Në listë 2 të akuzuarit e “Hakmarrjes për drejtësi”, si edhe Besnik Zykaj e Izet Haxhia

Nov 18, 2013 | 9:39
SHPËRNDAJE

Altin Arapi, Orik Shyti
Altin Arapi e Orik Shyti mes më të kërkuarve.

TIRANE – Në listën që u publikua dje në faqen zyrtare në internet të Policisë së Shtetit rezultojnë si më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare edhe dy prej të akuzuarve si pjesëmarrës të organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. Emrat, fotot, të dhënat personale, si dhe vitet e dënimit janë pasqyruar mes 742 emrave edhe për Altin Arapin dhe Orik Shytin, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm, i pari me akuzën “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e “vjedhje me pasojë vdekjen”, i dyti për “akte terroriste”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e “vjedhje me pasojë vdekjen”. Gjithashtu, bashkë me ta, rezulton si një prej personave më të kërkuar edhe bashkëpunëtori i tretë i tyre në organizatë, Kreshnik Spahiu, i dënuar me 25 vjet burg, për akuzat “vjedhje me armë në bashkëpunim”, “vjedhje me armë me pasojë vdekjen”, “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “vjedhje e bankave e arkave të kursimit” dhe “falsifikim”. Të tre këta persona ndodhen jashtë Shqipërisë. Altin Arapi, edhe pse vazhdon të jetë në arrati, ka qenë mjaft aktiv vitet e fundit, duke reaguar vazhdimisht në media nëpërmjet letrave që dërgonte. Arapi shprehej se të vërtetat për organizatën e tyre janë të shkruara në librin që botuan vëllezërit Shyti “Ne,‘Hakmarrja për Drejtësi’ dhe…”.

Besnik Zykaj
Një ish-oficer i Policisë Kufitare, i dënuar me burgim të përjetshëm, rezulton në listën e Policisë së Shtetit, i cilësuar si një prej personave më të rrezikshëm. Ai është Besnik Zykaj dhe është dënuar për një vrasje që ka ndodhur në vitin 1994, kur ai ka qenë me detyrë komandant i Postës Kufitare të Velipojës dhe, gjatë tentativës së dy të rinjve për të kaluar ilegalisht kufirin, ai ka qëlluar duke i vrarë të dy. Për këtë ngjarje është dënuar nga Gjykata e Shkodrës në vitin 1996 me burgim të përjetshëm.

Izet Haxhia
Edhe Izet Haxhia, i dënuar me 25 vjet burg, i akuzuar si një prej autorëve të vrasjes së Azem Hajdarit, është përfshirë në listën e personave më të kërkuar të Drejtësisë shqiptare. Teksa ndodhej i arrestuar në Turqi, Izet Haxhia, aplikoi disa ditë më parë në Gjykatën e Strasburgut, duke pretenduar se Drejtësia shqiptare ia ka shkelur të drejtat, kur e ka dënuar më 2003-shin për vrasje, me vendim të Gjykatës së Lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura