Në pak ditë 3 të helmuar, ngrihet alarmi në Gjirokastër: Do largohen të huajt

Jul 3, 2018 | 22:24
SHPËRNDAJE

Gjirokastra është një prej qyteteve më të vizituara në vend, por shërbimet e ofruara për turistët mbeten ende jashtë standardeve.

Problematikat që dolën në pah gjatë një takimi pak ditë më parë në prefekturë, ku merrte pjesë edhe zv.ministri i Turizmit, kishin të bënin pikërisht me shërbimin që u ofrohet turistëve të huaj.

4-1

Edhe pse Gjirokastra është një vend i mbrojtur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, turistët që vizitojnë qytetin me ndërtesat karakteristike të arkitekturës së vjetër dhe kalanë e saj, nuk janë të mbrojtur nga ushqimet që servirin restorantet në këtë zonë.

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Maksim Hoxha, duke folur gjatë takimit për problematikat e sezonit turistik, ngriti si shqetësim standardin higjieno-sanitar dhe mospërmbushjen e kushteve për ofrimin e këtij shërbimi nga shumë restorante të vogla të çelura rishtas, duke theksuar se ka pasur disa raste kur turistët janë helmuar nga ushqimi.

Po kaq shqetësuese, sipas tij, është edhe konkurrenca e pandershme e njësive akomoduese të palicencuara që, sipas tij, janë duke ulur në mënyrë abuzive çmimin e shërbimit në qytet.

“Ky rajon mund të ketë zhvillim falë turizmit, ndaj duhen zgjidhur problematikat. Restorantet janë shtuar, por një pjesë e mirë e tyre janë pa kushte higjieno–sanitare. Në maj janë regjistruar tri helmime të turistëve nga ushqimi. Ka restorante që kanë një tualet të vetëm, të përbashkët, si për femra e për meshkuj. Këto nuk janë standardet që duhen për të zhvilluar turizëm në Gjirokastër. Një turist i kënaqur, të sjellë edhe të tjerë, por po kështu i largon një turist i pakënaqur”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë.

Për drejtorin e Drejtorisë së Tatimeve në Gjirokastër, Ilir Metaj, ndonëse në booking aktualisht janë rreth 70 subjekte që ofrojnë shërbime për akomodimin e turistëve, në terren është i vështirë verifikimi i tyre.

Një pjesë e atyre që ofrojnë shërbime për turistët janë subjekte të padeklaruara e të palicencuara, që kanë kthyer katet e dyta të shtëpive të tyre në hotele ose bujtina duke rritur informalitetin, gjë e cila ndikon në pasigurinë e ofrimit të shërbimit dhe konkurrencën e pandershme.

Ai tha se tatimorët po hasin në rezistencë nga ana e familjarëve, e si pasojë nuk mund të hyjnë nëpër banesa për të ushtruar kontroll. Metaj bëri thirrje për vetëdeklarim të të ardhurave personale ose regjistrim vullnetar.

Në fjalën e tij, zv/ministri për Turizmin, Hajrulla Çeku, pranoi se në krye të listës së ankesave për sezonin radhiten ato për higjienën e mjediseve të shërbimit, standard që, sipas tij, vendoset së pari me ndërgjegjësim të operatorëve brenda tregut turistik. Çeku pohoi se nëse ka raste të helmimeve, këto ngjarje vënë në diskutim çdo standard tjetër që mund ta plotësojmë lehtësisht.

“E kemi pranuar përherë se aksione të tilla nuk janë zgjidhja përfundimtare, por deri atëherë nuk duhet të rrimë pa bërë asgjë”, u shpreh Çeku.

Të dhënat zyrtare të këtij viti flasin për një rritje prej 20 për qind të interesit turistik në të gjithë rajonin jugor, krahasuar me një vit më parë. Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2018, Kalaja e Gjirokastrës ka pritur mbi 10 mijë vizitorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura