ishte punë e vështirë, pasi makinave i hiqej karroceria, vendosej bazamenti metalik, bashkë me telajon sipas projektit dhe çfarë përfaqësonte, e detajuar sipas orientimeve të piktorëve dekoristë. Punë me përgjegjësi apo jo? Puna e dekorit ishte e përqendruar te pankartat, banerat, sistemimi i makinave, por më kryesorja rregullimi i tribunës qendrore dhe portretet e udhëheqësve. Kishte piktorë, specialistë në atë fushë që projektonin. Për sfondin e tribunës duhej kujdes i madh, sepse ishte mesazhi kryesor që jepej, trajtohej situata aktuale, kishte lidhje me ngjarjet e kohës, por që nuk ndryshonte shpesh.unnamed (5)

Ka pasur raste kur jeni kapur në ndonjë gabim?

Nuk ndodhte kurrë që diçka të mos funksiononte, para dhe gjatë manifestimit, pavarësisht në diell apo shi, deri në çastin e fundit në punë, sepse çdo gjë kontrollohej nga punonjës të Komitetit të Partisë. Germat realizoheshin me bojë e bukë peshku. Sa herë qëllonte një germë apo fjali jo e shkruar sipas drejtshkrimit, që ui ishte kaluar redaktorëve, ripunohej me shpejtësi. Vinte Xhelil Gjoni, orientonte sipas direktivave që kishte dhënë Partia. Kishte raste që i çonte për t’u qethur punëtorët, të cilët nga frika i fshiheshin kur ai vinte te dekori.

Kishte fond të caktuar për dekorin e 1 Majit?

Fondi ishte pa limit, askush nuk mund të thoshte se nuk ka para. Buxhetin financiar e nxirrte Komiteti Ekzekutiv, ndërsa porositë i jepte Komiteti i Partisë.unnamed (4)

Çfarë ndodhte kur mbaronin festimet?

Magazina e dekorit i ruante dhe shumë banera, pankarta, i rikthenim aty. A mund të merrte guximin dikush e të urdhëronte për nxjerrjen jashtë përdorimit, prishjen e parullave ku shkruhej “Rroftë KQ me Shokun Enver Hoxha në krye”?!

Po në qytete të tjera, si festohej?

Kryesorja ishte Tirana, qeveria, byroja. Në qytete të tjera, nuk kishte tribunë, por organizoheshin manifestime, muzikë, altoparlantë, si një ditë feste me pjesëmarrje të detyruar masive, me nxënës, punëtorë ku demonstroheshin arritjet, realizimet. Sigurisht, edhe me dekorime.

Si e keni pritur ju personalisht 1 Majin?

E prisnim me kënaqësi kur vinin festat, si 1 Maji, 28-29 Nëntori, votimet. Lodheshim, por paguheshim mirë. Portretet e udhëheqësve kishin pagesa të larta se realizoheshin me dorë. Shpërbleheshim deri edhe 24 mijë lekë të vjetër kur përfundonte aktiviteti.

Ju kujtohen detaje nga manifestimet, se janë vite dekada të harruara?

Më kujtohet që shkollat, ndërmarrjet dhe kush ishin caktuar në kuadrate, bënin prova në bulevard gati dy javë para 1 Majit. Pastaj, dita, grumbullimet bëheshin në rrugët dytësore të Tiranës, nga ajo e Elbasanit, vijonin nga stadiumi “Qemal Stafa”, ndërsa të tjerët nga Unaza, stadiumi “Dinamo”, për në fund të bulevardit tek Universiteti nga niste parakalimi. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të ishin në orën 5:000 të mëngjesit në vendet e tyre, si shkolla, institucione, ndërmarrje, kooperativa që ishin caktuar më parë, në pritje kur t’i vinte radha. Rregulli nuk mbahej me policë, por me vullnetarë GPM, siç quheshin. Parakalimi nuk zgjaste më shumë se një orë e gjysmë.

Kur niste ceremonia?

Në orën 10:00, të gjithë ishin në pritje, kur në tribunë do të dilte Enver Hoxha. Ai vinte me mjetin e tij. Pas tij anëtarët e Byrosë, që do të zinin radhën e parë. Ndërkohë, para tribunës qëndronin rreth 1000 studentë, punëtorë të veshur me pantallona të bardha e bluza të kuqe, që kishin formuar shkronjën dhe germën “1 Maj”, në përmasa të mëdha.

Si zgjidheshin ata që qëndronin nga krahu i tribunës?

Rëndësi kishte cilët do të qëndronin nga krahu i tribunës, pra, jo njerëz me biografi të dyshimtë, të cilët me kujdes spostoheshin nga bashkimet profesionale me porosi të Komitetit të Partisë, duke gjetur mënyrën që ata të mos ishin. Nga krahu i tribunës zgjidheshin njerëz të Partisë, persona të besuar.

A ndiqej një protokoll në parakalim?

Atë e hapte Rajoni 1, grupi i flamurtarëve të sportit, të vendosur në kuadrate. Ishin njerëz të fuqishëm, të zgjedhur nga Shkolla e Bashkuar, mjeshtër sporti, përfaqësues të klubeve të kryeqytetit, që mbanin parullat, fotografitë e mëdha të udhëheqësve, një grup prej 40 vetësh. Vinte miniera e Valiasit, me veshje minatori, të cilët ishin kontrolluar më parë. Pas tyre vijonin institucionet kryesore të Tiranës, njerëz të besuar, rreth 4000 personash. Një numër ky i përcaktuar më parë dhe i detyruar. Kishte njerëz që kontrollonin dhe informonin Komitetin e Partisë, duke iu kërkuar përgjegjësve të rajoneve pjesëmarrjen. Pastaj vinte Rajoni 2, me shkollat, universitetet, ndërmarrjet e elitës. Pastaj Rajoni 3, 4, me fshatin, kooperativat e ndërmarrjet bujqësore, shkollat ushtarake me zboristë të veshur me veshje ushtarake. Dhe këto rajone me 4000 parakalues. Ishte i domosdoshëm ky numër.

Dikur mbyllej me karikaturat e mëdha apo jo?

Po, e vërtetë, në vitet ‘60 ashtu veprohej me karikatura të mëdha të personazheve politikë botërorë, antimarksitë, të cilat i realizonin karikaturistët e njohur të kohës. Ndërsa pas viteve ‘70, mbyllja ishte planifikuar me fëmijët e Pallatit të Pionierëve, Cirkun e Tiranës dhe Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve, si dhe klasën punëtore.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura