Në kërkim të kohës së humbur

Jul 1, 2011 | 10:39
SHPËRNDAJE
Një nga punimet e piktorit Mikail Papuçiu

Ndjesia e parë që të krijohet teksa i sheh është ajo e braktisjes. Të duket se ndien një erë të thatë që përshkon hapësirat mes hekurishteve të ndryshkura dhe kërcitjen e trupave të amortizuar. Pastaj, se ç’të vjen një dëshirë për të prekur telajon.. Ata vagonë të vjetër treni duken kaq të gjallë, saqë në mënyrë instiktive ia ndien athëtimën e erës së ndryshkut. Dhe është absurde, sepse treni ka simbolizuar gjithnjë lëvizjen, ndërsa kësaj here është një ngecje në vend që të ngjall trishtim. “Fugit irreparabile tempus…”. Kështu e ka titulluar ekspozitën e tij piktori fierak Mikail Papuçiu, hapur në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Janë rreth 40 punë, vaj në kanavacë, të punuara gjatë 7 viteve, që e sjellin Papuçiun para publikut shqiptar pas një periudhe të gjatë largimi nga Shqipëria, fillimisht drejt Greqisë e më tej në Milano, ku kontakti i tij me artin bashkëkohor ka qenë i drejtpërdrejtë. “Fugit…” në një farë mënyre është opinioni i tij për vendin që ka lënë vite më parë. Ata vagonë të ndryshkur simbolizojnë kohën e mbetur në vend, të pariparueshmen dhe thirrjen për të vënë në lëvizje trenin e ri të kohës.
Jeni larguar prej vitesh nga Shqipëria, përse kaq vonë me një ekspozitë?
Më janë dashur 6 apo 7 vjet ta realizoj këtë cikël pikturash. Ishte një cikël që kërkonte kohë, nuk ishte një emocion i momentit dhe donte kohë të piqej, jo thjesht nga ana kompozicionale, por edhe teknika në të cilën ato janë punuar për të ardhur me një formë të plotë. Kisha kënaqësinë të prezantohesha para publikut dhe kolegëve të mi me më të mirën…
Zakonisht treni është simbol i lëvizjes, megjithatë në tablotë tuaja ata kanë ngecur në vend. Ç’kërkoni të thoni përmes tyre?
Kur u ktheva pas një kohe të gjatë në Shqipëri, më goditi pamja e këtyre trenave të ndryshkur dhe ata më dhanë ndjesinë sikur koha kishte ngelur në vend. Nuk shikoja zhvillim, ecje përpara. Dhe këtë nuk mund ta jepte asgjë më mirë se këta trena. E kam titulluar “Koha që ikën në mënyrë të pariparueshme” sepse dëmi i shkaktuar në të shkuarën e që ka lënë gjurmë në të sotshmen, është vështirë të riparohet. Koha nuk kthehet më pas.
Megjithatë, duket se e ka edhe një aspekt shpirtëror, që lidhet me ato gjëra që do të donim t’i kishim bërë ndryshe në jetët tona, por nuk mundemi ta kthejmë më kohën pas…
Sigurisht. Qysh në momentin që ne lindim, koha nuk kthehet më, por ecën. Ndodh që në një moment të caktuar të jetës sonë koha të ngecë, dhe kjo është pariparueshme.
Sigurisht që ia vlen. Është kënaqësia e punës së përfunduar. Në fillim unë e shoh punën në mendjen time e pastaj, për ta realizuar atë, kërkohet shumë punë. Është rezultati i një pune 30-vjeçare që më ka dhënë këtë qartësi që unë kam për pikturën time.
E, në të vërtetë, nuk i reziston dot tundimit të prekësh telajon…
Në fakt, qartësia e imazheve është aq e madhe, saqë shumë çuditen se gjithçka është realizuar me dorë…
Nga Shqipëria në Greqi, pastaj në Itali. Ky miksim kulturash ju ka ndihmuar në rrugën tuaj?
Eksperienca jashtë shtetit, më pak në Greqi e më shumë në Milano, ku kisha një kontakt të drejtpërdrejtë me artin kontemporan, me galeristë dhe artistë nga gjithë bota, më ka dhënë mundësi të ballafaqoj punën time me atë që zhvillohej në fushën e artit bashkëkohor.
E vështirë të “dalësh mbi ujë”?
Bota është e përbërë nga individë. Ka individë që kanë talent dhe nga ata pa talent, nga individë kërkues e që nuk janë të tillë. Ai që shfaqet do të thotë se ka brumin që nevojitet dhe janë të tjerët që e evidentojnë, por e rëndësishme është të mbetesh vetvetja. Vetëm kështu mund të gjesh vendin tënd, kush më shumë e kush më pak.
Ka të bëjë identiteti?
Patjetër. Tematika është shqiptare, por koncepti bashkëkohor.
Do të riktheheni?
Shpresoj që treni herës tjetër të ketë ecur përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura