Ndryshime në Kushtetutë? Manja i jep përgjigje PD-LSI: Asnjë kompromis, opozita të ulet në komision

Jan 16, 2018 | 12:20
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste i ka dhene pergjigje sot kërkesës së opozitës për ndryshimin e Kushtetuës dhe ligjit lidhur me zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, permes kreut te komisionit të Ligjeve.

Ulsi Manja u pergjigje keshtu për amendimin kushtetues të opozitës lidhur me KLGJ & KLP:

Ulsi-Manja

 

“Nuk do të ketë asnjë kompromis mbi Kushtetutën e miratuar me 140 vota. Neser jemi në ditë normale pune në Komisionin e Ligjeve. Opozita nuk mund të na bllokojë politikisht. Ka mekanizma zhbllokues për komisionin ad hoc”.

Bashkëbisedimi i Kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut me gazetarët

E mirëpres këtë bashkëbisedim të shkurtër me ju, për ato probleme që ju i ngrini përditë në mediat tuaja, por natyrisht edhe për t’iu përgjigjur interesit të publikut për prioritetet e punës së këtij komisioni në këtë sesion parlamentar, por edhe në fazën e reformës në drejtësi.

Ka një amendament kushtetues nga opozita depozituar në seancën e djeshme. A do ta pranojë mazhoranca? A do të negociohet për këtë çështje?

Jemi në fazën e zbatimit të reformës në drejtësi. Palët politike e kanë shprehur vullnetin politik me ndryshimet kushtetuese dhe me paketën e ligjeve të reformës në drejtësi, që tashmë janë në fuqi. Kështu që, jemi në një fazë teknike të zbatimit të reformës. Kështu që, do të vazhdojmë të ecim përpara sepse dakordësinë dhe vullnetin politik palët e kanë shprehur me ndryshimet kushtetuese të mesnatës së 21 dhe 22 korrikut.

Përse ka një lloj vonese sa i përket ndryshimeve që duhen bërë në KLGJ dhe KLP?

Në fakt, kam një përgjigje edhe për këtë shqetësim, që e ka ngritur së fundmi opozita. Por, paraprakisht ne jemi në fazën e ngritjes së organeve të reja të drejtësisë. Jemi në fazën e ngritjes së KLGj dhe KLP, por që ky komision është njohur edhe me këtë shqetësim lidhur me vendimet e GJK dhe mos reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në dy ligje të reformës në drejtësi, në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më lejoni të them që unë përtej atyre çka artikuluar opozita të jem i qartë në këtë pike, sepse Rregullorja e Kuvendit e ka paracaktuar qartësisht procedurën e reflektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sa herë që Gjykata Kushtetuese shfuqizon nene apo ligje të caktuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Është një procedurë, që siç e bën Kuvendi në të gjitha rastet e tjera kur ka pasur shfuqizime të ligjeve apo të neneve të caktuara të ligjeve të miratuara në Kuvend, edhe për ligjet e reformës në drejtësi. Janë, në fakt, dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me ligjin për organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë. Është një vendim nr. 41, date 16.5.2017 i Gjykatës Kushtetuese, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në 24.5.2017; ka një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese po për ligjin e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, nr. 78, datë 12.12.2017, edhe ky është botuar në Fletoren Zyrtare më 26.12.2017 dhe ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve nr. 34, datë 10. 04. 2017, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare më 18.4.2017. Po të marrim parasysh kohën e botimit në Fletoren Zyrtare të këtyre 3 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rezulton se njeri është votuar më 18.4.2017 dhe tjetri 24.5.2017, kohë në të cilën ju e dini që parlamenti sapo kishte hyrë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të datës 25 qershor 2017, ndërkohë vendimi i fundit është botuar në Fletoren zyrtare më 26.12.2017, kur parlamenti e kishte mbyllur sesionin e vjeshtës dhe meqenëse të tre këto vendime të Gjykatës Kushtetuese, dy janë për ligjin e organeve dhe janë botuar, njëri në maj dhe tjetri në dhjetor, pra janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe që kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe ligji tjetër që është votuar në dhjetor të 2017. Tani procedura është e qartë, të tre këto vendime, efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas Rregullores së Kuvendit , i adreson Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ka qenë nismë e qeverisë, thotë Rregullorja e Kuvendit, Këshilli për Legjislacionin ja përcjell, vendimin e gjykatës, së bashku me rekomandimet Këshillit të Ministrave. Nëse ka qenë nismë ligjvënëse, e deputetëve të Kuvendit, vendimi së bashku me rekomandimet i përcillet iniciuesit të nismës. Jemi në fazën kur të tre këto vendime të Gjykatës Kushtetuese janë në proces për të adresuar sipas Rregullores së Kuvendit, por që të jemi të qartë janë projektligje, janë vendime që prekin dy ligje, që janë miratuar me shumicë të cilësuar, me 84 vota. Dhe nëse opozita ka shqetësimin e reflektimit të këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në këto dy ligje të rëndësishme është e mirëpritur që të japë mbështetjen dhe vullnetin e duhur politik, që ti adresojmë dhe to votojmë menjëherë. Por, aman jemi në një fazë tjetër, ti ngremë këto organe sepse nuk janë shumë nene që janë prekur nga Gjykata Kushtetuese. Janë rreth dy –tre nene që është lehtësisht e mundur për tu reflektuar në ligj. Por, faza më e rëndësishme është faza ku jemi tani e ngritjes së KLGJ dhe KLP. Pra, ti ngremë njëherë këto këshillat. Pra, të bëjë Kuvendi detyrën që i takon dhe jo çdo gjë në ngritjen e këtyre e dy këshillave varet nga Kuvendi, ka pjesën e vet për gjyqtar dhe prokurorë sepse pjesa tjetër e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të jenë pjesë e trupës së këtyre e këshillave. Janë vendimmarrje e Asambleve përkatëse, Asambleve të Gjyqtarëve dhe Asambleve të Prokurorëve.

Pra, vonesa ka ardhur nga vonesa në zbardhjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare. Kjo e ka sjellë këtë vonesë?

Unë nuk thashë këtë sepse po të shihni datën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të botimit në Fletoren Zyrtare, kanë fiks një javë. Pra, vonesa ka të bëjë me shpërndarjen e Kuvendit, në rastin konkret, në maj sepse ishte fushata e zgjedhjeve të 25 qershorit
Nga shtatori në dhjetor, janë 4 muaj?
Por sepse pritej shpallja e vendimit për ligjin e statusit. Janë dy vendimmarrje në lidhje me këtë ligj dhe shqetësimet e të dy vendimeve duhet të adresohen në mënyrë komplementare. Sepse njërin ankim e bëri 1/5 e deputetëve dhe ankimin tjetër e bëri Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Dhe ka dy vendimmarrje të gjykatës në dy kohë të ndryshme dhe që u prit dalja e këtij vendimi në dhjetor të 2017, për ti adresuar në sezonin e janarit.

Z. Manja a jeni në dijeni të faktit që ka një mospërputhje të kandidatëve për KLP. Kandidatëve jo prokuror nga lista e ONM dhe lista e miratuar nga Kuvendi, që do t’ju vijë juve në Komisionin e Posaçëm që do të ngrini këto ditë. Për së është bërë një ndërhyrje e tillë? Nuk ishin mjaftueshëm të kualifikuar anëtarët e ONM për ti përjashtuar ata njerëz që ju i rifutët prapë në garë?
Nesër Komisioni i Ligjeve hap procedurat për ngritjen e KLP dhe KLGJ. E bëra këtë lidhje, sepse edhe pyetja shkon në sinkron me ngritjen e dy këshillave. Ju tashmë e keni eksperiencën, dhe e keni transmetuar, e keni bërë të qartë e të njohur edhe për opinionin publik mënyrën e ngritjes së organeve të vetingut dhe e dini që në finale, sipas Kushtetutës dhe ligjit, vendimmarrja i takon nënkomisionit ad hoc, që do të ngrihet nesër. Cilado të ketë qenë vendimmarrja e institucioneve të përfshira në procesin e filtrimit të kandidatëve, qoftë Avokati i Popullit, qoftë trupa e pedagogëve, qoftë trupa e avokatëve, qoftë ONM-ja, qoftë sekretari i Përgjithshëm, që ka një rol në këtë proces, në finale vendimmarrja i takon nënkomisionit ad hoc që do të ngrihet nesër, me përbërjen që e kanë caktuar Kushtetuta dhe ligji, 5 anëtarë, 3 shumica, 2 pakica dhe ky komision do të ketë mbi tryezën e punës të gjithë dokumentacionin e të gjithë kandidatëve, si të atyre që i plotësojnë kriteret formale, por edhe të atyre që nuk i plotësojnë kriteret formale. Kjo është procedura. Jam i bindur se ky komision do ta bëjë më së miri punën e tij.
Maxhoranca do të tentojë një dakordësi me opozitën për t’i miratuar me konsensus këto nene ?
Me lejoni t’ju them se Kuvendi e ka detyrim reflektimin dhe adresimin e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese në ligjet përkatëse. Unë e thashë që janë ligje, të cilat janë miratuar me shumicë të cilësuar, 84 vota. Sigurisht që jo vetëm do të tentojmë, por edhe opozita e ka detyrim adresimin e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese në ligjet përkatëse. Të dyja palët në rastin konkret jemi të detyruar të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pastaj ne do të bëjmë gjithçka, për sa na takon neve si shumicë, ndërsa çështja e vullnetit të opozitës, është çështje e saj, por më lejoni të them që nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese nuk e pengojnë punën e këshillave në momentin kur këta këshilla do të ngrihen, pra nuk e pengojnë. Është një vendimmarrje e Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me procedurën e dhënies së masave disiplinore ndaj magjistratëve, por, në fund të fundit, vetë Gjykata Kushtetuese e ka zgjidhur këtë çështje në vendim kur ka thënë se, deri në adresimin e këtyre problemeve që ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, do të vazhdojë procedura e mëparshme. Unë e ftoj opozitën, në vazhdën e të gjitha ftesave që kanë bërë përfaqësuesit e maxhorancës, të ulet në këtë komision shumë të rëndësishëm, sepse faza e zbatimit të reformës në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe jemi në një fazë kritike. Nëse i gjithë shqetësimi ka qenë ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, më në fund nesër do të kemi hapjen e procedurave.
Cila do të jetë përgjigjja e maxhorancës për amendamentin e propozuar nga opozita?
Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi në kurriz të Kushtetutës së vendit, që e kemi miratuar bashkërisht dhe me vullnet të plotë me 140 vota, aq më tepër kur në këtë proces të reformës në sistemin e drejtësisë, duke filluar që me ndryshimet kushtetuese dhe deri sot, kryetari i maxhorancës e ka bërë të qartë se nuk jemi vetëm.

Po, e ka thënë zoti Rama…
Vijërojtësit e kësaj reforme janë partnerët tanë, SHBA-të dhe BE-ja, nëpërmjet dy misioneve që asistojnë drejtësinë, EURALIUS-it dhe OPDAT-it. Kështu që unë nuk kam përgjigje tjetër, përveç kësaj që sapo ju thashë. Shpresoj të kem qenë i qartë për ato shqetësime që ju keni në lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi. Komisioni i Ligjeve vërtet do të ketë si prioritet kryesor zbatimin e reformës në drejtësi, por në punën e tij ky komision, në këtë sesion parlamentar, ka në proces edhe një pjesë të projektligjeve të fundit të paketës së plotë të reformës në drejtësi, të cilat janë ndryshime ligjore, në fakt, në ligjet ekzistuese, që edhe këtë pjesë ne do ta përmbyllim.
Nesër do ta diskutoni me opozitën, apo vetëm? Edhe një gjë tjetër: a mund ta pengojë opozita ngritjen e nënkomisionit ditën e nesërme?
Sigurisht që nesër Komisioni i Ligjeve është në një ditë normale pune, ka një rend dite të përcaktuar, që u është dërguar të gjithë kolegëve deputetë të këtij komisioni, por një gjë është e qartë: lidhur me ngritjen e këshillave, Kushtetuta dhe ligji është i qartë, sepse kushtetutëbërësi në momentin e hartimit të këtyre ndryshimeve kushtetuese ka qenë i qartë për të përcaktuar edhe mekanizmin e zhbllokimit, në rast se do të kishte bllokim politik në ngritjen e këtyre këshillave. Procedura është shumë e qartë. Nënkomisioni ad hoc mund ta vazhdojë dhe ta çojë deri në fund punën për ngritjen e këshillave dhe në finale vendimmarrja i takon seancës plenare. Këtë thotë Kushtetuta, këtë e thotë edhe ligji, këtë do të bëjmë edhe ne. Por opozita është e mirëpritur dhe jo vetëm e mirëpritur, madje duhet të vijë të bëjë detyrën që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. E votuam bashkë atë Kushtetutë dhe të dyja palët e dimë se në finale kemi detyrim zbatimin e Kushtetutës. Kështu që është ora që më në fund edhe reforma në sistemin e drejtësisë të fillojë të prodhojë efektet e para, atë drejtësi që e kërkuan, në fakt, shqiptarët, por që është edhe një nga kriteret që Shqipëria të hapë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj të kemi një bashkëpunim të frytshëm edhe me opozitën, por edhe me mediet në këtë proces. Edhe një herë, faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura