Në makinë me prokurorin/ Policia dyshon se donin ta eliminonin, ç’po ndodh me “Rrumin”. Dëshmia e tij …

Nov 7, 2019 | 11:19
SHPËRNDAJE

Për shkak të një plumbi që e ka goditur në fytyrë, saktësisht në pjesën e nofullës, Pëllumb Muharremi (Aleksandër Laho), apo i njohur si “Rrumi”, ende nuk e ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen.

Pëllumb Muharremi (Rrumi)
Pëllumb Muharremi (Rrumi)

I konsideruar njësoj si prokurori Ndoja, objektiv i atentatit ku mbeti i plagosur dhe që kishte si qëllim eliminimin e tij, Muharremi pritet që të merret në pyetje në momentin që do të ketë mundësi fizike për të folur.

Sipas mjekëve të Spitalit të Durrësit, ku ai vazhdon të marrë mjekim, “Rrumi” e ka ende të pamundur që të komunikojë. Megjithatë, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar.

Andi Maloku ishte personi që u plagos rëndë gjatë atentatit të ditës së premte, ku mbeti i plagosur edhe prokurori Arian Ndoja dhe Pëllumb Muharremi.

Ish-polici 30- vjeçar u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, pasi mori ndihmën e parë në Durrës, për shkak se gjendja e tij ishte kritike. Megjithëse ka qenë gjatë gjithë kohës duke komunikuar me mjekët, Maloku kishte dëmtime të rënda në trup nga plumbat.

Por duket se tashmë e ka kaluar rrezikun për jetën. Mjekët e Spitalit të Traumës thanë një ditë pas ngjarjes se 30- vjeçari ka plumba në të dyja anët e mushkërive dhe njëri i ka prekur shtyllën kurrizore, duke e bërë që të humbasë ndjeshmërinë e trupit.

Sipas mjekëve, duhet të kalojë njëfarë periudhe kohë që ata të shprehen më qartë se si do të vijojë gjendja e tij shëndetësore, pasi mund të ketë një përkeqësim të momentit, që mund të ndryshojë rrjedhën e situatës. Siguria e shoferit të prokurorit Arian Ndoja është në maksimum, pasi në spital vijojnë të qëndrojnë jashtë derës dy patrulla Policie dhe një automjet i forcave “Shqiponja”.

Por, kordoni i Policisë që ka qenë ditën e premte pasi ndodhi ngjarja, tashmë nuk është më para Spitalit të Traumës. Andi Maloku ishte në drejtim të automjetit tip “Mercedes Benz GLK”, me targa AA 333 ZD në pronësi të shtetasit Fadil Çalliku, që përdorej nga Arian Ndoja.

Para se të ndodhte ngjarja, ai ka qenë bashkë me prokurorin duke drekuar në një lokal në zonën e plazhit në Durrës, ku kanë takuar edhe Landi Muharremin, bashkë me të cilin më pas janë larguar në drejtim të Tiranës.

Në sediljen e parë ka qenë prokurori Ndoja, ndërsa pas ishte ulur Muharremi. Sapo i janë afruar rrethrrotullimit te mbikalimi i Shkozetit, ata janë sulmuar me armë dhe shoferi Maloku ka devijuar makinën, duke shmangur në këtë formë edhe tragjedinë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura