Ndreca e Gjinishi. Takimi me Ramën, Nishani: S’i dekretoj ambasadorët

Mar 3, 2014 | 9:01
SHPËRNDAJE

Presidenti Nishani e Kryeministri Rama
Zbardhet debati në Presidencë mes kreut të shtetit e Kryeministrit, Nishani: “Emrat, pa konsultime”. Rama: “Firma jote, formale”

Zbardhet debati mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit në Presidencë për dekretimin e ambasadorëve.

Presidenti Bujar Nishani rrëzon dy kandidatët për ambasadorë të propozuar nga Kryeministri Edi Rama në Vatikan dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Burime nga Presidenca bëjnë të ditur për gazetën se kreu i shtetit ia ka bërë të ditur qëndrimin e tij liderit të maxhorancës në takimin e fundit që kanë pasur të mërkurën pasdite. Megjithëse mungon ende firma zyrtare e Presidentit, i sigurt është fakti se Ermir Gjinishi, i propozuar për në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Ardian Ndreca, i propozuar për në Vatikan, nuk do të marrin konfirmimin përfundimtar, duke bërë që maxhoranca të propozojë emra të tjerë në dy selitë diplomatike.

DEBATI
Një prej çështjeve të diskutuara mes Presidentit Bujar Nishani dhe Kryeministrit Edi Rama në takimin e së mërkurës ka qenë dekretimi i ambasadorëve. Megjithëse ka firmosur disa nga propozimet e kreut të qeverisë, mësohet se Nishani ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me procesin e ndjekur nga maxhoranca. Kreu i shtetit e ka vlerësuar si të gabuar rrugën e ndjekur gjer tani nga shumica në pushtet, pasi sipas tij, institucioni i Presidentit duhet të jetë pjesë e konsultimeve përpara se t’i mbërrijnë në tryezë emrat e ambasadorëve për tu dekretuar. Të njëjtat burime thonë se qëndrimi i Kryeministrit Rama ka qenë ai, sipas të cilit firma e Presidentit për ambasadorët është formale. Në këtë pikë, kreu i shtetit mësohet të ketë ndërhyrë duke thënë se dekretet e tij nuk mund të jenë formale për aq kohë sa ambasadorët përfaqësojnë vendin tonë në selitë diplomatike. Gjatë kësaj bisede Nishani e ka njoftuar Kryeministrin se nuk do ta firmosë dekretimin e dy ambasadorëve, Gjinishi e Ndreca. Ndonëse nuk bëhen të ditura argumentet e kreut të shtetit, në një intervistë të dhënë një javë më parë në gazetën “Panorama”, ai deklaroi se nuk do të dekretojë ambasadorë të kulisave e tekave. “Sa u përket kandidaturave në fjalë, le të mos bëhet merak askush. I siguroj të interesuarit se si autoritet kushtetues që emëron ambasadorët, do dekretoj jo kandidatura të kulisave, tekave, ambicieve, interesave apo thjesht dëshirave, por vetëm kandidatë që plotësojnë kushtet e përfaqësimit dinjitoz të vendit tim, individë seriozë dhe të përmbajtur, që zotërojnë kapacitetet e duhura profesionale, intelektuale, kulturore, shoqërore, njerëzore, komunikative, etike”, u shpreh Presidenti gjatë intervistës për gazetën. Në mesin e muajit shkurt, Presidenti firmosi dekretimin e katër ambasadorëve të propozuar nga qeveria. Konkretisht, Qemal Minxhozi, Ilir Boçka, Petrit Bushati dhe Pëllumb Qazimi do të përfaqësojnë Shqipërinë për një mandat katërvjeçar në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Slloveni. Emrat e propozuar nga qeveria janë kundërshtuar në parim edhe nga opozita, e cila ka kujtuar faktin se shumica e dekreteve nuk janë nga diplomacia, por kanë ardhur si propozime politike.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura