“Ne nuk jemi të kënaqur me BE-në”- Rama nga Kievi: S’bëhemi nervozë nëse i jepet statusi Ukrainës, por po nuk e zhbllokuan çështjen e Maqedonisë së Veriut…

Jun 15, 2022 | 20:17
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama tha nga Kievi se nuk janë të kënaqur me Bashkimin Evropian dhe kjo tashmë nuk është sekret. Në konferencë të përbashkët me Presidentin ukrainas dhe kryeministrin e Malit të Zi, Rama u shpreh se rrugëtimin për në BE nuk e duan për shkak të Parisit, Londrës apo Brukselit, por për shkak të të ardhmes së brezave.

“Ne nuk jemi të kënaqur me BE dhe kjo nuk është sekret. Jemi të angazhuar ndaj rrugëtimit evropian jo për shkak të Parisit, Londrës apo Brukselit, por për shkak të së ardhmes së brezave tanë të ardhshëm. Nga ana tjetër e kuptojmë këtë dëshirë të zjarrtë të Ukrainës për ta pasur tani këtë gjë. Pasi të merrni statusin e vendit kandidat do të përballeni me realitetin që statusi kandidat nuk është aq sa shume mendonit, por është mirë që ta keni dhe nga ana jonë keni  mbështetjen tonë”, tha Rama.

Teksa shprehur mbështetjen maksimale që Ukraina të marrë statusin e vendit kandidat, Rama iu drejtua Zelenskyt duke i thënë që të mos jetë shumë entuziast, ndërsa i solli shembullin e Shqipërisë që ka shumë vitë që ka marrë statusin, por ende nuk kanë nisur bisedimet.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se nëse Këshilli Evropian nuk e zgjedh  cështjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, atëherë do të kërkojnë që të veçohen.

“Nuk dua që tu jap njerëzve që mund të na shohin tani përshtypjen që kjo është diçka pa vlerë. Sepse nuk është kështu. Statusi kandidat është një njohje e rëndësishme e asaj që ti i përket dhe Ukraina i përket bashkësisë evropiane. Është e drejta e Ukrainës që të jetë pjesë dhe është detyra e Evropës që ti përgjigjet këtyre kërkesave.

Mund të marrësh statusin kandidat dhe të nesërmen dielli nuk lind më herët, jeta do të jetë po aq e vështirë. Por do të përmirësohet falë qëndresës suaj. Është një proces shumë i gjatë. Ne u bëmë vend kandidat në 2014 dhe ja ku jemi në pritje për të nisur bisedimet. Na thonë që e meritojmë, por ka diçka që nuk shkon mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Megjithatë nuk e di kur do ti nisin negociatat, sepse nuk varet nga ne dhe as  nga BE. Nëse edhe në këtë këshill evropian nuk do jenë në gjendje të zhbllokojnë Maqedoninë e Veriut do kërkojmë që të ndahemi. Nuk e di kush do jetë reagimi. Jemi këtu për ti thënë mikut tonë, por të gjithëve që nuk keni asnjë problem nëse BE i jep statusin kandidat Ukrainës. Askush nuk duhet të thotë, jo se po t’ja japë Ukrainës këta të tjerët do bëhen nervoz. Jo nuk do bëhemi nervoz, do jemi të lumtur që BE do bëjë diçka për vetën.  Nuk e di sa mund të dëgjohet zëri ynë, por ne duhet ta themi”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura