Ndihmë familjes së 12-vjeçarit

Sep 30, 2011 | 11:30
SHPËRNDAJE

SHKODER – Këshilli Bashkiak i Shkodrës vendosi të akordojë një shumë prej 300 mijë lekësh për familjen e Ndoc Markut, e cila pak ditë më parë humbi fëmijën 12 vjeç në rrënojat e një objekti gjysmë të shembur nga ana e Policisë Bashkiake. I mituri, Kristian Marku, u fut teksa luante në objektin e prishur në lagjen “Skenderbeg”, por ai nuk mundi t’i mbijetojë një pllakade betoni që i ra përsipër. Ngjarja shkaktoi reagime nga familjarët e viktimës, të cilët akuzuan Policinë Bashkiake se kishte prishur objektin dhe më pas ishte larguar pa hequr inertet. Por nga ana e saj, Bashkia mohoi të kishte ndërhyrë në objektin në fjalë, duke argumentuar se pronari i saj ishte jashtë shtetit dhe se ishte vendosur shembja në një afat të dytë. “Kjo shumë do të merret nga fondi rezervë i Bashkisë së Shkodrës, e cila në bazë të ligjit, përdoret në rastet e përballimit të fatkeqësive dhe emergjencave civile”, u shpreh kryebashkiaku Luka. Por, një pjesë e këshilltarëve bashkiakë kanë kërkuar që kjo shumë të dyfishohej, pasi sipas tyre një vlerë e tillë është shumë pak për të vlerësuar një jetë njeriu të humbur në mënyrë tragjike, aq më tepër të një fëmije. Luka, në shenjë humanizmi deklaroi se do të dhuronte 50 për qind të rrogës mujore të tij si kryetar Bashkie, gjë e cila u mbështet edhe nga këshilltarët me nga një rrogë mujore të tyre. r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura