“Ndryshimet kushtetuese”/ Njazi Jaho zbërthen ligjin për Gjykatën Kushtetuese: Rastet kur mund të tërhiqet një nga gjyqtarët

Jan 25, 2021 | 15:54
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Njazi Jaho, studiues në fushën e së drejtës, zbërthen për gazetën “Panorama.al” ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, në kuadër të Reformës në Drejtësi, veçanërisht ato që lidhen me krijimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

njazi-jaho-gjykata-kushtetuese

Sipas zotit Jaho, nga 10 nene që përfshihen në Kushtetutën e vitit 1998 për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në 2016 u ndryshuan 9 nene. Juristi i njohur shpjegon se cilat janë subjektet që mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, çfarë duhet të kenë ata parasysh në kërkesën e tyre dhe si merret vendimi në këtë Gjykatë.

Zoti Jaho shpjegon po ashtu edhe rastet kur ligji parashikon heqjen dorë të gjyqtarit nga shqyrtimi i çështjes, kur ka raste të bazuara të dyshohet për mungesë objektive ose paanshmërie. Jaho shpjegon edhe mënyrën se si zhvillohen seancat plenare në Gjykatën Kushtetuese. “Në seancën plenare, çështja shqyrtohet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, por në asnjë rast jo më pak se dy të tretat e tyre (d.m.th. 6 anëtarë).

Si rregull, thirrja dhe drejtimi i seancës plenare bëhet nga kryetari dhe, në pamundësi, nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. Seanca, si rregull, zhvillohet pa ndërprerje. Ligji parashikon edhe heqjen dorë të gjyqtarit nga shqyrtimi i çështjes kur ka raste të bazuara që dyshohen për mungesë objektive ose paanshmërie. Këtë të drejtë e ka edhe pala kërkuese, por për këtë vendos Gjykata. Gjyqtari quhet i përjashtuar kur votat ndahen në mënyrë të barabartë”, shprehet zoti Jaho për gazetën “Panorama.al”.

Në kuadrin e reformës në sistemin e organeve të drejtësisë, janë bërë edhe ndryshime në pjesën e tetë të Kushtetutës, së vitit 1998, ku bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese. A mund të na sqaroni se të ç’natyre janë këto ndryshime?

Në Kushtetutën e vitit 1998, në 10 nene (124-134) sanksionoheshin 10 nene, ku përcaktoheshin parimet, në të cilat mbështetej veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese. Me ligjin nr. 76/2016, me përjashtimin e një neni (nenit 129), të 9 nenet e tjera kanë pësuar ndryshime. Mendoj se këto ndryshime kanë qenë të rëndësishme. Ato kanë synuar ta bëjnë Gjykatën Kushtetuese më të pavarur, më aktive dhe më funksionale. Po përmend vetëm disa nga këto ndryshime:

a) Më parë, të 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese emërtoheshin nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, ndërsa tani 3 anëtarë emërohen nga Presidenti, 3 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe 3 anëtarë nga Gjykata e Lartë;

b) subjekteve që kishin të drejtë të vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, u janë shtuar edhe komisionerët e krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë;

c) janë ndryshuar, forcuar dhe shtuar kushtet dhe kriteret për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Procedura që zbatohet në këtë drejtim është më e qartë, më konkrete, më e detajuar, por edhe më e kontrollueshme;

ç) Sipas nenit 128, gjyqtari kushtetues mban përgjegjësi disiplinore nëse konstatohen shkelje të rënda profesionale dhe etike. Ky proces disiplinor zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese. Ajo, në rastet e parashikuara në këtë nen, vendos shkarkimin e tij.

Në vitin 2016 është ndryshuar edhe Ligji i vitit 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. A mund të na sqaroni disa nga këto ndryshimeve, sidomos ato që lidhen me kërkesat që i dërgohen kësaj Gjykate?

Kërkesat që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nga subjektet e legjitimuara, veç të tjerash, duhet të përmbajnë objektin e kërkesës dhe bazën ligjore, shkaqet dhe shkelje të natyrës kushtetuese, dokumentet dhe provat përkatëse që mbështesin kërkesën etj. Nëse kërkesa plotëson këto kritere, regjistrohet. Nëse nuk i plotëson ato, kërkesa nuk regjistrohet. Për këtë njoftohet kërkuesi që këto boshllëqe t’i plotësojë brenda 10 ditëve. Nëse nuk i plotëson, kërkesa nuk regjistrohet dhe ajo arkivohet.

Si veprohet kur kërkesa plotëson kushtet e parashikuara në ligj?

Ajo i dorëzohet kryetarit të Gjykatës. Pas kësaj hidhet shorti se cili do të jetë relatori i çështjes dhe paraprakisht shqyrtohet nga kolegji që përbëhet nga tre gjyqtarë, ku bën pjesë edhe relatori. Në ato raste kur kërkesa e shqyrtuar në këtë kolegj vlerësohet se përmban elementet e parashikuara në ligj, vendoset kalimi i çështjes në seancë plenare. Është e nevojshme të përmendet se gjatë shqyrtimit në kolegj, nuk shikohet (nuk konkludohet) themeli i çështjes.

Cila është procedura që zbatohet kur çështja kalon në seancën plenare?

Në seancën plenare, çështja shqyrtohet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, por në asnjë rast jo më pak se dy të tretat e tyre (d.m.th. 6 anëtarë). Si rregull, thirrja dhe drejtimi i seancës plenare bëhet nga kryetari dhe, në pamundësi, nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. Seanca, si rregull, zhvillohet pa ndërprerje. Ligji parashikon edhe heqjen dorë të gjyqtarit nga shqyrtimi i çështjes kur ka raste të bazuara të dyshohet për mungesë objektive ose paanshmërie. Këtë të drejtë e ka edhe pala kërkuese, por për këtë vendos Gjykata. Gjyqtari quhet i përjashtuar kur votat ndahen në mënyrë të barabartë.

Si veprohet kur shqyrtimi i çështjes përfundon?

Gjykata tërhiqet për të dhënë vendim, vendimi merret me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve. Abstenimi nuk lejohet. Gjyqtari që mbetet në pakicë, ka të drejtë të arsyetojë mendimin e tij. Vendimi që merr Gjykata ka fuqi detyruese të përgjithshme.

A ka të drejtë Gjykata Kushtetuese të pezullojë gjykimin?

Po, ligji ia jep këtë të drejtë në dy raste:

A) Kur vlerëson dhe vendos të kërkojë opinion këshillimor nga GJEDNJ lidhur me zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Protokollet shtesë të saj. Ajo mund të kërkojë gjithashtu edhe amicus curia nga organizma të tjerë.

b) Kur Gjykata, kryesisht ose me kërkesën e palës, vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesin shtetëror, shoqëror ose të individit, por në çdo fazë të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me vendim të seancës plenare, mund ta heqë masën e pezullimit.

Si veprohet në rastet e ankimimit kushtetues individual?

Ankime të tilla mund t’i drejtohen për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, por vetëm në bazë të kritereve të përcaktuara në ligj dhe kur kërkuesi duhet të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive. Pasojat negative duhet të jenë të drejtpërdrejta dhe reale. Duhet përmendur gjithashtu se kërkesa në këtë rast mund të paraqitet 4 muaj nga konstatimi i cenimit.

Subjektet që legjitimohen t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese janë edhe organet e qeverisjes vendore, partitë politike dhe organizata, por vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Përse është bërë një përcaktim i tillë??

Ky është një problem, që në mjaft raste është trajtuar edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se subjektet e mësipërme dhe disa të tjera, në kërkesat e që bëjnë dhe gjatë zhvillimit të seancës plenare duhet të provojnë p.sh. se miratimi i këtij apo atij ligji (ose dispozite ligjore) ka cenuar ose dëmtuar interesat e tyre. Nëse nuk e vërtetojnë këtë, kërkesa e tyre refuzohet.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura