Ndryshon skema, Qeveria ul pesë herë kompensimin në para të pronarëve

Dec 23, 2017 | 10:00
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Në pamundësi për të kompensuar financiarisht pronarët, Qeveria e ka parë zgjidhjen në ndryshimin e skemës duke dhënë goditjen e radhës për të gjithë ata që kanë vendime të formës së prerë.

Pa u bërë ende dy vite nga miratimi i ligjit të ri, vjen vendimi për t’i dhënë përparësi kompensimit fizik, një tjetër tentativë kjo për t’i shkuar në fund kësaj odiseje çerekshekullore. Pra’ pronarët nuk do të kenë më të drejtë të zgjedhin formën e kompensimit, pasi Qeveria ka vendosur për ta, që në çdo rast të trajtohen me fondin e tokës që ATP ka në dispozicion.

betimi,rama,qeveria

Kjo sërish nuk është e gjitha, pasi edhe në rastet, kur është e pamundur që të ndodhë kompensimi fizik qoftë në pronën e njohur, qoftë nga fondi i tokës, kompensimi financiar është rrudhur në masën 20 për qind, pra nuk do të bëhet i plotë. Kjo do të thotë që pronarët do të kenë mundësi të marrin vetëm 20% të vlerës së faturës dhe jo më shumë se 10 milionë lekë të reja.

Në vendimin e mëparshëm nuk ekzistonte një kufizim i tillë, por vetëm ishte caktuar një prag për kompensimin në të holla, që në asnjë rast nuk mund të ishte më i lartë se 50 milionë lekë, pra, pesë herë më i lartë nga pragu i vendosur së fundmi.

“Në të gjitha rastet kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20% të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 milionë lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës”, thuhet në vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Konkretisht, nëse një familje me skemën e re i takonte të përfitonte 4 milionë lekë, nuk do ta marrë të plotë shumën, por vetëm 20% të saj, që do të thotë vetëm 800 mijë lekë të reja. Për pjesën e mbetur do të shërbejë fondi i tokës. Ky vendim rëndon mbi 24 mijë dosje që iu është njohur e drejta e kompensimit, si edhe mbi ato dosje që janë në proces shqyrtimi. Të vetmit, që nuk preken, janë ata që kanë mbaruar punë duke qenë se vendimi nuk ka fuqi prapavepruese. Vetëm në harkun e 2 viteve të fundit janë rreth 400 pronarë të kompensuar.

FONDI

Për të përmbyllur një proces të tejzgjatur, në kushtet që edhe presioni i Gjykatës së Strasburgut është në rritje, Qeveria nuk u mjaftua vetëm me përmbysjen e skemës dhe rivlerë- simin e trojeve, bazuar në zërin kadastral të origjinës. Nuk u mjaftua as me kufizimin që i bëri kthimit të pronës, duke qenë se me ligjin e ri ka vetëm kompensim fizik dhe jo kthim 100% të sipërfaqes së njohur.

E zënë ngushtë, por me synimin për t’i shkuar deri në fund kësaj rruge, Qeveria ka ngushtuar sërish lakun për pronarët. Sipas një raporti konfidencial të ATP-së, për kompensimin e rreth 24 mijë dosjeve nevojiteshin 200 miliardë lekë. Vlerësimi paraprak ishte bërë në mbështetje të skemës së re, të miratuar dy vite më parë, sepse me ligjin e mëparshëm fatura që rëndonte ishte 4 herë më e lartë.

Por, nga ky fond, Qeveria merrte përsipër të disbursonte vetëm ¼ e tij, pra 50 miliardë lekë. Të ardhurat e tjera, që i mungonin arkës, priteshin të siguroheshin nga fondi fizik. Por çfarë ka ndodhur dy vite më pas?! E njëjta Qeveri vendos të ndryshojë sërish rregullat e lojës. Tashmë do të jetë kompensimi fizik që do të marrë përparësi duke iu dhënë toka bujqësore pronarëve. Rreth 23 mijë ha tokë, që ATP posedon, janë të lokalizuara në 4 qarqe të vendit, përkatësisht në Berat, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër.

PËRFITUESIT

Aktualisht agjencia ka përfunduar vlerësimin financiar për dosjet e 1996-s. Janë rreth 4880 pronarë që kanë mundësi të njihen me masën e përfitimit. Gazeta vijon edhe sot me publikimin e përfituesve të rinj, të cilët kanë të drejtë të paraqiten në ATP për të aplikuar. Për ata që s’kanë faturë, afati i dorë- zimit të dokumenteve është deri në fund të muajit maj të vitit që vjen. Nëse kjo nuk ndodh ,vlerësimi i pronës do të bëhet me çmim minimal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura