Në ekspozitën grafike, femra, mes botës lindore e asaj perëndimore

Nov 19, 2012 | 13:13
SHPËRNDAJE

Si pjesë e “Javëve të arkitekturës së Tiranës” të universitetit “Polis” dhe eventeve të “Tetorit gjerman” në Tiranë, u hap në ditët e fundit të tetorit për të vazhduar deri në fund të nëntorit ekspozita grafike bazuar në temën I.C.O.N.S. (Image of chaos and order in new societies). Kjo ekspozitë i ofron mundësinë skenës artistike të Tiranës dhe audiencës ndërkombëtare që të zbulojë lidhjen që qëndron midis teknikave të ndryshme të gravurës artistike dhe vizatimeve të lira grafike.
Teknikat e stampës artistike dhe vizatimet e lira grafike në Shqipëri kanë ndërkohë traditën e tyre, megjithëse mungesa e një dokumentimi të mirë për këtë është duke u bërë gjithmonë e më e ndjeshme. Për këtë arsye, një nga synimet e kësaj ekspozite është edhe njohja e publikut shqiptar si me punime të stampës artistike bashkëkohore të autorëve të ndryshëm, të njohur ndërkombëtarisht, ashtu edhe me shprehjen e vizatimit të lirë grafik, për të evidentuar fuqinë embrionale të këtyre dy mediumeve artistike. E bazuar në një temë ambivalente në strukturën e konceptit të saj kuratorial dhe duke e përcjellë këtë koncept nëpërmjet veprave të përzgjedhura nga portfoliot artistike të artistëve pjesëmarrës, kjo ekspozitë grafike në galeritë “Zeta” e “Mad” synon që të nxisë refleksionin në lidhje me një sërë aspektesh, të cilat qëndrojnë ndërmjet shoqërive bashkëkohore të së djeshmes dhe të së tashmes; në takimin historik që qëndron ndërmjet dy botëve, asaj lindore dhe perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit. Po ju tregojmë disa prej imazheve që  flasin për një problematike aktuale që prek nga njëra anë vetë femrën, si epiqendra e shoqërisë ku jetojmë, dhe nga ana tjetër gjithë aspektin social. Kuratori Alet Frashëri na njeh me disa prej punëve të artistëve pjesëmarrës.
Në ekspozitë marrin pjesë: Peeter Allik (Estoni), Erik Seidel (Gjermani), Malgorzata Et – Ber Warlikowska (Poloni), Franca Bartholomäei (Gjermani), Majla Zeneli (Shqipëri-Gjermani), Mikael Kihlman (Suedi), Ma?gorzata Malëina Niespodzieëana (Poloni), Agron Mesi (Shqipëri), Alket Frashëri (Shqipëri).

Alket Frashëri (Shqipëri) – Vizatimi i lirë grafik dhe teknikat e stampës artistike mund të kthehen ende në formën artistike më shprehëse në raport me fenomenin e kujtesës dhe të memorizimit. Vizatimet e lira grafike me bojë kine, si edhe ato me laps të paraqitura në këtë ekspozitë janë realizuar ndërmjet viteve 2004 – 2008 dhe vijnë si fragmente të heshtura që reflektojnë perceptimin e autorit mbi aspekte të ndryshme të realitetetit gjatë këtyre viteve. Figura femërore në vizatimet e lira grafike, si edhe në litografitë e Frashërit shfaqet  në forma të ndryshme, komplekse.

Peeter Allik (Estoni) – Një artist i angazhuar intensivisht jo vetëm me polemika që trajtojnë tema politike në vendin e tij, por edhe me probleme të para në një spektër global. Sloganet që ai përdor nënkuptojnë ironi e sarkazëm, alegoritë janë mbajtur në një fryme komike. Megjithatë, në thelb të çdo vepre mbetet një kritikë e mirëfilltë kundrejt udhëheqësve dhe masave që u binden atyre verbërisht. Alliku konsiderohet mjeshtër i gravurës bashkëkohore në linoleum. Nuditeti femëror në veçanti dhe personazhet femërore në përgjithësi janë ndër elementët më të spikatur ikonografik në të gjithë krijimtarinë e Peeter Allik.  Shpeshherë Allik i vendos ato në situata të pazakonta e turbulluese, si për të theksuar edhe më kontrastin e përzishëm që krijohet ndërmjet sensualitetit të trupit femëror, ekzagjerimeve dhe metamorfozave deformuese me këtë të fundit dhe ashpërsisë evokative të dekoreve që i rrethojnë, qofshin ato pyje të egra nordike, fragmente apo peizazhe të jetës urbane. Për këtë arsye dhe jo pa qëllim në tri prej veprave të Allik, të zgjedhura për ekspozitën I.C.O.N.S., përdorimi i nudove femërore brendashkruar këtij vizioni dhe konteksti, bën që ato të marrin trajtat apo karakterin e një forme paralajmërimi.

Franca Bartholomäei (Gjermani) – Në grafikën artistike të Bartholomäeit ilustracioni i ka shtrirë rrënjët e tij shumë thellë. Çdo detaj i veprës së saj tregon një histori. Gjuha simbolike dhe karakteristike e krijueses kombinohet dhe konfrontohet me elementë të gatshëm të kulturës pop, duke krijuar çifte figurative konceptesh si: e re – e vjetër, e përjetshme – kalimtare, e mbetur në vend dhe në lëvizje. Franca, kryesisht i realizon punimet në teknikën më të vjetër të shtypit, siç është inçizoni në dru. Ndërsa nudoja femërore në veçanti, apo figurat femërore në përgjithësi, në gravurën e Francës, të cilat trajtohen hera-herës në ngjashmëri me trajtat e autoportretit, janë në fakt në më të shumtën e rasteve, elementi parësor i cili bën që të intensifikohet ndjesia e melankolisë brenda një fryme neoromantike që karakterizon gjithashtu ksilografitë e autores.

Mikael Kihlman (Suedi) – Është i tërhequr nga gjurmët e historisë, gjurmët e jetës njerëzore, brezave që kanë ardhur dhe kaluar. Stampat e tij lindin nga shënime dhe fotografi. Qytetet jetojnë më gjatë se njerëzit dhe tregojnë për betejat e tyre, shpresat, ëndrrat. Në qoftë se u dëgjojmë zërin ato do të na trgojnë sekretet e tyre të shenjta.  Ndërsa gratë e moshuara në gravurat e Kihlman-it paraqiten gjithashtu edhe si elemente përfaqësuese dëshmuese të kohës së ndërmjetme që qëndron midis të djeshmës dhe të tashmes, por edhe si personazhe nëpërmjet të cilave autori sikur përpiqet te ravijëzojë dhe theksojë ndjesinë e trishtë dhe të padëshëruar të një vetmie skajshmërisht ekzistencialiste.

 Majla Zeneli (Shqipëri) – “Femijet – holograme” janë fotografi të gjetura fëmijësh që duken sikur kanë ngrirë në kohë. Portretet e vogla e të detajuara nganjëherë dyzohen dhe transformohen duke mjegulluar qartësine e fokusit të tyre, në rastin tjetër priten duke u zhvendosur në një dimension të tretë. Kjo pamje e pasaktë forme, çrregullimet e sipërfaqes ku ndodhet imazhi dhe sidomos errësira rreth portreteve, turbullojnë me qëllim perceptimin e shikuesit. “Fëmijet – Holograme” paraqesin fytyrat e “vogëlushëve të vjetër”, që sapo zbuluan të ardhmen e tyre të errët. Zeneli i është përkushtuar një teknike të vjetër grafike, mexotintës, duke i sjellë në të njëjtën kohë ide dhe mënyra interesante në formë dhe aplikim.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura