Ndëshkohet Çani, klubi: Në janar do ta largojmë

Oct 31, 2012 | 13:01
SHPËRNDAJE
Edgar Çani

Edgar Çani është ndëshkuar nga klubi i Polonias së Varshavës për debatin që pati me shokun e tij në fushë javën që shkoi. Ai do të luajë me të rinjtë deri në fund të këtij viti. Sulmuesi kuqezi është dënuar të luajë me skuadrën e të rinjve deri në janar dhe më pas, sipas një komunikate të shtypit, do të vlerësohet seriozisht transferimi i tij në ndonjë klub tjetër, qoftë edhe në mënyrë përfundimtare. Kjo do të thotë se bomberi 23-vjeçar e ka mbyllur tashmë aventurën te skuadra polake dhe se krisja e disa muajve më parë me drejtuesit nuk u riparua kurrë. Ka qenë trajneri Piotr Stokoviec ai që u ka kërkuar drejtuesve të klubit që të merren masa për sulmuesin. Mediat polake bëjnë të ditur se kjo nuk ka ardhur vetëm si pasojë e incidentit të Çanit me shokun e skuadrës, por edhe për shkak të raportit të vështirë mes tij dhe lojtarit gjatë punës në seancat stërvitore. Shqiptari shpeshherë i ka kërkuar llogari trajnerit se përse nuk ka më tepër hapësira, duke qenë se një prej sulmuesve është i dëmtuar dhe nga ana tjetër Çani gëzon një formë të shkëlqyer. Çani pati një debat me shokun e tij në ndeshjen e fundit të kampionatit, që Polonia e Varshavës e fitoi 5-0 në transfertë kundër Belçatovit. Në këtë ndeshje ai u aktivizua si zëvendësues dhe pas disa minutave lojë ai fitoi një penallti, të cilën edhe ka dashur ta gjuajë. Mirëpo tek ekipi i Polonias penalltitë i janë besuar futbollistit Tomasz Brzyskit, i cili pati probleme ta ekzekutonte 11-metërshin, pasi Çani u mundua t’i merrte topin. Pas disa çasteve debate, Brzyski e ka gjuajtur penalltinë dhe ka shënuar. Episodi nuk i pëlqeu stafit dhe drejtuesve, të cilët menjëherë pas ndeshjes njoftuan se kundrejt futbollistit shqiptar do të kishte masa. Sakaq ka pak gjasa që sulmuesi shtatlartë të qëndrojë në kampionatin polak, megjithëse ka pasur një interesim të hapur nga Legia e Varshavës, që janë edhe rivalët e përjetshëm të Polonias. Oferta ka qenë konkrete, madje me një pagë joshëse për lojtarin, por ky i fundit nuk i është përgjigjur interesimit, pasi ka edhe dy vite të tjera kontratë me Polonian. Nëse Edgar Çani do të zgjidhte skuadrën tjetër të Varshavës, atëherë kjo do të ndizte akoma më shumë derbin e kryeqytetit polak. Megjithatë, ka shumë gjasa që futbollisti të rikthehet në Itali, ose të luajë në ndonjë skuadër angleze, duke qenë se muajt e fundit ka qenë në fokusin e disa skuadrave të Kategorisë së Dytë. Vetë lojtari ka thënë se do të donte të luante në Angli për shkak edhe të karakteristikave që ka, por kjo mbetet për t’u parë.

Përplasjet/ Klubi s’e paguante, ja si nisi sherri
Edgar Çani ishte një ndër futbollistët më të dalluar të Polonias së Varshavës. E megjithatë, ai nuk u pagua për pesë muajt e fundit dhe kjo solli një përplasje mes tij dhe ish-drejtuesve. Lojtari u ankua në FIFA dhe kërkoi të prishte kontratën. Por pak javë para se të përfundonte sezoni, drejtuesit për t’i mbyllur gojën, urdhëruan që ai të mbetej në stol. Pas përfundimit të kampionatit, ai u largua me idenë se nuk do rikthehej më në klubin polak, por duke qenë se Polonia ndërroi drejtues dhe këta të fundit i bënë me dije FIFA-s se ishin gati të shlyenin lojtarin, ky i fundit u rikthye.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura