Në varkë mushamaje 16 veta, tritol vetes nëse na kapnin

Jul 8, 2015 | 14:22
SHPËRNDAJE

Babai iu arratis në vitin 1949, por familjarët e tjerë u burgosën, u persekutuan, u internuan, u përndoqën në të gjitha format.
“Vëllai u dënua 13 vite burg, por, kur doli nga burgu, lufta e klasave bënte kërdinë, ajo ishte e padurueshme, e papërballueshme. Ne kërcënoheshim vazhdimisht të arrestoheshim. Vendosëm që ne, tre vëllezërit, të iknim pa pjesëtarët e tjerë. Por fati i mirë i yni dhe i familjes ishte që mami e pikasi planin tonë, pasi na gjeti kamerdaren me të cilën do të iknim. Ajo filloi të qajë dhe na tha: ‘Nëse jeni burra, nuk do ikni t’i lini gratë t’jua përdhunojnë këta, pak hoqëm ne nga baba’. Kur sheh nënën duke qarë, sigurisht që tërhiqesh. Ajo, në fakt, na mbolli në tru një mendim, o të vdesim të gjithë, o të shpë- tojmë të gjithë, rrugë të tretë nuk kishte”, tregon Haki Fejzollari, ndërsa me babain prej 12 vitesh nuk kishin pasur asnjë komunikim. Letrat që vinin prej tij, i grisnin pa ua çuar në shtëpi. Me ndërtimin e varkës është marrë Ethemi, pasi ishte më “usta” me saldimin.

E ka krijuar në vetëm 3 ditë, aq sa leje i dhanë nga puna si kuzhinier. “Varka është bërë me mushama, pa gozhdë, sepse po t’i vinim gozhdë do duhej ta merrnim të përgatitur, të ndërtuar, deri në liqen dhe do na shihnin rrugës. Mënyra më e mirë ishte që ta bënim të montueshme, të çmontueshme dhe e çuam pjesë-pjesë në breg, e fshehëm. Pak a shumë bëmë disa llogari me ligjin e Arkimedit, sa kubikë do varka që të zhvendoset uji duke llogaritur peshën e njerëzve. Fillimisht menduam që unë dhe vëllai i vogël t’i lëmë fëmijët dhe gratë, por kjo nuk u realizua, sepse vëllai në fund tha ‘unë nuk vij pa fëmijët’. Na rrezikoi shumë në fakt, sepse varka u rëndua dhe nga pesha mbeti vetëm pesë gisht mbi ujë”, thotë autori i librit Ethem Fejzollari. Udhëtimi zgjati 8 orë, u nisën në orën 12:00 dhe në 8 të mëngjesit ishin në bregun maqedonas. “Ne i kishim marrë masat tona, por rreziku ishte njëlloj, si të mbyteshim, si të na kapnim. Por ne kishim një kuti me tritol, i kishim vënë dhe fitilin dhe në çdo rast do t’i vinim shkrepësen të shpërthenim, sepse e dinim se çfarë na priste, më mirë vdisnim aty sesa si minj”, kujton Ethemi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura