Në Teatrin Kombëtar troket reforma

Jan 31, 2014 | 12:44
SHPËRNDAJE

TEODOR LAÇO

  Më në fund, pas debatesh, shkrimesh polemike e konsultash, edhe në Teatrin Kombëtar trokiti reforma. Platformën me titull “Një reformë rrënjësore në TK” e mban nën sqetull regjisori i përzgjedhur midis tre konkurrentëve, Hervin Çuli. Me një përvojë serioze vëniesh në skenë, i përkushtuar e dinamik, ambicioz e polemizues,  herë-herë kontravers, tani do të ishte etike të mos e paragjykojmë dhe të presim frytet që do të pjekë reforma e tij. Se reformat duhen. Sot kjo fjalë ka zëvendësuar përshëndetjet. Si po shkon reforma? A të prekur edhe ty? Për lart apo për poshtë? Është kryefjala e ditës dhe jo vetëm te ne, përderisa edhe Presidenti Obama së fundi tha se do të reformojë sistemin e përgjimeve të tabulateve telefonike. Ndryshimi është se në Amerikë, para se reforma të dalë nga shpërgenjtë, bëhen debate të mëdha nga klasa politike dhe opinioni publik, kurse te ne, me përjashtim të pak analistëve relativisht të pavarur, publiku është thuajse memec. Por jo domosdo edhe shurdh apo i verbër për ta kuptuar kur reforma ka dobi dhe kur bëhet me logjikën e asaj shprehjes figurative “prish bucela e bëj kënaçe”. Ndryshe mund të thuhej edhe “prish shtëpi e bëj kasolle”. Por kjo është një temë tjetër që të merr me vete vetiu.
Teatri e meriton vëmendjen dhe shqetësimin. Dhe jo vetëm të atyre që e bëjnë. Teatri është një Tempull. Ndoshta po aq i lashtë sa edhe tempujt e perëndive të  Olimpit, të cilët, meqë desh t’i mishëronte e t’i shkërbente, njeriu i zbriste në amfiteatrot madhështore. Nga të gjitha artet, teatri është bashkudhëtari më i lashtë i njeriut. Në historinë e tij ai ka pasur apogjetë e veta, por edhe humnerat, për të ardhur i pamposhtur deri në ditët tona, paçka se me gjuhën e tyre të re, kinematografia dhe televizioni ia kanë zënë një hise të diellit. Por pa e shtyrë dot në hije. Ai mbijeton, gjithnjë po aq magjepsës, në kuvendimin e tij të drejtpërdrejtë me njeriun, ndryshe nga simotrat e tij që i flasin nëpër një perde apo ekran. Teatri përjetohet kolektivisht dhe për këtë veçanti, një nga misionet e tij është të zbulojë të panjohura për njeriun dhe t’i kujtojë se ka shumë të pavërteta që maskohen me retorikë vërtetësie. Sall për këtë arsye duhet të jetë i mirëpritur çdo mendim apo alternativë që buron nga dëshira për ta parë atë në lartësinë e misionit artistik.
 Teatri, ligji, shteti
Në të vërtetë, për nga pesha në mbarëvajtjen e reformave, ky trinom do të duhej të renditej në inversin e tij. Në një vend të vogël si i yni, por edhe në vende të tjera më të mëdha, janë politikat shtetërore ato që rreken të promovojnë identitetin dhe prurjet origjinale në thesarin e kulturës botërore. Është Ministria e Kulturës ajo që duhet ta mbajë në sy teatrin, dhe në këtë rast nuk flasim vetëm për Teatrin Kombëtar. Janë edhe 6 teatro të tjera profesioniste në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë e Fier, Teatri i Komedisë dhe ai i Metropolit në Tiranë, teatro private si ai Kames apo teatri shëtitës i Londos. Nga heshtja e tyre e gjatë nëpër media, nuk e di në janë ende teatri i Beratit, i Gjirokastrës e Dibrës. Duket një shtrirje normale, duke e përqasur edhe me fqinjët. Pavarësisht se përveç Teatrit Kombëtar, që cilësohet si institucion qendror, teatrot e tjera në pikëpamje administrative varen nga pushteti lokal dhe pavarësisht nga disa anësi politike në zgjedhjen e drejtuesve të tyre, problemet  themelore janë të njëjta: varfëria e fondeve që i pengon t’i ngrenë synimet e tyre drejt një repertori me vlera të larta që do të tërhiqte më shumë shikues dhe do të sillte në role protagonistësh ajkën e aktorëve tanë, që s’janë aq pak sa pandehet, pamundësia gati e plotë për t’i qarkulluar e ndërthurur shfaqjet me trupat e tjera, madje edhe për turne në qytete më të vogla ku ka ende skena publike, plakja e trupave profesioniste, sepse pavarësisht se Universiteti i Arteve nuk ka reshtur së “prodhuari” aktorë (deri në superprodhim!), janë me gishtat e dorës ata që pranojnë të largohen nga Tirana. Për këto dhe ndërhyrje të tjera në ligjin për teatrin, që i dikton koha, Ministrisë do t’i duhej të mbante afër e të këshillohej me njerëz të elitës së artit. Sado që vetë jam goxha skeptik ndaj termit “elitë”, më duhet ta pranoj se kemi mendje të kthjellëta e me përvojë që duhen dëgjuar para se të bëhet një ligj ose të pranohet një platformë. Do të mund të bëja një goxha listë, por druhem ta bëj sepse të përcaktosh një elitë, term që ka hyrë gjerësisht në fjalorët politikë e sociologjikë të shekullit 20, është një kuturisje groteske, meqë ky term nuk se përputhet gjithmonë me strukturat demokratike që mëtojnë se në vende me demokraci të brishtë, ajo, elita pra, emërohet sipas bindjeve e përkatësive politike. Dhe meqë kompanitë e pavarura, private, te ne kanë lindur e janë shuar duke mbajtur gjithnjë një dorë të ndehur nga shteti, mbetet besoj të merremi me gjetjen e rrugës më të mirë për menaxhimin e teatrove që kemi sot për sot. Tani që u shkri si kripa në ujë Qendra Kombëtare e Artit, një veprim befasues ky, duke e ditur se para krijimit të saj ata që e kërkonin si liman për të shpëtuar nga tutela e Ministrisë ishin njerëz që i përkisnin qartësisht së majtës, drejtorisë përkatëse do t’i bjerë një barrë e madhe që të përmbushë detyrat e saj në disa drejtime. E para, të mbështetë financiarisht ato projekte që japin garanci për nivelin e duhur artistik. (S’po them “të lartë” sepse është një cilësor që po shpërdorohet). E dyta, të marrë përsipër dhe të mbështetë, në bashkëpunim me pushtetin vendor, turnetë e trupave, qarkullimin e shfaqjeve dhe festivalet që tashmë kanë krijuar një traditë. Qarkullimi i trupave do të krijonte një klimë më të ngrohtë e më dashamirëse për teatrin në të gjithë vendin, sepse arti në përgjithësi nuk bëhet e nuk e duan vetëm në Tiranë. Kjo praktikë do të rriste jetëgjatësinë e shfaqjeve, që sot është e shkurtër deri në keqardhje. E treta, nga pozitat e donatorit që ka, Ministria t’u kushtëzojë teatrove numrin e premierave të një sezoni artistik dhe mbase edhe numrin e shfaqjeve, dhe në bazë të këtyre parametrave të përcaktojë qëndrimet stimuluese ose ndëshkuese për të ardhmen. E katërta, të gjejë forma nxitëse për aktorët e regjisorët e rinj që më së shumti vërdallosen nëpër Tiranë, shumica “në pritje të Godosë” që të punojnë, qoftë edhe me kontrata 1-2-vjeçare, në teatrot e rretheve. (Për një analogji, kjo mund të përqaset me kontratat e futbollistëve). E pesta, po kurrsesi e fundit për nga rëndësia, të udhëheqë seriozisht atë që përcaktohet në të gjitha platformat e kandidatëve që “drama shqipe do të jetë themeli i repertorit” (platforma e Çulit). Nuk do të ishte tepërt që ky të ishte një kusht taksativ.
Një kusht taksativ?
A është i mundshëm një kufizim i tillë? Dhe me ç’të drejtë? Pyetjes së dytë i përgjigjemi lehtësisht: Me të drejtën e atij që jep paratë për projekte. Në këtë rast, të ministrive e të bashkive. Përgjigjja e pyetjes së parë është më e vështirë për shkak edhe të sëmundjes sonë kronike; mohimit të asaj krijimtarie që mund të ruhet si vlerë nga e kaluara. Është e vërtetë, shumëçka nuk mbetet më edhe në dramaturgji, sidomos në dramaturgji, ku në disa periudha kërkesat ishin aq skematike e të politizuara, sa të nxirrnin në krye të repertorit të ashtuquajturat “drama dokumentare” si dhe autorë që vinin nga klasa punëtore. Për teatrin dhe filmin ndërhyrja e censurës ishte më e rreptë se për gjinitë e tjera. Por kjo nuk e përjashton faktin që pati jo vetëm vepra që me realizmin e tyre të paindoktrinuar, kjo edhe për shkak të temës së zgjedhur, e kaluan këtë prag dhe qëndrojnë edhe sot e kësaj dite. Për të mos rënë pre e pohimeve globale, pa shembuj, siç bëhet rëndom, po përmend vetëm disa nga veprat e atyre viteve, që mund të kenë interes. “Karnavalet e Korçës” e S. Comorës, “Hijet e natës” e V. Kokonës, “Gjeneral i ushtrisë së vdekur” dhe dramatizimi “Natë pa hënë” të Kadaresë, “Fytyra e dytë” dhe “Mosha e bardhë” të D. Agollit, “Gjaku i Arbrit” e F. Krajës, “Dy krisma në Paris” e P. Kullës dhe Sh. Mitës, “Doktori pacient” dhe “Zonja nga qyteti” të R.   Pulahës, “Pallati 176” e A. Balashit. Pa u mpakur nga modestia, do të përmendja edhe dy pjesë të miat të viteve ‘83-‘84, “Qyteti i akuzuar” dhe “Shi në plazh”. Këto dhe të tjera që më bjerrin tani nga kujtesa, janë të njohura, por të fiksuara në ekran me të njëjtat trupa aktorësh, dhe fort rrallë ka guxuar kush nga brezi më i ri i regjisorëve t’i vërë në skenë. Këtu, drejtori i ri i teatrit bëhet më bindës kur flet për dramën kombëtare, sepse ka guxuar që pas P. Manit të verë në skenë “Hijet e natës”. Po edhe më interesante do të qe të rilexoheshin me syrin skenik disa drama që, pasi arritën deri te prova e përgjithshme, u hoqën nga skena si të gabuara ideologjikisht. Përveç shembullit tashmë përgjithësues të “Njollat e murrme” (M. Jero, regji e M. Luarasit), kujtoj edhe “Dueli” e Q. Buxhelit, “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, “Çështja e inxhinier Saimirit” e F. Paçramit, “Drama e partizanit pa emër” e F. Arapit, “Orfeu zbret në ferr” e Sh. Ginës… Pa përmendur pastaj shumë drama me trajtim modern që ofron dramaturgjia kosovare. Por edhe në këto 20 vitet e tranzicionit demokratik, paçka se jo aq sa do të duhej, në skenat tona nuk kanë munguar as autorët shqiptarë. Vetëm në 5-6 vitet e fundit, në TK janë shfaqur pjesë të M. Luarasit, R. Pulahës, T. Laços, B. Kozelit, S. Çapalikut, në Shkodër të F. Krajës, S. Çapalikut, R. Dibrës, në Fier të P. Kullës e A. Priftit, në Korçë të Pulahës, Dokles, K. Blushit e një komedi e imja, në Vlorë dhe Teatrin e Metropolit të F. Hysit, në Durrës të B. Hoxhës…. Edhe kaq sa përmenda janë një apel i shpejtë i kujtesës dhe të më falin të harruarit. Përfundimi i këtij enumeracioni titujsh e autorësh ka pikësynimin se ndoshta skeptikët dhe ata që vuajnë nga sindroma e mohimit, binden se është e mundur që ata që lëvrojnë dramën, më me përvojë e ca më tepër të rinj, janë një bazë mbi të cilën mund të mbështeten ata që janë fillesa e çdo projekti teatror, domethënë regjisorët.
Në  kërkim të një modeli
Deri tani, teatrot tona kanë funksionuar sipas një skeme të bazuar në një trupë permanente, që shpesh ngjan të jetë e ngurtësuar dhe pa shumë hapësira për të rinjtë. Me gjithë minuset e saj, kjo mbetet mënyra më e pranuar për teatrot e vendeve si i yni, kombëtare apo bashkiake qofshin këto. Po sjell një shembull, por për të shmangur çdo rrudhje buzësh se mos ky është një model rus, meqë aty kam punuar në vitet 2006-2008, po e sqaroj që në fillim se atë e kam gjetur në qytetin Saint-Ettiene të Francës. Ky qytet, i dhjeti nga madhësia, kishte një teatër komunal që mbahej kryesisht nga Bashkia, e cila jepte rreth 3/4 e fondeve. Teatri kishte 700 vende si dhe një sallë të vogël për 100 spektatorë, ku shfaqeshin pjesë me pak personazhe, monodrama, recitime të poezisë e prozës së shkurtër. Kishte një trupë të përhershme me rreth 40 aktorë, natyrisht me kontrata pune që si çdo kontratë parashikonin detyrime të dyanshme. Po e përmend këtë gjë të njohur rëndom sepse ka kohë që flitet se gjysma e aktorëve të Teatrit Kombëtar paguhet pa punuar dhe as që mendohet të duhet bërë edhe gjysma tjetër e domosdoshme e pyetjes: po kush iu dha punë dhe ata nuk e bënë? Nëse punëmarrësi refuzon të bëjë punën për të cilën paguhet, punëdhënësi ka të drejtën ligjore ta largojë. Por nëse punëdhënësi nuk të ofron asgjë? Vegjeton trupa, që mësohet me rutinën e dembellëkut, por vegjeton edhe administrata që nuk e vret mendjen për të përmbushur detyrimin e saj ndaj trupës. Kur akuzohen aktorët për pagat e marra pa punuar, gjithnjë harrohet se ka qenë udhëheqja administrative dhe artistike ajo që me zgjedhjet e saj, me qasjen ndaj pjesëve teatrale me dy, tre apo katër role – dhe kjo ka qenë e shpeshtë në të gjitha teatrot (s’është e nevojshme ta komentojmë përse kjo zgjedhje!), vetvetiu kanë përjashtuar nga jeta skenike, përveç atyre që janë rastësisht në teatër, edhe aktorë me dhunti të provuara. Pikërisht kjo plogështi ishe e shmangur në teatrin për të cilin fola. Numri i premierave në skenën kryesore ishte 6-7 në një sezon, kurse skena e vogël ishte arena ku duhej të tregonin aftësinë e tyre gjithë të tjerët. Kjo nuk do të thotë që të veprohet sipas atij vargut popullor “nuse ku kalle këmbët, aty të rënçin dhëmbët”. Në art ka gjithmonë seleksionim, por ai duhet të jetë bindës dhe i drejtë. Kështu, më vjen natyrshëm dyshimi për mënyrën e organizimit me kontrata njëvjeçare që propozon Çuli në platformën e tij. Kjo kohë kaq e shkurtër, sidomos kur repertori i lihet rastësisë, është jo vetëm e pamjaftueshme, por edhe rrezikshme, sepse, nëse lë jashtë trupës profesioniste, thënë ndryshe pa rrogë, një grup aktorësh, ata nuk mund të rrinë në pritje që dikush t’i thërrasë. Teatri nuk mund të funksionojë me logjikën e një toge ushtarësh-rekrutë, sipas komandës “toga mblidhu-toga shpërndau”. Këtë shije, qofsha i gabuar, të lë edhe përdorimi disa herë i fjalës “rekrutim” në vend të “punësim”. Diskutim ngjall edhe shprehja “asnjë aktor i TK nuk ka të drejtë të impenjohet në një institucion tjetër privat apo publik të artit skenik për aq kohë sa zgjat kontrata me institucionin qendror”. Një kushtëzim i tillë e përjashton bashkëpunimin e vetë teatrit me sivëllezërit  e tij, sidomos me kinematografinë. Vërtet duket anormale që një njeri këtu të marrë pagën dhe gjetiu të punojë, por kjo është e zgjidhshme kur është fjala për institucione publike. Përveç të tjerave, mendoj se është e udhës që teatri të ketë një fond rezervë, për angazhimin me kontrata provizore të aktorëve jashtë organikës së tij. Rikthimi i detyrës së Udhëheqësit Artistik dhe një bord prej e shumta 5 vetash për të gjykuar repertorin, sidomos dramaturgjinë kombëtare, do të krijonte një bindje më të madhe se në teatër nuk këndon vetëm një gjel. Për të tjerat, mbetet urimi për punë të mbarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura