Ndëshkohen 10 ‘rebelët’ për dosjen e Shullazit, prokurori i ish-ministrit përfundon në Pogradec

Sep 21, 2018 | 8:43
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Përplasja e dy ditëve më parë mes prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe drejtueses së tyre për hedhjen në short të dosjes “Shullazi”, nuk ka kaluar lehtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Kryeprokurorja e përkohshme ka urdhëruar që 10 prokurorët që refuzuan shortin me pretendimin se është i jashtëligjshëm, të vendosen nën hetim disiplinor. Por nuk mbaron me kaq.

Arta-Marku1-583x400

Pas këtij urdhri, Marku nxjerr një tjetër urdhër, që është ai i transferimit të prokurorëve rebelë në prokuroritë e rretheve. Më i prekuri nga ndryshimet kohët e fundit ka qenë ishdrejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili brenda një kohe të shkurtër zbriti nga drejtues në prokuror dhe tani do t’i duhet të shkojë të punojë në Pogradec.

Po kështu, veç tij janë transferuar edhe dy prokurorë të tjerë, Olsian Çela dhe Sonila Muhametaj. Po kështu, Marku ka urdhëruar edhe hetim disiplinor për shtatë prokurorë të tjerë që janë: Përparim Kulluri, Behar Dibra, Arenc Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi dhe Blerim Tominaj. Këto urdhra të Kryeprokurores së përkohshme vijnë vetëm një ditë pas përplasjeve mes prokurorëve dhe drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për hedhjen në short të dosjes “Shullazi” për caktimin e prokurorëve të rinj.

“Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku, duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e datës 19 shtator 2018 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi refuzimin nga ana e prokurorëve për hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 109/ b; 333/a; 334 etj. të Kodit Penal urdhëroi fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve”, shkruan një njoftim i shpërndarë për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme.

Vetëm pak minuta pas shpërndarjes së këtij njoftimi, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi edhe lëvizjet e tre prokurorëve. “Prokurori i Përgjithshëm urdhëroi caktimin e përkohshëm të prokurorëve: Olsian Çela, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Beratit; Sonila Muhametaj, nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë Pukë; Besim Hajdarmataj nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë Pogradec”, shkruan njoftimi.

SHORTI

Përplasja mes prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Donika Prelës nisi më 19 shtator në mëngjes. Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda mblodhi vartësit e saj dhe u komunikoi hedhjen në short të dosjes “Shullazi”.

Prokurorët kundërshtuan duke thënë se dosja nuk mund të hidhet në short, pasi i ka tre prokurorë dhe kjo është e jashtëligjshme. Ata kanë refuzuar që të jenë pjesë e shortit, në një kohë kur dosja ka tre prokurorë, që janë Elisabeta Imeraj, Eneid Nakuçi dhe Besim Hajdarmataj. E para është komanduar në Prokurorinë e Tiranës, por ende vijon të jetë pjesë e dosjes, ndërsa i dyti ka marrë raport mjekësor dhe nuk dihet se kur do të kthehet. Hajdarmataj, sipas burimeve të “Panoramës”, është prokuror i çështjes, pasi ai ka kryer veprime hetimore për rreth katër muaj për çështjen në fjalë.

Ligji parashikon që në rast se prokurorët e një çështjeje nuk paraqiten për të dhënë pretencën në gjykatë, atëherë është drejtuesi i Prokurorisë ai që e merr situatën në dorë. Në këtë rast, duhej që Donika Prela dhe Besim Hajdarmataj të përfaqësonin akuzën në sallën e gjyqit dhe të japin pretencën për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Prokurorët që do të kalojnë në hetimin disiplinor janë:

Olsian Çela

Përparim Kulluri

Behar Dibra

Sonila Muhametaj

Arenc Çela

Edvin Kondili

Pranvera Pustina

Eugen Beçi

Blerim Tominaj

Besim Hajdarmataj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura