Nejmarin tani e urrejnë të gjithë, braziliani lojtari më i shkelmuar edhe në Champions

Dec 5, 2017 | 17:20
SHPËRNDAJE

Transferimi më i shtrenjtë i historisë së futbollit, Nejmar, mund të thyejë një rekord të ri sonte në fushën e Bajernit. Me brazilianin që ka shënuar në të pesta ndeshjet e grupit B, ai do të bëhej futbollisti i parë që shënonte gol në të gjashta përballjet e para të Champions-it nëse do ta gjente rrugën e golit edhe sonte. PSG e ka vendosur që tani rekordin e golave të një skuadre në fazën e grupeve (24) dhe u mjafton që sot të mos humbasin me 4 gola diferencë për të siguruar vendin e parë.

nejmar

Por, PSG do të tentojë që të bëhet edhe një nga pak skuadrat që kanë arritur të marrin pikët e plota në fazën e grupeve (18). Nejmar ka shënuar 6 gola deri tani, ndërsa rekordin e golave në fazën e grupeve e mban Kristiano Ronaldo (2015-16 me 11), por as portugezi, dhe as Mesi nuk kanë arritur të shënojnë në secilën prej 6 javëve të para. Ronaldo dështoi të shënonte në shtëpi kundër Parisit atë sezon, ndërsa Mesi që e mbylli me 10 gola këtë fazë në 2016-17, nuk arriti të realizonte në fitoren 2-1 ndaj Gladbahut (mungoi si pasojë e një dëmtimi).

Por, Nejmar mund të arrijë edhe dy rekorde të reja nëse do të shkëlqejë ndaj Bajernit: aktualisht ai është shënuesi i dytë më i mirë i këtij sezoni me 6 gola në fazën e grupeve, së bashku me Kavanin, Kejnin dhe Ben Jeder. Por, ai mund ta mbyllë në vend të parë nëse do të parakalojë Ronaldon, i cili ka shënuar 8 gola. 25-vjeçari është edhe lojtari më i sulmuar këtë sezon. 20 faulle kundër tij këtë sezon në Champions, ndaj 10 të Mesit dhe 4 të Ronaldos. Marlosi i Shahtjorit me 16 faulle kundër, është i vetmi lojtar që i afrohet. Dhe meqë ra fjala te faullet, “O Ney” nuk është aspak i dashur edhe në Francë.

Ai u kërcënua nga rivali që e mbulonte në humbjen e parë të sezonit kundër Strasburgut 2-1. Nejmar u ndëshkua me karton të verdhë pas ndërhyrjes ndaj Dimitri Lienard. Braziliani e akuzoi për simulim francezin, por në fund mori një karton të verdhë pas ndërhyrjes së vonë, ku u duk qartë që nxori gjithë dufin e tij. Duke folur pas ndeshjes, Lienard zbuloi se çfarë do donte t’i thoshte lojtarit më të shtrenjtë në ato momente: “M’u afrua dhe më tha: ‘Ti po simulon’. Unë duhet t’i kisha thënë: ‘I dashur, sigurisht që ti je një yll, sigurisht që mund të bësh çfarë të duash. Por kur më vallëzon përpara, atëherë unë dua të të dëmtoj’”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura